Afrim Maliqi: Pas perdes së vetmisë


Në pasdite pritjeje zgjohet pikëllimi
Fjalët humbin fillin e durimi vdes
Nga gjithë kjo vetmi prapa çka do të mbes
Më thuaj a di ku është i dhimbjes fillimi.

Fjalët seç na humbën, kemi mbetur bosh
Të shushatur ecim e ngecim rrugës së vetmisë
Në kreun e rrugës për t’u takuar s’jemi nisë
Do të nisesh njërës e tjetrës do të shkosh.

Rrugës ecën shpejt, dukesh e vetmuar
Premtimeve tua nuk u besova mike
Dritës që ndritë shpirtin flakën ia fike
Dhe tani vetmitare mbyllesh e pikëlluar.

Buzëqeshjet kanë humbur, ku mbetën që tretën?
Shikimet kryqëzohen, përthyhen, largohen
Këngët të ngarkuara me pikëllim e zemërim ndryshohen
Fjalët e gëzueshme seç u shkundën e humbën.

Jeta s’kalon e s’vazhdon me pranverën e saj
Vrazhdësinë e hidhësinë e shijojmë pastaj
Dorën po shtrive e nuk mbërrive, gabon
Gjithçka ndryshon në vallen që s’mbaron.

Me fjalë e këngë do ta gjuaj harrimin
Vezullimën ua merr e ua herrë kujtimin
Nga gjiri i plagosur për t’i shpëtuar s’kam
Të mos tresin, të mbesin ashtu si janë.

Nga dritarja drita pakësohet, mbarohet
Malli ngrehet e ngjitet, vrulltas madhohet
Me gjuhën e lidhur pas perdes së vetmisë
Të flas e të thërras në emër të dashurisë.

Mars, 1986