Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri i cili ka lindur më 13 tetor 1931 në Devoll dhe është ndarë nga jeta më 3 shkurt 2017
Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, dhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.
Ai la pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Dritëroi u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Në prozën e tij Dritëroi solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Në vazhdim ObserverKult ua sjellë disa thënie të zgjedhura nga Dritëro Agolli:
“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet.”
“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë.”
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin.”
“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti.”
“U zumë të dy aq shumë për punën/ Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!/ Eh, budalla!/ Edhe dhëmbët zihen me gjuhën/ Zihen dhe bashkë rrinë.”
“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit.”
“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti.”
E përgatiti: A. S.- ObserverKult
——————————————————————-
Lexo edhe:
ENVER HOXHA SI SHOKU ZYLO? VAJZA E DRITËRO AGOLLIT ZBULOI SKICËN E TË ATIT (FOTO)