Janis Ricos: Ajo askënd nuk dashuroi…

shpirt grua vuajtja du atë

Poezi nga Janis Ricos

Një erë e lehtë i frynte përbrënda
Dhe lozte me një gjethe vetëm buzëqeshja e saj.
Të gjithë i dashuruan buzëqeshjen.
Ajo askënd nuk dashuroi.
Mbeti vetëm me rerën e saj të pa dukshme
Duke humbur edhe atë gjethe të vetme. “Pafundësia, tha
Është muri i katërt i vetmisë sonë, jo streha”.

Mbeti e pa martuar, u plak, nuk u bë as shtatore.
Skolastike në pastërti, qysh në agim
Dimër – verë, fshinte gjer tutje në rrugicë.
Mandje një ditë u fotografua atje me fshesën e vet
Në rrugë diku, para një dere të huaj. Dhe ajo foto
Mbeti gjithë – gjithë nga ajo erë dhe buzëqeshja e saj.

Në shqip: Pilo Zyba

——————————————————–

LEXO EDHE: JANIS RICOS: KUR TI MUNGON, NUK DI KU JAM…

Kur ti mungon, nuk di ku jam. Shtëpia boshatiset.
Perdet valëviten jashtë dritareve. Çelësa mbi tavolinë.
Përtokë,valixhe hapur nga udhëtime të shkuara,
me kostumet e çuditshme
të një trupe teatrore, që dikur triumfonte, por më pas u shpërbë;
protagonistja e bukur vrau veten një natë mbi skenë.

Kur ti mungon,
ushtarë rendin nëpër rrugë; gra ulërasin;
oshëtijnë artileritë e rënda; uturijnë sirenat;
kalojnë ambulancat, ndalojnë; infermierët veshur me të bardha
mbledhin të plagosurit nga asfalti, më marrin edhe mua,
më transportojnë drejt një spitali të bardhë borë, pa krevate;
mbyll sytë si fëmijë i rrethuar nga një e bardhë e rrezikshme.

Një infermiere
është ende në kopsht, përbri shatërvanit; përkulet të mbledhë
ca lule të bardha që rrëzoi era nga pemët e akacieve. Dhe ja,
hapet dera;
hyn ti me një shportë;-ndihet era e dardhëve të pjekura.
Po fle? –thotë zëri yt. Po fle vetëm? Nuk po më pret?
Hap sytë. Dhe ja ku është shtëpia. Dhe ja ku jam. Edhe dy
kolltukët.
Kolltukë të kuq. Dhe shkrepëset mbi tavolinë.
O dritë e bardhë; o gjak i kuq, o dashuri, dashuri.

Athinë, 16.II.81

Përktheu: Eleana Zhako