Agim Vinca: Artisti i mansardës parisiene

(Lutje për Omer Kaleshin, 1932-2022)

Një kujtim personal

Piktorin Omer Kaleshi kam pasur rastin ta takoj në kohën kur në Kosovë as që kishte dëgjuar kush për të. Gjatë një qëndrimi në Paris, në vitin 1977, pata njohur dy vëllezër nga Kërçova, punëtorë, njëri prej të cilëve ishte dhëndër Struge. 

Një pasdite, ditë pushimi, derisa po pija kafe me vëllezërit kërçovarë, vëllai i madh, që ishte më i gjallë e më llafazan, befas më bëri një propozim:

-Ke dëshirë të shkojmë ke zotni Omeri?

-Zotni Omeri?! Kush është ky? – pyeta unë.

-Është i vëllai i Hasan Kaleshit – shtuan njëzërit, të bindur se atë do të duhej ta njihja, meqenëse vija nga Prishtina, ku ai kishte qenë profesor universiteti deri një vit më parë, kur kishte ndërruar jetë dhe ishte varrosur në Beograd.

-Ashtu? – përdora unë fjalën time të preferuar.- Po me se merret ai?

-Vizaton – më thanë, duket për shkak të mosnjohjes së fjalës përkatëse vëllezërit kërçovarë.

-Aha, piktor! – ndërhyra unë, kurse ata vazhduan pa ia vënë veshin fjalës që shqiptova.

-… Jeton këtu. Krejt vetëm. Në bulevar Arago e ka banesën, në katin e shtatë. Gjithçka e ka bërë me dorën e vet… Edhe banjën.

Nuk po e merrja vesh tamam, a mburreshin me “zotni Omerin”, ngaqë e kishin bashkëvendës apo e konsideronin si një lloj atraksioni me mënyrën e jetesës njeriun e heshtur që jetonte vetëm i rrethuar me ato kokat e tij misterioze.

Por, kureshtar që të njihja një krijues shqiptar që jeton e krijon në Paris, e pranova me dëshirë propozimin që m’u bë.

– Po – u thashë. – Dëshiroj të shkojmë.

Dhe shkuam po atë ditë, buzë mbrëmjes, kur rrugët e Parisit shkëlqejnë nga dritat shumëngjyrëshe të reklamave e makinave dhe gjallërohen nga ecejaket e njerëzve, që hyjnë e dalin lokaleve ose nguten të shkojnë në takime.

U ngjitëm në katin e shtatë, më të lartin, të një godine të vjetër në bulevardin Arago, ku na priti artisti i vetmuar, me flokë të bardha e mustaqe të mëdha, në banesën e tij-atelie, me dy nivele: poshtë dhoma e ndenjjes dhe e punës, rrethuar me punime në të katër anët, lart banja me dërrasa, të cilën, si më patën paralajmëruar dy vëllezërit, nikoqiri e kishte bërë me dorën e vet.

Nuk më kujtohet se ç’biseduam me Omer Kaleshin sa ndenjëm në banesën e tij. Më shumë se biseda me të m’u ngulit në kujtesë mjedisi tek qëndruam dhe figura e tij: koka, sytë, flokët, zëri, qëndrimi… Jeta e tij prej murgu në dobi të artit, në qytetin që tërheq si magnet artistët, në Paris. Qetësia dhe heshtja e tij gjithashtu.

“Zotni Omeri” fliste me vështirësi shqip, duke përdorur herë-herë fjalë e shprehje frëngjisht. Turqishten e fliste me siguri më mirë, sepse nga viti 1956, kur kishte qenë njëzet e katër vjeç,  e derisa kishte ardhur në Paris, në vitin 1965, kishte jetuar në Turqi, por turqisht nuk dinim ne vizitorët e tij.

Kanë kaluar plot tridhjetë e pesë vjet nga ajo kohë, por takimin me Omer Kaleshin ende e ruaj të freskët në kujtesë.

Identiteti i shprishur

Kaluan shumë vjet dhe nuk dëgjova gjë më për Omer Kaleshin. Në atë kohë në Prishtinë flitej e shkruhej me të madhe për piktorin Daut Berisha dhe kitaristin Ehat Musa, që jetonin e punonin që të dy në Paris; për Gjelosh Gjokajn, që jetonte e krijonte në Itali dhe, madje, edhe për një piktor me emrin Al Podrima, që kishte pothuajse të njëjtin emër me poetin Ali Podrimja, por për Omer Kaleshin askush s’e thoshte asnjë fjalë.  

Plot njëzet vjet, në mos më shumë, askush nuk foli për Omer Kaleshin në Prishtinë. (Kolegët e tij piktorë, për çudi, heshtën edhe tani).

