Agim Spahiu: E dashura ime i harroi fjalët…

Agim Spahiu

Poezi nga Agim Spahiu

E dashura ime i harroi fjalët
si të mos ishin kurrë…

U dashurua me heshtjen.

Një mollë e kuqe – gjak si faqja jote
midis shpatullave më ra, –
asnjë plumb s’ka me m’dhimbtë më shumë
në vdeksha pa të parë…

Sa herë mollët të piqen si kësaj dite
hidhi kokrrat udhës nga shkova,
dhe unë do të ndiej dhimbje ku shitove,
e miro.

Në u martofsh, mollë mos pastë kund në botë!…

Ti me lot do t’i qash sa herë t’i shikosh,
unë dhimbje do ndiej sa herë ti prek, pse ta fsheh

Dhe në diell të dytë s’të harroj, e miro!

—————————–

LEXO EDHE: AGIM SPAHIU: PRANË NJËRI-TJETRIT, MBI KREVATIN E VJETËR…

Poezi nga Agim Spahiu

S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje
atë natë të errët martesore
dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e një xixëllonje…

Pranë njëri-tjetrit, mbi krevatin e vjetër dhe larg,
(Sa larg!)
Përballë nesh jona ish edhe një arkëz e vogël
me copëza fashete për mentesha.
E gjora! Sikur vinte nga lufta!
Në luftë të re hynte-prapavijë besnike –
ku ruhej buka.

As fjalë s’kishim. Jona ish edhe heshtja:
një heshtje e gjatë dhe e egër na errte e na errte.
Dhe zor ta hiqnim qafe asaj nate
të mos vinte xixëllonja,
që digjej e digjej për ne të dy,
në buzët e tua, në sytë e mi.

Ishim kaq të lodhur, kaq të shqetësuar…
E s’e trazuam.
E s’u gëzuam.
S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje
atë natë të errët martesore.
Dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e asaj xixëllonje…