Koha e mahnisë mbaroi…
dhe flaka që digjet, nuk djeg.
Ashtu dhe fjala prej shapit të shpirtit –
flegrin e digjet, po askënd nuk prek.
Metaforat në trumba i pushtuan degët;
Ato mes flakësh shkërbejnë mëllenja.
Afrohu dhe preki: ato janë të gjalla,
të gatshme të zbrazin qindra rrëfenja.
Koha e mahnisë mbaroi.
Ç’ka ndodhur me ty, Moisi?
Mos zëri i Hyjit s’të hyn më në punë?
Shpërfillja avitet. Imzot, ku je Ti?
Mes zërave të turmës? Zëri në tribunë?
Jehonë liderësh që sheshi përsëdyt?
Zëri në ëndërr që zgjon në mesnatë?
Je zëri që cyt a zëri që mbyt
vullnetet e tredhura në negociatë?
Rrotullohen stinët – lampadarë ciklikë…
Dhe koha hedh valle me diej e hëna.
Të tëra janë thënë. Nuk ka pos muzikë:
tatuazh pikëllimi, të vërteta të ngrëna.
Ku ma gjen shkretëtirën…! Oaze të rinj
vërvisin ventuzat nga skaji në skaj.
“Një rrjet na bashkon”.
Është rrjeti malinj…
S’ia vlen më të ngjitesh prapë në Sinai.
ObserverKult
Lexo edhe:
AGRON TUFA: Ç’TË BËJ, SI TA MBROJ KËTË SHPIRT
Poezi nga Agron Tufa: Shpirti
Ç’të bëj, si ta mbroj këtë shpirt
të ngrënë nga përdorimi?
Ky kurm që e barti çdo ditë-
bregore e lartë pikëllimi.
Sa trupa, sa trajta braktisi
ky shpirt i pangushëllim?
Mos ndoshta Udhën që nisi
e ngryska në kurmin tim?
Dua t’ia di gjitha Udhët,
bujtinat, sfilitë ndër shtresa!
Ç’më solli nga kohë e mugët
dhe cilat reminishenca?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult