Një shkrim që para se t’iu kushtohet të gjithëve ju që do keni mirësinë, durimin të më lexoni ia kushtoj vetes, egos time!
Më ndodh shpesh ta pyes veten se ku dua të arrij? Po juve iu ndodh? Më shpesh sesa kjo pyetje kohëve të fundit më mundon pyetja; Çfarë më bën të lumtur? Po juve çfarë ju bën të lumtur?
Dhe në gjithë këtë rrëmujë mendimesh që vjen nga dembelizmi ose vrulli i ditëve më ndodh të mendoj se për të qenë i lumtur ia vlen të paguash çfarëdo lloj çmimi, sepse të qenit i palumtur i trishtuar ka kosto të mëdha shoqërore, familjare dhe financiare!
Në vazhdën e të menduarit, të jetuarit, të qenit i lumtur, mendoj se ne kërkojmë shpesh gjëra që nuk i përballojmë dot, ose nuk i duam me të vërtetë, shpesh të qenit në një pozicion të lartë drejtues apo të qenit i famshëm shpesh do të duhet të jesh fatkeq, sepse në të vërtetë lumturia nuk lidhet me pritshmëritë që kanë të tjerët për ty kushdo qofshin ato madje as me pritshmëritë që ke vetë për veten.
Për të realizuar qëllimet të duhet ose do të duhet sakrifikosh shumë gjëra që mbase nuk të japin atë lumturinë me bulëza por të japin kënaqësinë për të nisur një ditë të qetë me energji! Është ligji i jetës, i natyrës që për të marrë diçka duhet të heqësh dorë nga diçka, dhe nëse për të marrë atë gjë ti duhet të humbësh një tjetër, zgjidh atë që jep lumturi për një kohë më të gjatë!
Lumturia, të qenit i lumtur lidhet direkt apo indirekt me dëshirat dhe kompetencat, aftësitë pra, nëse ti ke dëshirë dhe ke të gjitha aftësitë për ta bërë atë punë, profesion më mirë se 70% e njerëzve të tjerë në treg apo rreth e rrotull mjedisit në të cilin ti gjendesh atëherë aty duhet t’i përqendrojmë fuqitë tona! Të japësh mend është punë ekskluzive e genit shqiptar, e shqiptarit që nuk ka asnjë punë më të mirë për të bërë, por unë po ndaj një histori, ky shkrim mbart të vërteta personale!
Por çfarë është lumturia? Lumturia është një gjendje psikologjike e cila arrihet kur realizojmë arrijmë ose kapim dëshirat, qëllimet apo synimet për të cilat kemi punuar fort, lumturia si e tillë shprehet në forma të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, disa e shprehin me lot “pse kot e kemi shprehjen lot gëzimi ne”, disa me ulërima, disa të tjerë me hedhje përpjetë, të tjerë me hapje shampanjash apo blerje ëmbëlsirash, format janë të pafundme… Po ku dua të dal unë? Lumturia mund të jetë edhe e gënjeshtërt, pra një lumturi e cila ekziston në koracë në dukje, si qeveritë ballkanase e keni parasysh… Do përpiqem t’ua shtjelloj më tutje…
Lumturia është një temë debati që në fillesat e qytetërimit njerëzor, mund të shkruaj që në fillesat e njerëzimit por nuk është e vërtetë, dhe unë nuk shkruaj të pavërteta të paktën jo me dashje.
Epikuri p.sh. ka filiozofinë që i përshtatet më së shumti popullit tonë si natyrë por edhe si natyrë por edhe perspektivë në thelb lumturia sipas tij plotësohet duke realizuar apo përmbushur dëshirat, qejfet, instiktet pra plotësimi i çdo gjëje, çdo dëshire që të vjen natyrshëm çon në lumturi, ose në përmbushjen e një ndjesie kënaqësie shumë afër saj a nuk është kështu? Ngrënia e një cope torte, pirja e një pepsi edhe kur doktori t’i ka ndaluar pijet me gaz, puthja e dikujt si padashje, marrëdhëniet seksuale etj., a nuk janë të gjitha përmbushje e lumturisë?
