Agim Vinca: Lutje për Nënë Terezën

Agim vinca kur jam me ty

(Antidot për demagogë)

Kot shkruan e flet për Nënë Terezën
nëse në shpirt s’ke asgjë nga shpirti i saj;
nga dashuria, mëshira, përdëllimi e dhimbja –
Prizreni, Shkupi, Kalkuta, Parisi e Roma…

Kot shkruan e flet për Nënë Terezën
për atë grua trupvogël e shpirtmadhe;
nëse dashuria për jetën e njerëzit
s’të çel në shpirt si gonxhe.

Kot shkruan e flet për Nënë Terezën
nëse në frymën tënde s’ke asgjë nga frymë e saj;
kot çirresh për të në letër, në ekran, në eter
kur të varfërin e të humburin s’e qas në derë.

Kot shkon në kishë, në xhami, në sinagogë
kur helm e vrer tajon në trup, në sy, në gojë…
Kot shullëhesh në sheshin e Shën Pjetrit në Romë,
ku Papa Gjon Pali i Dytë lumnon të lumen nënë.

Kot ngre zërin në kupë të qiellit për të,
kur Judën e ke shok e me Jagon fle;
kot lutesh e falesh ag e terr për Nënën Tereze
kur në zemër ke aq pak dritë e diell e rreze.

Kot shkruan e flet për Nënë Terezën
nëse në shpirt s’ke asgjë nga shpirti i saj;
nga dashuria, dhimbja, mëshira e përdëllimi –
Prizreni, Shkupi, Kalkuta, Londra… e tërë rruzullimi!