Ahmetaj: Frika ime më e madhe, ta shoh atdheun të gjunjëzuar para injorancës dhe gangsterëve që e qeverisin

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Arbër Ahmetaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Lumturia e përkryer zgjat një fraksion sekonde. Është një çast brenda të cilit paqja e brendshme kryqëzohet me harmoninë kozmike. Për të qenë më konkret po sjell shembullin e energjisë që kalon nga sytë e një gruaje në zemrën e një burri, ose dritën që rrezaton buzëqeshja e një fëmije, kur sheh një lule duke çelur.

Cila është frika juaj më e madhe?
-Të shoh atdheun tonë plotësisht të gjunjëzuar para injorancës dhe gangsterëve që e qeverisin.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Nënën time.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Me Winston Çerçill, jo pse ishte kryeministër dhe fitimtar, por se ishte shumë i mençur.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Kërkimi i perfeksionit, pasi është proces i lodhshëm, i padobishëm, pa rezultat të matshëm.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Përpjekja e vajtueshme për t’u paraqitur ndryshe, nga ç’janë.

Në cilat gjëra e teproni?
-Në këmbënguljen për t’ia arritur me çdo kusht. Nganjëherë disa dyer nuk hapen, pasi thjesht nuk janë dyert tona.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Ruajtja e lumturisë së një gruaje, e buzëqeshjes së një fëmijë. Çdo gënjeshtër, që do iu shmangte njerëzve trishtimin.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Ai drejt fëmijërisë, drejt vendlindjes. Është udhëtimi më i çuditshëm, pasi çdo hap apo sekondë e tij si udhëtim, na largon më tepër nga destinacioni. 

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Fjalën “ndoshta”  dhe fjalinë “mund të jetë…”, janë shprehje që paraqesin relativitetin e sendeve e të ideve. Shmangin arrogancën e pretendimit të së vërtetës absolute. 

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Që jam martuar me një grua të mrekullueshme e s’kam asnjë shans të ndahem me të.  

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Letërsia dhe një grua e bukur.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Shumë e rëndë, e eksituar, jam si filamenti i një llambe që ndriçon, por rrezikon të digjet nga çasti në çast. Më duhen disa javë ose muaj pushime.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Kam një ide që më zgjon frikshëm nga gjumi: më duket sikur jam i vetëmjaftueshëm. Do doja të çlirohesha prej saj. Jetojmë në shoqëri dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. Por, tani që e kam « diagnostikuar » do t’ja gjej edhe trajtimin, barin e duhur.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Një lloj ekuilibri delikat mes pasionit tim për letërsinë dhe profesionit tim.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Në jetën time personale pothuajse asgjë, në përdorimin e kohës, nga kjo lartësi moshe, shoh se kam derdhur në lumë, shpërdoruar mijëra orë të jetës sime. Këtë do ta kisha ndryshuar. Por s’ja vlen të mërzitem, është e pamundshme të përmirësohet.  Në fund të fundit edhe bletët gabojnë. 

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftësi njeri apo send,çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Pa dyshim një kalë! Do vrapoja drejt Hanës…

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
-Përunjtësia si sjellje, librat dhe dorëshkrimet e mia si tekste letrare.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Zhgënjimin e mundshëm prej atyre, në duart e të cilëve kam vënë me besim zemrën time.

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Buzë një liqeni, mbi një kodrinë, pranë një shkolle fillore. Uji, dielli, lartësia dhe zërat e fëmijëve…!

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Pjesën e tyre femërore, atë që dyshon, që ngre pikëpyetje. S’më pëlqen arroganca, përpjekja e tyre hipokrite për të fshehur brishtësinë. 

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Gjithçka.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Louis-Ferdinand Céline.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Ata që nuk dalin në televizor, në gazeta, por me përunjtësi e përkushtim, me thjeshtësi e dinjitet sigurojnë përjetësinë e shoqërisë njerëzore.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Jam relativisht i kënaqur me këto dhunti që kam. Po të kisha edhe një talent tjetër në muzikë, pikturë apo arkitekturë, do t’ia dhuroja me bujari dikujt tjetër.  

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Si hero, në mbrojtje të idealeve të partisë! Po bëj shaka. Pyetja është tmerrësisht serioze. Ja përgjigjia ime: duke shkruar apo lexuar një libër.

Cila është motoja juaj?
-Jetoje çdo sekondë me plotninë dhe gjatësinë e saj të shkurtë./ ObserverKult