Agim Vinca: Tempulli i Talias dhe apoteoza e shembjes

Fragment nga libri më i ri i Agim Vincës “Ditari i pandemisë”

TEMPULLI I TALIAS DHE APOTEOZA E SHEMBJES

E diel, 17 maj 2020

Zgjohem me lajmin për prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Shembja e godinës ka filluar në orën katër e gjysmë të mëngjesit. Përplasje mes policisë dhe protestuesve. Fadromat vazhdojnë punën për shembjen e plotë.

Godina që u shemb sot është ndërtuar para tetëdhjetë vjetësh. Është ndërtuar nga italianët në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë si një dopo lavoro, si quheshin objektet e tilla që ngriheshin për qëllime zbavitëse në kohën e Musolinit.

Ekspertët vlerësonin se kjo godinë ishte amortizuar aq shumë sa paraqiste rrezik për jetën e aktorëve, edhe pse, për çudi, ajo i rezistoi tërmetit që goditi Shqipërinë në fund të vitit të kaluar. Madje jo vetëm të parit, por edhe të dytit.

Dy vjet e gjysmë zgjati kontesti rreth këtij objekti. Komuniteti i artistëve dhe i gjithë opinioni publik u nda në dy pjesë, në ata që ishin pro shembjes së tij dhe në ata që ishin kundër.

Po mjaftohem me opinionet e tre-katër personaliteteve të jetës kulturore dhe artistike të Shqipërisë,  punën dhe mendimin e të cilëve e njoh dhe e çmoj.  

Sociologu Fatos Tarifa i quan “folklorikë” kundërshtarët e prishjes së ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar dhe të ndërtimit të së resë në vend të saj, duke marrë si shembull prishjen e një teatri në Holandë (Teatrit të Baletit në Hagë) dhe ndërtimin e godinës së re në vend të tij. Publicisti Mustafa Nano është edhe më i drejtpërdrejtë: “Duam një teatër të ri, modern, siç e kanë të gjitha kryeqytetet e Evropës”, por me një kusht: që prishja e të vjetrit të mos shfrytëzohet nga pushtetarët e Tiranës për praktika abuzive me “oligarkët”.

Ndërkaq, një nga primadonat e teatrit shqiptar, aktorja Roza Anagnosti, me butësinë që e karakterizon, thekson: “Duhet të ruhet, të rinovohet. Është memorie. Aty janë shpirtrat e artistëve…”. Gjuhëtari Ardian Vehbiu mendon se godina e Teatrit Kombëtar është dashur të restaurohet, nga e para, si thotë, “pa i prekur asgjë formës së saj, strukturës, konfigurimit, manipulimit që ajo i bën hapësirës dhe raporteve që ka vendosur me publikun në kohë dhe me qytetin, qendrën e Tiranës”. (Peizazhe të fjalës, 14 maj 2020).

U debatua gjatë për idenë e ndërtimit të një teatri të ri, në të njëjtin vend. U bënë shumë mbledhje, takime, diskutime ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore (Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës), në njërën anë dhe një pjese të komunitetit artistik dhe opozitës, në anën tjetër. Debati zgjati plot dy vjet e gjysmë, me përplasje kur më të vogla e kur më të mëdha. U hoq dorë nga i ashtuquajturi “partneritet publiko-privat”, që linte shteg për dyshime dhe u vendos që teatri i ri të ndërtohet me mjetet e shtetit. Por as me këtë variant nuk u ra dakord. Ndonjë nga aktorët e famshëm si Robert Ndrenika, që në fillim ishte kategorikisht kundër, më vonë ndërroi mendje: u bind nga argumentet ose “u ble”, siç thonë/ e akuzojnë gojëkëqijtë.

Në çastet e fundit u bë kalimi në pronësi i truallit të teatrit Bashkisë së Tiranës, kurse Këshilli Bashkiak, në një mbledhje online, solli “Projektligjin për ndërtimin e teatrit të ri”, çka nënkupton vetvetiu prishjen e të vjetrit.

Dhe ndodhi ajo që ndodhi: shembja e godinës. Para se të fillonte shembja, policia nxori nga ndërtesa njerëzit e ngujuar në të, aktorë e të tjerë (rreth 30 veta, si u tha), ata që e quajnë veten “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”. Drejtuesi i këtij grupi, aktori dhe regjisori Edmond Budina, në fjalën e tij para protestuesve fton presidentin e vendit që ta shpërndajë parlamentin, ndërsa qytetarët që t’u bashkohen protestave të “Aleancës për Teatrin”, e cila, nga sot, do të quhet (propozim tepër pretencioz): “Aleanca për Shqipërinë”!

Aktori Neritan Liçaj, njëri nga “heronjtë” e protestës, i sapokthyer nga komisariati i policisë, nuk është në gjendje të flasë. Nuk besoj se aktron. Është me pantallona të shkurtra dhe në këmbë i shihen disa të gërvishtura (plagë të lehta).

