Pyetësori i Prustit/ Sibel Halimi: Admiroj ata që lirinë nuk e përdorin për të sunduar, por për të hapur rrugë edhe për të tjerët

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtarja, Sibel Halimi:

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Zanafilla e idesë sime për lumturinë është të mos jem në konflikt me ndërgjegjen time. Ta jetoj të vërtetën time, edhe kur ajo sjell përjashtim, vetmi apo mospranim. Lumturia, për mua, nuk është një qetësi, por një liri që dhemb, sepse kërkon të mos hesht përballë padrejtësisë.

Ndaj jam afër mendimit të Albert Camus, i cili e përkufizon lumturinë si një akt rebelimi në një botë absurde. Ai shkroi “Njeriu i lumtur është ai që jeton pa iluzione, që e përqafon absurditetin dhe megjithatë zgjedh të jetojë me dinjitet”. Kjo lloj lumturie nuk është një qëllim në vete, por një gjendje që lind kur jeton me vetëdije të plotë, me pranimin e absurditetit dhe me guximin për të mos heshtur.

Për mua, lumturia është kur fjala ime nuk ka nevojë të kërkojë leje për të ekzistuar.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Frika ime nuk është vetëm personale. Ajo është frika e çdo zëri që e ka provuar të flasë në një botë që nuk dëgjohet. Dhe për aq kohë sa ekziston kjo frikë, nuk mund të ketë qetësi as në liri, as në fjalë.

Të mos mund të flas. Jo për mungesë fjale, por për mungesë dëgjuesi apo dëgjuese. Një nga format më të rafinuara të dhunës është indiferenca ndaj zërit të tjetrit.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Admiroj ata/ato që lirinë nuk e përdorin për të sunduar, por për të hapur rrugë edhe për të tjerët. Ata që nuk mendojnë se kanë të drejtë thjesht sepse kanë zë më të fuqishëm. Në një kohë të mbushur me egonarrativa, i admiroj ata që flasin edhe për të tjerët, jo në vend të tyre, por përkrah tyre.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Ibrahim Rugova.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Një nga tiparet që shpesh më ka vënë në dilemë është arsyeshmëria e tepruar, dëshira për ta kuptuar edhe atë që ndoshta nuk duhet domosdoshmërisht të kuptohet. Ndonjëherë, përpjekja për të gjetur arsye prapa çdo veprimi më ka mbajtur pezull në situata ku ndoshta duhej vetëm të vija kufij, jo të gërmoja kuptim.

Por në të njëjtën kohë, kjo e metë më ka ndihmuar të mos e ushqej urrejtjen, edhe atëherë kur ndoshta do të ishte më e lehtë. Të kuptuarit më ka shpëtuar nga përgjithësimi, nga hakmarrja si instinkt, por jo gjithmonë nga dhimbja që sjell njohja thellë e tjetrit, edhe kur jam lënduar!

Pra, është një tipar që e shoh si dualitet: më ndihmon të ruaj humanizmin, por edhe më vështirëson që të vendos kufij të qartë.

Cili është tipari që nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Dogmatizmi i heshtur. Më frikëson kur dikush është aq i sigurt në të vërtetën e vet, sa nuk ka më vend për pyetje. Hannah Arendt e shihte mendimin si një akt etik, jo si dituri, por si ushtrim për të mos qenë kurrë plotësisht i sigurt.

Në cilat gjëra e teproni?

-Në kërkimin e përsosmërisë, një ideal i paarritshëm që më shtyn përtej kufijve të realitetit.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Nuk e mendoj gënjeshtrën si një akt të lehtë, por as si një të keqe absolute. Ka raste kur e vërteta, në formën e saj më të zhveshur, nuk shëron, por plagos. Në këto momente, kur përballë meje kam një njeri që dua ta mbroj, jo nga realiteti, por nga rrënimi, më ndodh të zgjedh mëshirën.

Si çdo gjë në jetë edhe e vërteta duhet të trajtohet me dashuri. Jo çdo e vërtetë duhet thënë menjëherë, në çdo formë, me çdo çmim. Ka të vërteta që kërkojnë kohë për t’u përballuar, dhe ka njerëz që ndonjëherë kanë më shumë nevojë për një fjalë të butë sesa për një fakt të rreptë.

