Për universin ai është një pikë, një asgjë.
Dhe universi është pak i ngushtë për të.
Ai zhvesh rrobat dhe i palos si zabuton,
ulet zazen mbi to, n’tunelin e tij udhëton:
A mund t’ushqehen me ajër mushkëritë e mia,
apo vetëm rrënjët e qiparizit mbi varr?
A mund të lahet dheu pa u kthyer në lloç,
apo uji përherë prej dheu ndotjen e ka marrë?
A mund të sillet toka pa bosht e pa forcë,
apo një levë mistike fsheh dorën si plumb?
A mund ta kthejë dija zjarrin në hi,
apo vetëm zjarri dijen e bën shkrumb?
Atëherë ia heq vetes mendjen sikur t’ish kapelë
Dhe e varë te trungu i parë në një degë të prerë.
Mandej shpirti e kap trupin dhe e hedhë në erë.
E zogu i Minervës klith e fluturon mbi humnerë.