Numri i protestuesve nuk është i madh. Dëgjohen thirrjet: “Poshtë diktatura!”. Dhe të tjera, akoma më irracionale, si: “Tërhiqini zvarrë!”.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, fton për mosbindje civile dhe thotë se do t’i qërojë fizikisht hesapet me Edi Ramën, por kësaj here jo me çizme, me dhëmbë! (“Unë do ja ha veshin Edi Ramës!”).

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duke iu përgjigjur vërejtjes së gazetarëve se protestat në kohë pandemie rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, shqipton fjalët: “S’ka armik më të keq se Ramavirusi!”.

Dikush bën një batutë me rimë: “Teatrin s’mund ta dojë Monika më shumë se Robert Ndrenika!” (Edhe emri i autorit përfundon me “ik”: Kreshnik).

Kryeministri Edi Rama injoron Bashën dhe i përgjigjet Budinës, të cilin e quan “njeri të mirë”, por “aktor dytësor”:  “Më quani djall, veç mos u bëni me ata që s’kanë ngulur asnjë gozhdë për kulturën”.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, dukshëm i tronditur (përshtypja ime), thotë: “Ky është vendimi më i vështirë që kam marrë në jetë”. Dhe, pasi tregon historinë e kontestit rreth teatrit, fton për qetësimin e gjakrave. “Mos lejoni që shembja e teatrit të shfrytëzohet nga ata që mendojnë për votat kur fusin në sherr shqiptarët. Dhe pastaj shkojnë në makinat e tyre luksoze, në vilat e tyre dhe ne vazhdojmë të theremi dhe shajmë njëri-tjetrin”.

Për prishjen e Teatrit Kombëtar reagon edhe Bashkimi Evropian (zyra në Tiranë): “Na vjen keq që nuk u gjet zgjidhje nëpërmjet dialogut”.

Federata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Europa Nostra e quajti ditën e sotme: “Ditë e trishtë për trashëgiminë kulturore dhe demokracinë”.

Teatrot e Kosovës anulojnë shfaqjet në shenjë solidariteti me kolegët e tyre të Tiranës. Në Prishtinë, para ndërtesës së Teatrit të Kosovës, një grup artistësh protestojnë me pankarta në të cilat shkruan:  “I keni shembur muret, por jo teatrin”.

Dhe ashtu është. Nuk është shembur teatri si institucion, aq më pak si kujtesë dhe emocion. Janë shembur muret e ndërtesës së ngritur 80 vjet më parë, që ka shërbyer fillimisht si kinema (dhe si sallë gjyqi menjëherë pas luftës) dhe pastaj si teatër gjatë tërë kohës.

Kam parë disa shfaqje në sallën e këtij teatri, ndër të cilat edhe Arturo Uin e Brehtit në regji të Piro Manit dhe Vdekja dhe virgjëresha të shkrimtarit latino-amerikan (argjentino-kilian) Ariel Dorfman, me Agim Qirjaqin në rolin kryesor. (Në një version tjetër, më të vonë, këtë rol do ta luajë Neritan Liçaj). Që të dyja flasin, secila në mënyrën e vet, për diktaturën dhe diktatorët, por edhe për qëndresën përballë dhunës. Të parën kam pasur fatin ta shoh në vitet ’70, kurse të dytën, rreth njëzet vjet më vonë, në vitet ’90, por që të dyja mbeten për mua të paharruara. I kujtoj si t’i kisha parë dje!

Si për rrallë ndonjë çështje tjetër, nuk kam mendim të prerë rreth çështjes së teatrit. Kur i dëgjoj ata që janë (që ishin) pro prishjes së godinës së vjetër dhe për ndërtimin e teatrit të ri në vend të saj, më duket sikur ata kanë të drejtë, por kur e dëgjoj palën tjetër, natyrisht jo profiterët dhe manipuluesit, por dashamirët e vërtetë të ruajtjes së traditës, u jap të drejtë këtyre.

Nuk marr vesh nga arkitektura, por, si nostalgjik që jam, ndërtesa më dukej e bukur, me ngjyrat e ngrohta të mureve dhe ato shkronjat vertikale në hyrje: Teatri Kombëtar. Dhe, si njeri që, si thashë, kam parë edhe vetë shfaqje në sallën e këtij teatri, më erdhi keq sinqerisht kur e pashë si ra, gati si për prishjen e shtëpisë prindërore në vendlindje nga im vëlla, që ndërtoi shtëpi të re në vend të së vjetrës. (Po të ishte për mua do ta ruaja shtëpinë e vjetër me qerpiçë, ku kam lindur e jam rritur, por im vëlla, im nip, nusja e tij dhe fëmijët e tyre, dëshironin, me të drejtë, një shtëpi të re e moderne).

Mbeta gjithë ditën duke ndjekur lajmet. Dhe reagimet që vijnë nga të gjitha anët. Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë në orët e hershme të ditës së sotme, është akti i fundit i një drame më se dyvjeçare. Në teatër zakonisht në aktin e fundit vjen shthurja e konfliktit.

Urojmë që drama të mos shndërrohet në tragjedi! Urojmë dhe lutemi për ty, Shqipëri!/ ObserverKult