Poezi nga Adriatike Lami
Jam e vendosur të rikthej në jetën time qeshjen;
Kur një burrë më flet
Dhe nget kulmet e gëzimit tim.
Inatin, kur dikush më cënon
Dhe rrënon harkimin e vetullës sime,
Kur dikush më sfidon me humbjet e vogla të ditës.
Kam vendosur të largoj nga jeta,
Ata që m’i pengojnë; laryshitë, ëndrrën, veçantitë.
Të rrugëtoj dua sërish më shumë me bijtë.
E që nga kjo e dielë,
Kam vendosur të vizitoj më shumë dashuritë në varre,
E marrë le të jetë lulnimi në parajsë.
Dashurinë ta lë të lirë,
Flokët t’i pres shkurt,
T’i lyej me bojë të kuqe.
Jetën ta shoh ndryshe pra!
Me shpresë të sjell dëshira erëmira;
Për vende, njerëz, ngjarje.
Kam vendosur të them më shumë gjëra,
Të protestoj te porta e unit,
Të hesht për mahnitjet e gjumit,
Gënjeshtrën ta zbardh me të vërteta
Dhe dritat t’i rrëmbej nga pasjeta.
Kam vendosur të ulem në gjunjë rrëzë malit.
T’i lutem madhështisë dhe fatit që më ndjell.
Më tej dua që këngën e mallit,
Hëna dhe mjegulla t’i shtjell’
Eh kam vendosur të zgjohem në një orar tjetër,
Kur ëndrra është në vlim.
Fotot t’i vë në një album
Dhe kohën e modernitetit pak ta ndal.
Nuk më duhet moda,
Ku ngjyrat ndizen në flake;
Barrë e bukur do jetë në kurmin tim,
E zeza me thelë luleje të çdo ngjyre;
Valë – valë do shtroj një mendim ndryshe.
Përballë një gote vere,
Do çmendet vjeshta kësaj here!
ObserverKult
Lexo edhe:
AKADEMIA E SHKENCAVE: ISMAIL KADARE ËSHTË KANDIDATURA E VETME E SHQIPËRISË PËR ÇMIMIN NOBEL