Ajne Ibërhysaj: Hije në valë

Në buzë të liqenit,
era e ftohtë më ledhaton fytyrën
si një dorë e padukshme e kujtimeve të harruara.

Imazhi një hije në valë,
rrëshqet lehtas në mendimet e mia,
si vala që puth bregun
dhe tretet në kthimin e saj të pafund.

Në rrënjë të një pritjeje që lëshon zë,
në thellësinë e një oqeani të brendshëm,
ku vitet e humbura bëhen urë
dhe kujtimet, mjegull e heshtur mbi ujë.

Ishte kjo një lojë e fatit,
apo një ndodhi e çastit?
Valët bartin fjalët që s’t’i thashë dot,
mbajnë sekretet e kohës
si rëra që s’mban asgjë,
si hapat që shuhen në breg me valët.

Si petale luleve të thara mbi trupin e erës,
thellësia e kujtimeve shpaloset ngadalë,
si drita që ndrinë mbi qerpikun e mallit
Një gjurmë mbetet në errësirë,
Ashtu si një sy që kërkon një tjetër sy
mes reve të largëta digjem.

Mos u dashuro në trishtim,
më the dikur me një zë që ende më ndjek pas.

Dashuria është më e rëndë se vdekja,
më e gjatë se koha,
Çdo fjalë shuhet si kandili në vaj.

Por tani gjithçka hesht në vargjet e një poeti
valët vijnë dhe ikin me ëndrra të përgjumura,
si kujtimet që s’i mbaj dot më tjetër brenda vetës.

Dikur, ne e mundnim edhe kohën,
dhe gjithmonë, gjithmonë…, dashuroheshim.

ObserverKult