Adem Gashi: Po s’erdhe sot do të vish nesër

adem gashi antologji atdhedashuri

Poezi nga Adem Gashi

Po s’erdhe sot do të vish nesër,
po s’erdhe nesër do të vish një ditë,
dhe terri do të jetë terr,
dhe drita dritë.

Unë do ta mashtroj veten
se jam po ai
shndërruar në pritje dhe pritë.

Do të vish një ditë patjetër
dhe bota do të të duket e re,
sado qoftë e vjetër.

Po s’qemë ne do të jenë sozitë tona
duke u puthur si në një libër,
në librin e amshimit.

ObserverKult


Lexo edhe:

MKRS SHPALL FITUESIT- ADEM GASHIT I JEPET ÇMIMI PËR VEPËR JETËSORE

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka organizuar sot ceremoninë për laureatët e çmimeve vjetore në fushën e letërsisë.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dhënë Adem Gashit Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”. Ndërsa Çmimin për Veprën më të Mirë në Prozë “Anton Pashku” Mehmet Krajës për romanin “Liria ime”.

Çmimi për Veprën më të Mirë në Poezi “Ali Podrimja” i është dhënë poetit Xhevdet Bajrajt për librin “Burri që lozte me engjëjt”.

Për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë çmimi “Ibrahim Rugova” iu dha Blerina Rogova-Gaxhës për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”.

Çmimi për Veprën më të Mirë të Përkthyer në Gjuhën Shqipe “Pjetër Bogdani” përkthyesit Col Mehmetaj për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit.

Çmimi për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe të Rinj “Vehbi Kikaj” shkrimtarit Shaip Grabovci për dramën për fëmijë “Zëra nga vitrina”.