Erdhën vitet tetëdhjetë me dramën e ’81-shit, me arrestimet, gjyqet, diferencimin, pastaj vitet nëntëdhjetë, me dhunën e poshtërimin, por edhe me luftën e çlirimin, por për Omer Kaleshin nuk fliste kush. As ai vetë, i heshtur siç e kishte falur nëna natyrë, nuk bënte zë. Vazhdonte të merrej me kokat e tij në heshtje, duke tërhequr vëmendjen e kuratorëve të galerive dhe të kritikëve të artit.

Kodra në Itali bënte grafika me motive nga Kosova, kurse Kaleshi nuk bënte as më të voglën përpjekje për të dalë nga lëvozhga e qetësisë së tij. Asnjë fjalë për sa ndodhte në vendin e tij të origjinës, as edhe ndonjë skicë si ato të kolegut të tij të Milanos, që kërkonte paqe në Kosovë, veç koka burrash, grash e fëmijësh sa të ngjashme aq edhe të ndryshme.

Kështu deri në vitin 1999, kur ndodhi kthesa e madhe.

Në këtë vit, pak pas mbarimit të luftës në Kosovë, Kadareja botoi librin Ra ky mort e u pamë, që është ditari i tij për Kosovën. Në ditarin e Kadaresë, ndër të tjera, lexojmë:”Piktori shqiptaro-turko-maqedonas Omer Kaleshi, do të hapë së shpejti një ekspozitë të re në Paris dhe në Stamboll. I kam premtuar t’i shkruaj një hyrje për botimin e albumit të tij”.

“Ka bërë emër në Paris, vazhdon Kadareja, me kokat e tij: koka barinjsh e dervishësh, një përzierje e njerëzve të Ballkanit dhe të Anadollit; me ca sy që duket sikur vështrojnë jo jashtë, por brenda vetes”.

Po atë vit, Kadareja shkroi esenë Arti si mëkat, në të cilin e vlerëson artin e Kaleshit, por nuk e fsheh as paradoksin e përkatësisë së tij “turko-shqiptaro-maqedonase”. Për Kadarenë Kaleshi është “piktor turk”, përkatësisht “turko-ballkanas”.

Emri i këtij piktori shfaqet në dy trajta: në trajtën shqipe Omer Kaleshi dhe në atë turke Őmer Kaleş? Kurdo që flitet për të në gjuhët e tjera, përveçse në shqip, përdoret kjo e dyta. Nuk është hera e parë që njerëz të lindur në trevat shqiptare tjetërsohen nga identiteti i vet etnik, për shkak të rrethanave jetësore apo edhe të përcaktimit të tyre vetjak.

Piktura si art, ndryshe nga letërsia, nuk ka nevojë për përkthim. Gjuha e saj është universale. Kështu që Omer Kaleshi mundi të komunikonte drejtpërsëdrejti me adhuruesit e artit në vende të ndryshme të botës: në Ballkan, Evropë e gjetkë.

Duart e Dinos dhe kokat e Kaleshit

Kur erdhi në Paris në vitin 1965, 33 vjeç, Omeri trokiti në portën e një artisti shumë të njohur në këtë mjedis, të piktorit me origjinë shqiptare Abedin Dino.

Piktori i salloneve të Parisit, aristokrati Abedin Dino (1913-1994), nip i Abedin pashë Dinos së famshëm, ia zgjati dorën Omer Kaleshit në vitet e para të qëndrimit të tij në Paris, në kohën kur ai punonte si pastrues xhamash. Piktori Dino kishte në fokus të punimeve të tij duart, por edhe lulet, veçanërisht tulipanët. Pikaso i kishte thënë atij në një rast: “Abedin, ti i vizaton duart më mirë se unë”, kurse kritika e kishte quajtur krijimtarinë e tij: “himn duarve njerëzore”. Kaleshi, mbase nën ndikimin e tij, zgjodhi kokën (kokat). Siç thekson vetë në një intervistë, ai si piktor zgjodhi të merrej me kokat e njerëzve, sepse ato i kishin ngelur në kujtesë që nga fëmijëria. “Ikëm se do të kishte luftë, shumica u fshehën dhe unë shihja vetëm kokat e tyre. Tridhjetë vjet më vonë ato koka erdhën në pikturë nëpërmjet kujtesës”. Arti është rizbulim i fëmijërisë.

Duart dhe kokat njerëzore janë shumë shprehëse nga pikëpamja figurative dhe ngërthejnë në vete një simbolikë të fuqishme.

