Ahmed Morsi: E dashur… çfarë do të bësh…

ahmed morsi:

Poezi nga Ahmed Morsi

*
këngët e mia, e dashur
po hanë njëra-tjetrën
që kur Ti nuk i ha ato
kënga gllabëron këngën
duke u gostitur me mishin e zemrës sime
*
pse gjurmon për kuptimin
e dashur, në këto këngë
zymbylët e kaltër valëzojnë në erë
kjo është fjala e fundit
shpjegimet janë për studiuesit
*
rrëmbeve çdo sekondë
çdo minutë çdo orë
ditë e natë prej meje
Ti nuk mund t’i kthesh
ato nuk janë më të miat
*
mos ëndërro, e dashur
nuk e dimë se ku ëndërrat
do të na shpiejnë: rri zgjuar
mblidh ëndrrat tua së bashku
përgatiti ato për në zjarr
*
kush mund të njohë një tjetër
kush mund ta njohë Veten
Ti humbet – rishfaqesh
si ndonjë krijesë mitike
që prej kohësh mendohej se ishte zhdukur
*
këngët e mia për Ty
janë telegrame të flakura
jasht’ hapësire
vite dritë që do të vijnë
e dashur, Ti do t’i hapësh ato
*
fryma ime është e njohur për Ty
peshku i bardhë që noton
në ujërat kozmike
sa miliona vjet
kanë kaluar, e dashur
*
është peshku i zi
zemra ime kapur për Ty
në një oqean pa emër
e dashur! çfarë do të bësh
hidhe përsëri në thellësi

Përktheu: Çlirim Qormemeti

ObserverKult

—————————

Lexo edhe:

RAÚL BRASCA: SI E SHOHIN DASHURINË AI DHE AJO

Dashuri I

E do ajo dashurinë. Jo unë. Mua më pëlqen ajo, si dhe fakti që e do dashurinë. Unë nuk i dhuroj asaj dashuri. I kthej pasionin e saj të mbështjellë me fjalë, me një mori fjalësh të kamufluara. Ajo mashtron veten, mendon se është dashuri dhe i pëlqen; ajo e do gënjeshtarin në mua. Nuk e dua, dhe nuk e mashtroj veten me iluzione, unë nuk e dua atë. E përbashkëta jonë është diçka krejt e natyrshme: dy njerëz që durojnë së bashku për shkak të një ndjenje të paqartë dhe një tjetre që gabon. Ne jemi të lumtur.

Dashuri II

Ai beson se unë jam e zhytur në dashuri, ndërsa ai është i interesuar vetëm për seks. I lejoj t’a besojë këtë gjë. Kur trupi im e eksiton, ai ia atribuon pasionit të tij. Por ai më do mua. E mashtroj sepse e dua. E di shumë mirë që do të jemi të lumtur për sa kohë që ai beson se nuk e duam njëri-tjetrin.

Përktheu: Çlirim Qormemeti