Por, megjithatë gënjeshtra është gjithmonë një borxh, nuk zhduket, vetëm vonohet.

Gënjej vetëm kur e ndjej se heshtja nuk mjafton dhe kur e di se qëllimi nuk është manipulimi, por kujdesi.

Nuk e shoh gënjeshtrën si mjet për të shmangur përgjegjësinë, por si një akt të rrallë të etikës së ndërlikuar të marrëdhënies: kur duhet të zgjedh mes dy dhimbjeve, përpiqem të zgjedh atë që është më pak shkatërruese për tjetrin.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Nga fjala e thjeshtë te kuptimi që e tejkalon, një rrugëtim që nuk do të doja të përfundoj kurrë, rrugëtimi nëpërmjet gjuhës, i cili nuk është vetëm mjet komunikimi, por është mënyra se si e ndërtojmë botën dhe veten.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-“Liria nuk dhurohet, merret”, e përsëris shpesh, ndoshta si një lloj mësimi të brendshëm. Siç thoshte Michel Foucault, liria nuk është kurrë e dhënë njëherë e përgjithmonë, ajo duhet rizbuluar dhe rimarrë në çdo kontekst.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Për mos praninë, aty kur do të duhej të isha!

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Familja ime; ajo nga e cila jam rritur dhe ajo që e kam krijuar. Në të parën, më është dhënë liria ime e parë: jo si dhuratë, por si hapësirë për ta kërkuar dhe njohur veten. Në të dytën, te fëmijët e mi, e mësoj përditë se si dashuria për lirinë nuk trashëgohet, por mësohet me shembuj, me fjalë, me heshtje që nuk e mbyllin, por e kuptojnë.

Dashuria ime tjetër, që më sfidon çdo ditë, është e vërteta. Jo ajo e ftohtë, absolute, që s’le vend për dyshim, por ajo që vjen si dritë pas mjegullës, e brishtë, por ndriçuese. E vërteta që nuk e imponon veten, por të fton ta kërkosh bashkë me të tjerët.

Për mua, dashuria për të vërtetën është forma më e lartë e kujdesit: për veten, për tjetrin, për botën që duam të ndërtojmë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-Në një gjendje përballjeje të heshtur me realitetin. Një ekuilibër mes pranimit dhe revoltës. Diçka që Camus do ta quante “liri në absurditet”.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Të kujdesem më shumë për veten.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Që e kam ndërtuar zërin tim jashtë pritshmërive të të tjerëve. Dhe se e kam mbrojtur të drejtën time për të qenë ndryshe, edhe kur kjo ka sjellë vetmi.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do të kisha vënë kufij më herët, dhe do ta kisha ditur se thënia “jo” është një akt dashurie ndaj vetes.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Një mur i mbuluar me grafite që thërrasin për liri. Një dëshmi që dikush s’e pranoi heshtjen si formë jetese.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?

-Kujtesën që nuk më lejon të bëhem indiferente karshi njerëzve që më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Kur liria perceptohet si luks dhe jo si nevojë. Mjerimi i vërtetë është të mos jesh më i vetëdijshëm se je i nënshtruar.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në një vend ku fjala “grua” nuk kërkon sqarim dhe ku mendimi i lirë nuk përkthehet si kërcënim.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Dëgjimi. Jo vetëm i fjalëve, por edhe i heshtjes që ato mbajnë brenda.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

-Emancipimin. Kur nuk ndërton identitetin e tij mbi kontrollin e tjetrit, por mbi bashkëjetesën dhe vetëdijen.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

-Kur e pranon veten pa i kërkuar ndjesë të tjerëve që ekziston.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Janë të shumtë, por e preferuar vazhdon të mbetet shkrimtarja dhe filozofja Simone de Beauvoir.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Gratë që mbijetuan, folën, ecën përtej turpit të imponuar dhe u kthyen në dritë për të tjerat.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Të përktheja heshtjen në muzikë. Sepse disa plagë nuk flasin dot, por mund të këndojnë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Duke i pasur miqtë përreth.

Cila është motoja juaj?

-Mos e ngatërroni edukatën me nënshtrim, heshtjen me pajtim dhe turpin me fajin. Liria nis kur emërtojmë saktë dhunën që na është mësuar si moral.

ObserverKult


Lexo edhe:

“AJO QË MBETET KUR IKIM”, POEZI NGA SIBEL HALIMI