Agron Tufa: Stancë e vjetër për dashninë e re

-Elvanës-

Kur të biem në fashë, tembrama, pa bzâ,
Ti do t’jesh bâ Lumë, unë do t’jem bâ Tra
Dhe memzi do mundesh, me buzë duke prekë,
Në drithma e ashkla ta ndash trupin tim…
Po ti nuk do derdhesh askund, asnjë grimë,
Dhe unë s’do lakmoj as të gjallë, as të vdekur.

Pa do na pagëzojnë… Kurse ti pa prâ
Në rrjedhë… Do jesh Lumi që bart atë Tra:
Njëheri premtuar në pesë oqeane –
Bajrak do të jem për fiset e atjeshme,
Dhe në s’u gjetshin emra të hareshëm,
Ndofta do mund të të quaj Anna.

Si të marra hua – vitet që nuk kthehen,
Nga dimri në dimër në fat rrëkëllehen.
E lehtë dhe e gjatë rruga jonë e filluar,
Ashtu si çdo mjet që qëllimin përhumb
Do të na duket sinori në fund
Kinse veç gjysmën kemi përshkuar.

Do jem lakuriq, do jesh ti cullake,
Të dy duke ndërruar lugina e shpate
Nën ligjet e rrjedhës do lëmë pa u mërzitë,
Atë vis, ku nuk patëm armiq asnjëherë,
Dhe duar të forta brigjesh të tjerë –
Do puqen në shtratin e tharë një ditë.