Agim Baçi: A dimë ta lexojmë Pinokun?

Nga Agim Baçi

Hunda e rritur e Pinokut pas çdo gënjeshtre është vetëm njëri aspekt i librit të famshëm të shkrimtarit dhe filozofit italian Karlo Kolodi.

Në fakt, hunda e Pinokut është veç pjesa e dukshme për botën dhe për atë që bota i sheh dhe e komenton shpesh me nxitim, ndërkohë që arti i madh i Kolodit qëndron jo te hunda që rritet nga gënjeshtrat, por te rrugëtimi që i duhet Xhepetos për të rritur dhe edukuar Pinokun me dashurinë e madhe dhe guximin për t’ia dalë mbanë.

Pinoku vjen si një dëshirë e thellë e Xhepetos, ashtu siç vijnë përgjithësisht fëmijët në këtë botë, si një dëshirë dhe ëndërr e prindërve. Xhepetos i mjafton druri i gdhendur gjithë dashuri, ashtu siç në fakt duhet të gdhenden gjithë dashuritë. Ai është i mahnitur teksa sheh Pinokun të flasë.

Ai e ndjek kudo, jep gjithçka për të dhe e fal, siç bëjnë apo duhet të bëjnë në të vërtetë prindërit.

Por shumë nga ata që vijojnë t’ua lexojnë fëmijëve, vijojnë të vënë theksin te hunda e rritur e Pinokut pas gënjeshtrave, duke harruar se ç’duhet t’u thonë fëmijëve për kurthet e pafundme që u dalin përpara lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, me lojën e përhershme të jetës dhe me dëshirën për t’u bërë i pasur apo i famshëm me çdo kusht.

Dhe shumica e prindërve habiten se si fëmija i tyre nuk arriti t’i përballonte këto kurthe joshjeje, që sot çdo fëmije i  vijnë çdo ditë përpara syve në formë spektakli, fame apo dëshire për t’u bërë i pasur apo i famshëm, në një kohë sa më të shpejtë.

Madje, edhe më keq janë ato raste kur mjaft prindër shihen duke i mbështetur në këtë dëshirë spektaklesh dhe fame fëmijët e tyre, pa u kujdesur aspak se në këtë udhëtim është e rëndësishme të kalosh mes disa vlerave njerëzore, e sidomos për të kuptuar veten dhe tjetrin përballë teje…

ObserverKult


Agim Baçi
Agim Baçi

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: ÇFARË T’U THEMI FËMIJËVE SOT?

Nga: Agim Baçi


Çfarë duhet të bëjmë me fëmijët tanë nëse familja dhe shkolla nuk duket se janë më tërheqëse për atë që u themi sot? Çfarë duhet të bëjmë kur shumë mësues nuk dinë më se çfarë të bëjnë me nxënësit lidhur me shpjegimin e asaj çfarë është më e rëndësishme në jetë dhe kur shumë familje janë në alarm për rezultatet e prindërimit dhe për vështirësinë që hasin kur duan të shpjegojnë çfarë është “e mirë” – “e keqe”, apo “e lejuar” – “e palejuar”?

A po mendojmë ne se si të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit, një treg që plak gjithçka brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar një botë të pafundme ankthi te ata që i besojnë vetëm këtij tregu?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult