reklamë

Rektorati i UP-së i kërkon të tërheqë deklaratat, reagon Ag Apolloni

Pas ligjëratës së mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në shënimin e 90-vjetorit të lindjes së akademik Rexhep Qosjes, shkrimtari Ag Apolloni ka publikuar një reagim publik pasi, sipas tij, nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës i është kërkuar të tërheqë një pjesë të deklarimeve të bëra në ligjëratën kushtuar akademik Rexhep Qosjes.

NJOFTIM PUBLIK

Unë, Ag Apolloni, që fola dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Rexhep Qosjes, duhet t’i tërheq të gjitha fjalët që kam thënë, sepse i është prishur qejfi rektorit të Universitetit të Prishtinës, naltmadhnisë së tij, z. Arben Hajrullahu. Kështu më urdhëroi sot Bekim Muhaxheri, “këshilltar për komunikim me publikun i rektorit, prof. Arben Hajrullahu”. Mos qeshni pse në fund e ka vënë pikë! Hiç më mirë nuk shkruan as rektori.

Natyrisht, unë nuk e tërheq fjalën, sepse ajo që kam thënë është e vërtetë, e nëse e vërteta e paska lënduar rektorin, aq më keq për rektorin. Të tjerët e kanë pranuar si Sulltan, por unë s’e kam në plan.

Ja letra e plotë e këshilltarit të tij:

“I nderuar profesor Apolloni,

Ju kërkoj që me njoftim publik ta tërhiqni një pjesë të fjalimit tuaj të mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani”, në nëntëdhjetëvjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja.

Në një kronikë të KTV-së, lidhur me ligjëratën tuaj „Fjalim për njeriun e fjalës”, të transmetuar në lajmet e mbrëmjes (nga minuta 30: 09 deri te minuta 30: 15), pretendohet se keni thënë që Universiteti i Prishtinës nuk ka dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes më 23 prill 2026. (KTV, Lajmet e Mbrëmjes, 25.06.2025 https://www.youtube.com/live/23rCVu29HAk?si=sCX3Yx79Ewizc49S) .

Edhe në lajmin për të njëjtën ngjarje të publikuar në portalin „Koha.net”, citoheni të keni thënë: „Krejt këto nuk mjaftuan që rektori aktual (Arben Hajrullahu v.j.), i cili deri më 2024 ishte pjesë e OJQ-së “Admovere”, të mbante një komemoracion, ose të bënte një postim në rrjete sociale, apo të shkruante së paku një telegram ngushëllimi për humbjen e kolegut, siç bëhet zakonisht”. (Koha.net, „Njeriu i fjalës që i trazoi të gjithë”, 25 qershor 2026, https://www.koha.net/…/rexhep-qosja-njeriu-i-fjales-qe…).

Nëse është kështu si e thonë kronika dhe lajmi, ky pretendim juaji z. Apolloni është krejtësisht i pavërtetë.

Universiteti i Prishtinës e ka pritur me dhimbje të thellë lajmin për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes dhe në ditën kur personaliteti i nderuar ndërroi jetë, e ka publikuar njoftimin ngushëllues drejtuar familjes së të ndjerit, personelit akademik, kolegëve, studentëve, miqve dhe të gjithë të pikëlluarve.

Prandaj, ju ftojmë, që nëse mediumi „Grupi Koha” nuk ka keqcituar fjalët tuaja, ta demantoni lajmin e rremë po në KTV dhe portalin Koha.net, në edicionin e njëjtë informativ dhe hapësirën informuese të këtij portali.

Universiteti i Prishtinës në vazhdimësi është cak i sulmeve nga lajme të tilla të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, por më së paku pritet që imazhi i tij të dëmtohet nga ata që punojnë në këtë institucion.

Me respekt,

Bekim Muhaxheri,

këshilltar për komunikim me publikun i rektorit, prof. Arben Hajrullahu.”

Pra, ky është kërcënimi që është shkruar dje, por ma dërgoi sot në orën 5:21 (pra, pas orarit të punës) nga Rektorati, përkatësisht nga emaili: bekim.muhaxheri@uni-pr.edu, ku janë bashkëngjitur edhe emailet: arben.hajrullahu@uni-pr.edu, zyraligjore@uni-pr.edu, dhe morea.salihu@uni-pr.edu.