Por si arrihet lumturia sipas budistëve, një rrymë që shkon kundër ideve të Epikurit, sipas budistëve lumturia arrihet duke lënë të lirë vuajtjen dhe duke superuar çdo dëshirë dhe e gjitha kjo mund të arrihet duke trajnuar mendjen, vetëm kështu sipas tyre mund ta arrijë lumturinë? A janë shqiptarët ndopak budistë?
Lumturia është çështje komplekse ndaj këtu do shtojmë edhe Frojdin, qëndrimin e tij me të cilin unë bie dakord sipas tij: Lumturia është utopike, që lumturia thotë ai të jetë apo bëhet e mundur nuk do duhej që të varej nga bota reale ku çdo individ e njeri është i ekspozuar vazhdimisht ndaj përvojave apo situatave të pakëndshme si frustrimi apo dështimi në gjëra të caktuara si; rënia e akullores në tokë, qortimi nga shefi, djegia e biskotave, ngelja në një provim, pushimi nga puna, një grip, tani virusi Covid-19, lajmet që marrim etj. Sipas tij maksimumi që mund të arrijë një njeri i ekspozuar pa pushim me botën reale është një lumturi e pjesshme…
Për të vazhduar pak vazhdën e Frojdit, kjo është e vërtetë, me këtë mund të iu marr rastin e rrogës, jemi të lumtur kur na del por të palumtur kur nisim e shpenzojmë dhe shohim e kuptojmë se gjithmonë na del diçka mangut të cilën do duhet ta zëvendësojmë muajin tjetër, pastaj blejmë një milka dhe qajmë hallet, dhe pa kuptuar atë lumturinë e pjesshme e realizojmë gjatë kohës që hamë milkën apo bëjmë thashetheme pa kuptuar… Vetëndërgjegjësimi mbi gjithçka është një ndër sfidat më të mëdha vetjake për t’u arritur…
Për çfarëdolloj teme që të flasim Aristoteli është i pranishëm, dishepulli i Platonit (fjali plotësuese kjo se më kujton pedagogët gjatë kohës që isha student që gjithmonë përdornin të njëjtën fjali plotësuese). Sipas tij lumturia ishte e lidhur me ekulibrat dhe harmoninë midis tyre, vetërealizimi sipas tij zinte vendin më të madh në këtë rrugë, nëse e keni parë filmin “Eat, Pray, Love” me Julia Roberts si protagoniste duhet ta shihni me patjetër, në këtë film ky leksion tregohet në praktikë.
Praktiksht ajo që thotë Aristoteli është se lumturia vjen si rezultat i punës me veten, i organizimit të botës së emocioneve dhe asaj logjike, ushtrimit të mendjes dhe konstatimit se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo, si dhe vendosjen e ekuilibrave deri në fazën që asgjë nuk të bën ta urresh apo ulërasësh që e urren apo e ka bërë keq.
Lumturia është çështje komplekse, dhe duke u përpjekur të zbulojmë si vjen, si përceptohet, si arrihet, harrojmë ta zbulojmë në lëkurën tonë, dhe më e keqja ta jetojmë dhe gëzojmë atë. Për mua lumturia është shumë gjëra, një gotë verë, një poezi, një ëndërr seksuale, një udhëtim, një bisedë e thellë dhe e gjatë, ecjet e gjata buzë detit, buzëqeshja e mamasë time, një arritje, por edhe zgjimi i vonë, thonë që kur rritesh dhe tashmë ke shumë angazhime mbase edhe prind, gjumi i mëngjesit është kënaqësi Olimpi, pra privilegj zotash…
Në fund të ditës mjaft të gëzohemi që jemi mirë me shëndet dhe sidomos në këto kohë që po jetojmë, kaq duhet të mjaftojë për t’u ndierë të lumtur, qoftë edhe për një çast të vetëm…
ObserverKult
____________________
Lexo edhe: