Për të vdekur njeriu mund të vdesë çdo çast,
është tjetër të vritesh, të vetëvritesh, të të vrasin
ka pak rëndësi duhet a s’duhet një shkas,
i pamungueshëm, doemos, duhet vrasësi.
S’ka rëndësi se kush është mjeshtri i skenës
rrethanorët e vendit, të kohës
pranvera sapo ka hyrë, kënga rri peng
në një baltinë, në një pikë loti.
Dhe vrasësit qenë aty dhe gjaku i blertë i bimëve
ndryshe nga gjaku i kuq i njeriut,
kur lëngëzonte stina gjithçka të gjallë,
derdhjen e lumit të jetës e bënin Ata,
bënin hatanë.
Në ditën kur kam mundur të vritem
nga një thikë, nga një copë metal, nga një plumb
pirgu i munguar do të bëhej kufi
i të gjitha njohjeve, rinjohjeve, takimeve
ose portë e fundit të pafund.
Megjithatë,
dita (ajo ditë) grisi pjesën e terrtë të saj
e u bë portë e lirisë dhe dritës,
mos vallë kjo qe Përmasa e Katërt
këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë!?
2014