Siç e patë, këshilltari thotë se kam gënjyer, sepse “Universiteti i Prishtinës (…) e ka publikuar njoftimin ngushëllues drejtuar familjes së të ndjerit, personelit akademik, kolegëve, studentëve, miqve dhe të gjithë të pikëlluarve”. A jeni, more, në vete? Për Rexhep Qosjen keni bërë (nëse keni bërë), “njoftim ngushëllues” ku s’e sheh kurrkush, kurse për lloj-lloj profesori e punonjësi të UP-së na dërgoni emaile ngushëllimi dhe organizoni komemoracione. Për Rexhep Qosjen, që është doktor i parë i shkencave filologjike në UP, për Rexhep Qosjen që është studiuesi më i madh i një periudhe letrare, kulturore dhe historike, për Rexhep Qosjen, autorin e romanit më të mirë e më të famshëm kosovar, për Rexhep Qosjen, intelektualin më të madh e më të guximshëm, ju mendoni se e keni kryer obligimin me një postim që s’e ka parë kush. Deri tash isha duke hulumtuar nëpër emaile, se mos ka kaluar në “spam” kjo dhimbja juaj e thellë për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes, por s’e gjeta.

Unë thashë “krejt këto (kontribute e merita) nuk mjaftuan që rektori aktual, i cili deri më 2024 ishte pjesë e OJQ-së Admovere, të mbante një komemoracion, ose të bënte një postim në rrjete sociale, apo të na shkruante së paku një telegram ngushëllimi për humbjen e kolegut, siç bëhet zakonisht”. Kjo “të na shkruante” domethënë “të na e dërgonte”, qysh veprohet zakonisht. Unë në fjalimin tim i shpreha ngushëllime edhe rektorit dhe kolegëve dhe miqve të tij nga OJQ-të: “nga thellësia e zemrës, u shpreh ngushëllime të gjithëve që e sulmuan dhe vazhdojnë ta sulmojnë Qosjen, sepse vërtet më dhimbsen që një jetë u përpoqën ta eliminojnë me shpifje, sulme mediatike dhe fizike, dhe ai prapëseprapë shkoi kur deshi vetë”.

Ti je rrenc, jo unë. Ku po do rrenë më të madhe sesa të më drejtohesh mua (nëpërmjet këshilltarit) me “I nderuar profesor”, kur nuk më kthen as përgjigje në email? Nëse më nderon vërtet, pse nuk më je përgjigjur në emailin e 24 prillit, kur të jam drejtuar nga Amerika, në formën amerikane (pa tituj): “Përshëndetje, Arben! Nuk pashë asnjë njoftim për ndonjë organizim komemorativ nga UP-ja, për Prof. Rexhep Qosjen. Desha ta di cilat janë arsyet e kësaj indiference. Të fala, Agu”. Më thua “I nderuar” dhe më nderon duke më shpërfillur? Ti?!

O rektor (nuk mund të të drejtohem me “I nderuar”, sepse i nderuar mbetet Rexhep Qosja, jo ti), tërhiqe kërcënimin, që në ‘subject’ e ke quajtur “Kërkesë për tërheqjen e pretendimit se Universiteti i Prishtinës nuk ngushëlloi për vdekjen e Rexhep Qosjes”, se unë jam letrar dhe i kuptoj më mirë se ti nuancat e fjalëve. Ajo s’është kërkesë, por kërcënim.

Fjalimi im nuk ishte shpifje, por mbrojtje e së vërtetës, e cila ty të dhemb fort, prandaj, jo vetëm që nuk organizove komemoracion për të, por nuk erdhe as në takimin nderues në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, edhe pse ftesën ta kam dërguar shqip dhe anglisht. Natyrisht që do të kishe ardhur dy orë përpara sikur ta dije që aty do të ishin edhe kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Arsimit, sepse, si shkrimtar që jam, karakteret si ti i njoh mirë, dhe i kam gjetur edhe në veprat e profesorit tim të nderuar, shkrimtarit Rexhep Qosja.

Mjerisht, ti je shefi i UP-së, unë jam vetëm një profesor. Nëse të pengon fytyra ime (ndoshta s’i plotëson kriteret e tua estetike), të hënën i dorëzoj çelësat në Rektorat. Por, nëse të pengojnë fjalët e mia të vërteta, bëhu ‘insan’, o Sulltan, dhe kërko falje! E mos m’i nxirr këshilltarët në ring, se nuk t’i bëj hesap.

Pa respekt,

Ag Apolloni

ObserverKult