Kaleshi nuk është i vetmi artist që ka si “specialitet” kokën (kokat). Është i njohur shembulli i piktorit anglez Frensis Bekon (Francis Bacon, 1909-1992), i cili mendonte se dhuna dhe mizoritë e jetës njerëzore mund të shprehen më së miri nëpërmjet trupit dhe kokës së njeriut. Në portretet e tij me koka, rëndom të deformuara, përfshirë edhe autoportretin e tij, bien në sy sidomos sytë. Citohet shpesh thënia e tij, që në fakt është interpretim i një vargu të Eskilit se: “aroma e gjakut njerëzor nuk më hiqet nga sytë”.

Kokën e ka në fokus të krijimtarisë së tij edhe grafisti hungarez me renome botërore, Janosh Kash (János Kass, 1927-2010), veçse për nga stili ndryshon prej Kaleshit. Kokës në hungarisht i thonë “fejek”. “Fejek, fejek, fejek: emberfejek” (Koka, koka, koka: koka njerëzore). Në një poezi të tij, poeti Ferenc Juhas, duke iu referuar grafikave të bashkëkombësit të vet, shkruan:

“Koka, koka, koka: koka njerëzore; të menduara, të magjepsura, të plasaritura, të thyera, të përgjakura, të mrekullueshme! Koka: o bartëse të dijes, të bukurisë, të dhembjes dhe të vdekjes, krijesa të çuditshme e magjike, peharë të shenjtë eshtërorë vuajtjesh, tmerresh, disfatash, marrëzish dhe urtësish: koka, buzëkyçura si pllaka metalike me çelës; me ballëra si numra letërnjoftimesh; koka: të hapura për dashuri, gota të mbushura me gëzim jetësor; koka me mundimet dhe mendimet e një Janosh Kashi”.

Koka gojëkyçura, me hundë, ballë e sy (pa trup e vesh), që rrezatojnë dhembje, mall, trishtim… Variacione kokash. Ngjyrë e tij e preferuar është e kuqja, ngjyra e gjakut. Kuq si Goya! Por arti i Kaleshit është autokton, sepse ai niset nga kujtesa e tij, nga mbresat e pashlyeshme të fëmijërisë.

Jacques Laccarrière, Alain Bosquet, Ismail Kadare, Kaya Özsezgin, Jordan Plevnesh, Luan Rama kanë folur për këtë art, secili në mënyrën e vet. Këta e të tjerë kanë shkruar fjalë hyrëse në albume, ekspozita e galeri, por edhe vështrime më të gjera, trajtesa e monografi.

Kontaktet e Omer Kaleshit me vendin e të parëve janë specifike: nga heshtje e moskomunikim dikur (para viteve dy mijë), në interesim të shtuar për të dhe artin e tij në dy dekadat e fundit të jetës së tij, kur atij iu bënë nderime të shumta në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni (medalje presidenciale, qytetar nderi, anëtar bordesh, pritje zyrtare, intervista në media e shumëçka tjetër, gati deri në tepri).

Fundi i një shtegtimi shekullor

Itinerari jetësor i Omer Kaleshit është tipik për njerëzit e Ballkanit. Fjala e urtë: ”Guri rëndon në vend të vet” ka lindur në Ballkan, por askush më shumë se ballkanasit nuk bredh nëpër botë. Nga vendlindja e tij, fshati Sërbicë i Kërçovës, shkoi në Shkup, ku kreu shkollën e mesme (1947), punoi pak kohë aty, pastaj u shpërngul në Turqi me familje (1956). Pasi kreu Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, erdhi në Paris, ku mbeti deri në fund të jetës. Opusi i tij i gjerë krijues përbëhet kryesisht nga portreti si lloj i artit pamor. Barinjtë e vendlindjes dhe dervishët e Anadollit, me vallet, ritualet dhe filozofinë e tyre, do të jenë burim i pashtershëm frymëzimi për të. (Në një dokumentar që ndjek shtegtimin e tij jetësor, vepër e një studioje nga Shkupi, Omer Kaleshi flet shqip, maqedonisht, turqisht dhe, natyrisht, edhe frëngjisht, sepse i tillë, kozmopolit e multikulturor, ishte profili i tij krijues dhe njerëzor).

Kohë më parë në median shqiptare u dha lajmi se piktori Omer Kaleshi u largua nga Parisi dhe u rikthye në Stamboll, tani përgjithmonë, për t’u prehur pranë atyre që e sollën në jetë, prindërve të vet, ai që vetë kurrë s’u bë prind, sepse jetën ia kushtoi artit. Në pleqëri të thellë, i vetëdijshëm për vdekjen e pashmangshme, piktori tashmë i ndjerë thoshte: “Unë nuk kam fëmijë, por veprat e mia do t’ua lë trashëgim shqiptarëve të mi”.

Ashtu qoftë!

Amin!

ObserverKult

Lexo edhe:


AGIM VINCA: PORTRETI I NOLIT NË VARGJET E NJË POETI