Aida Baro: Përpiqu të bësh gjërat që do, pa shkelur mbi të tjerët!

aida baro observerkult


Pyetësorit të Prustit i përgjigjet përkthyesja Aida Baro.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Një poltronë buzë detit, në një ditë dimri me diell, duke lexuar një libër.

Cila është frika juaj më e madhe?

Humbja e njerëzve të dashur. Nuk di sa mund të jem në gjendje ta përballoj diçka të tillë.

Cilin person të gjallë admironi më së shumti?

Prindërit e mi. Përveç tyre, të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare, që bëjnë të pamundurën për të mbijetuar me dinjitet në një mjedis mbytës si ky yni.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?


Nuk e di, ndoshta Musine Kokalari, një ndër gratë më të mençura të këtij vendi, me një fat tmerrësisht të trishtë nën diktaturë. Kur e lexoj, ndiej se, shpirtërisht, kemi shumë gjëra të ngjashme.

Cili është tipari juaj që nuk ju pëlqen?

Mania e përsosmërisë. Kërkoj ta bëj gjithçka të përkryer, pavarësisht rrethanave dhe kjo sjell përplasje dhe zhgënjime të shumta, të cilat i vuaj. Duhen marrë gjërat më lehtë, ia përsëris gjithnjë vetes, por nuk arrij asnjëherë ta zbatoj.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni te të tjerët?

Përfitimin. Njerëzit orvaten gjithnjë të përfitojnë diçka padrejtësisht, t’ia hedhin tjetrit e pastaj të rrahin gjoksin për atë që bënë. Deri kur të vazhdojmë të mburremi me faktin se ia “hodhëm” tjetrit, s’kemi për të ecur përpara.

Në cilat gjëra e teproni?

Nuk e di, përpiqem të jem gjithnjë e ekuilibruar. Ndoshta profesioni i përkthyeses më ka bërë që të jem shumë e matur dhe e kujdesshme, të ruaj gjithnjë koherencën në mendim dhe veprim. Ndoshta, me verën e teproj, ndonjëherë.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

Vetëm nëse ndokujt do t’i rrezikohej jeta.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Kudo që të shkoj, mjafton të jetë natyrë, mundësisht det. Paskajshmëria e detit më çliron mendjen dhe frymën.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Domethënë”. E kam veten gafil shpesh që e përsëris këtë fjalë, dua ta heq, por s’e kontrolloj dot gjithnjë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Nuk pendohem për asgjë që kam bërë në jetë. Çdo gjë kthehet në përvojë, në njohje të vetes. Në mos tjetër, përpiqem të mësoj nga gabimet e mia.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Pyetje e vështirë, sepse për mua çdo gjë ka vlerën e dashurisë dhe pasionit. Prindërit, familja, miqtë, përkthimi, letërsia, udhëtimet janë gjëra pa të cilat s’do të jetoja dot.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Në paqe me veten.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Nga natyra ime s’do të ndryshoja asgjë. Më pëlqen që herë pas here, jam larg realitetit dhe ndërtoj flluskën time ku pluskoj më së miri.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Përkthimin e vëllimit me poezi “Ndjenja e kohës” të Giuseppe Ungaretti-t dhe romanin “Armëpushimi” të Primo Levit. Kanë qenë dy sfida të jashtëzakonshme, që më kanë mundur e kam vuajtur gjatë përkthimit, por jam e lumtur që i kam bërë, sepse më kanë plotësuar edhe më tej si njeri e si përkthyese.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Kohën e shkollës. Do të doja të kisha pasur mundësinë që të studioja më gjatë jashtë vendit, është një përvojë që të rrit shumë, kupton më shumë veten, botën, njeh kultura të tjera. Jam njeri shumë kurreshtar dhe nëse do të isha sërish 20 vjeçe, do t’i kisha rënë botës qark me vetëm një çantë shpine.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

E kam menduar shpesh këtë gjë, më pëlqen ideja e rimishërimit, fakti që ne jemi energji dhe përcillemi përmes kozmosit në trajta të ndryshme. Ndoshta, një bimë, një lule e egër e natyrës, që rritet dhe atje ku ka thatësi e djerrinë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Materiale, librat e mi. Dhe lap-topi, ku kam gjithë punën. Shpirtërore, gjithçka që më bën të ndihem mirë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Njerëzit që nuk dinë të dashurojnë, që nuk kanë pasione në jetë, që bëhen rob të materialitetit dhe nuk dinë ta ushqejnë mendjen e shpirtin me bukuri dh art.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në Romë. Është një qytet që e adhuroj, nuk resht kurrë së më habituri me bukurinë, hijen e rëndë që ka, zbulimin e historive të mrekullueshme për çdo gur e qoshk të humbur të tij. Romanët vetë ankohen për trafikun, jetën e lodhshme, por është një qytet që mua më mbush. Kur kthehem prej tij, më mungon vetja ime që jam atje. Drita e butë dhe e ngrohtë e perëndimit në Piazza del Popolo, në I mercati di Traiano apo Colosseo nuk ka të krahasuar me asgjë. Në trishtimin më të madh të jesh, ajo dritë të bën të ndihesh pendë e lehtë.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Mirësjelljen dhe sinqeritetin, fjalën e burrit, siç thuhet zakonisht. Zgjuarsinë dhe humorin e hollë.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Pak a shumë të njëjtat gjëra si më lart, por edhe brishtësinë, labirinthet e mendjes së një gruaje, forcën për të përballuar shumëçka, edhe kur realiteti i vihet kundër.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Për fat të mirë, nuk jam “besnike” në këtë rast. Duke lexuar, zbuloj shpesh shkrimtarë për të cilët më bie në kokë dhe dashurohem pas tyre. Kam dashur shumë Heinrich Boll, Italo Calvino-n, Primo Levin, sigurisht, Moravia-n, por në këtë periudhë ndihem plotësisht e dhënë pas Kazuo Ishiguro-s, më pëlqen stili i tij për të thënë gjithçka nën rreshta. Asgjë nuk është ashtu siç duket në letërsinë e tij dhe duhet të rrëmosh, të zbulosh nëntekstet, është një shkollë më vete analize mendore.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Të gjithë ata që luftojnë ndershmërisht për të realizuar vetveten, pa humbur dashurinë për të bukurën.

Cilin talent do të dëshironit të kishit?

Të kisha patur zërin e një këngëtareje lirike. Që e vogël, siç tregon ime ëmë, më ka pëlqyer muzika klasike, opera, dhe imitoja gjestet e një këngëtareje lirike, ama zë nuk kisha. Do të më kishte pëlqyer të këndoja një herë “Aida”-n e Verdit në La Scala. Sidoqoftë, çdo gjë që ka lidhje me artin do të doja ta kisha, por njeriu ka dhuntitë që i jepen e duhet të gjejë udhën e vet, të zbulojë ku i ka aftësitë dhe t’i zhvillojë më tej. Edhe përkthimi letrar është një formë arti, që do talent e punë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
E lumtur dhe pa dhembje.

Cila është motoja juaj?
Përpiqu të bësh në jetë gjërat që do, pa shkelur mbi të tjerët.

ObserverKult

Lexo edhe:

 Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Ilire Zajmi
 Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Sokrat Habilaj
Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Irma Kurti