Ag Apolloni: Drita që të shndrit mbi kokë

Tym, zhurmë, muzikë,
birrë, raki, kafe, makiato…
ti shfaqesh si tabelë në lojën pikado.

I habitur shoh çfarë shohin të tjerët te ti:
njëri sheh flokët,
tjetri sytë,
dikush buzët,
secili magjepset me një pjesë të asaj fytyre,
të poshtrit shohin edhe më poshtë,
e psherëtijnë kur kalon pranë tyre.

Sorkadhe e trembur,
në malin urban ku bishat mprehin dhëmbët,
duan të të hanë pjesë-pjesë:
sytë, gojën, gjinjtë, belin, këmbët…
Unë që e di se ti je më shumë se trupi yt,
n’heshtje t’kërkoj ndjesë.

Të ndajnë në copa e thonë se je copë,
dikush ta do krejt trupin, nga këmbët deri në flokë.
Jo, nuk jam unë ai, kurrë s’do ta bëja atë mëkat,
unë që rri e shoh aurën që të shndrit mbi kokë.

ObserverKult