Agron Tufës i ndahet çmimi “Nxitësi i debatit” për zbardhjen e krimeve komuniste

 Shkrimtarit Agron Tufa, i cili bashkë me familje kërkoi azil politik në Zvicër për shkak të kërcënimeve, i është ndarë të martën mbrëma çmimi i përvitshëm “Nxitësi i debatit”, nga organizata joqeveritare INPO, në ambientet e Galerisë së Arteve në Ferizaj, për rolin e tij si tashmë ish-drejtues i Institut të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri.

Në arsyetimin për çmimin, në emër të Bordit të INPO-s, publicisti e shkrimtari Afrim Demiri ka thënë se Tufa – i cili nuk ka qenë i pranishëm në ceremoni pasi po pret përgjigjen e autoriteteve zvicerane për azilin – është nderuar për qëndrimin dinjitoz dhe hulumtues për të hedhur dritë mbi të kaluarën jo fort të largët të Shqipërisë me diktaturën më të ashpër komuniste në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.

“Duke e parë përballjen e tij nëpërmjet një debati të argumentuar me autoritetet ish-komuniste, që sot si ushujza kanë uzurpuar institucionet demokratike, kemi mësuar se sa demokracia e shoqërisë shqiptare është zënë peng në rrugën e saj të transicionit, pikërisht këto forca të cilat nuk i vret ndërgjegjja”, ka lexuar Demiri pjesë të arsyetimit të çmimit tradicional.

“Nxitësi i debatit” u ndahet individëve ose grupeve që me punën dhe angazhimin e tyre nxisin debat në shoqëri. Është hera e parë që çmimi, të cilin e kanë fituar deri tani kryesisht gazetarë, opinionistë dhe aktivistë të shoqërisë civile, ka kaluar kufijtë e Kosovës.

Laureatët e mëparshëm të çmimit ishin: Halil Matoshi (2008), Enver Robelli (2009), Bardha Frangu dhe Shkëlzen Gashi (2010), Jeton Neziraj (2011), Besa Luci (2012), Arbana Xharra (2013), Vehbi Kajtazi (2014), Ramadan Zejnullahu (2015), humoristët “Stupcat” (2016) dhe Saranda Ramaj (2018)./koha