Adem Gashi: Ke ikur tashmë…

Ke ikur tashmë, ke ikur qëkur
Të mos bëj skandal s’të drejtohem me emër,
Veçse si vragat a si tatu në lëkurë
Doemos diçka ka mbetur në zemër.

Hamendjet zgjohen padashur për ty,
Qoftë edhe kur të thërras me përemër,
Personazhet e pretenduara perëndojnë në sy:
Është grua kjo a shemër?

Portretin tënd të vagëlluar
Që më vjen netëve si një foto e vjetër,
Bëj të ta ledhatoj më duar
Dhe në çast më shfaqet një figurë tjetër.

E pamundur. S’rikthehet gjë përsëdyti,
Sado me mollët e gishtërinjve prek but,
Një gjeratore ankthi sa s’më mbyti
Dhe… dhe… (oh!) lirika se ç’u këput!

Tashti më mbush me mllef e maraz
Dhe më vjen e fajshme vetë shfaqja e ditës,
Diçka mori ters a vajti çapraz,
Qe këputur ëndërr e Orfeut a Euridikës?

*Titulli i origjinalit: Lirikë e papërfunduar

ObserverKult

Lexo edhe:

Adem Gashi: Dashuria kërkonte fli…
Adem Gashi: Vjershë e harruar për Lady-n