“Aty ku djegin libra, djegin edhe njerëz”
(H. Hajne)
Një zonjë rreth të dyzetave, teksa ecte pak si me naze nëpër kmbëtoren me pllaka të betonta, kur arriti në një pjesë të hapur plot me rrënoja e gërmadha të hedhura, sa çel e mbyll sytë anoi në të majtë. Aty u ndal në vend dhe hapi çantën e stërfryrë që e mbante në duar, prej së cilës i zbrazi ca libra duke e shkundur atë me një ndjenjë çliruese. Më pastaj e nxori ndezçën nga xhepi dhe ua vuri flakën pa u hamendur fare.
– Zonjë, ç’po bën kështu!? – i thashë i llahatrisur.
– Ja, po djeg ca libra – ma ktheu ajo me gjaktohtësi.
– E përse?
– Ngaqë jam duke pastruar shtëpinë.
– Po të kujt ishin librat?
– Të vjehrrit tim.
– A është në dijeni ai se ç’po bën ti?
– Jo. Ai vdiq para një muaji.
– E pse s’më the mua? Do t’i merrja unë.
– Zotëri, nuk të kam asnjë borxh.
Kështu u largua shpërfilltas duke tundur shtatin e hedhur. Ndërkaq unë mbeta pranë zjarrit duke shikuar flakën dhe tymin që zvargej me shtëllunga. Aty po digjej së bashku jeta dhe dashuria e një njeriu për librat, por edhe ajo e autorëve të tyre. Shëmbëllente si një lloj ferri i gjallë të cilin e zbatonte një grua në emër të pastërtisë, siç e quante ajo./ ObserverKult