Akademia Albanologjike e paqartë, letër Ministrisë së Arsimit: A do jenë institutet tona të përhershme?

Një vendim i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që u miratua në fund të majit ka kërkuar mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike në fund të dhjetorit të këtij viti.

Sipas këtij vendimi, institutet e Gjuhësisë, Historisë, Arkeologjisë dhe Antropologjisë e Artit do të kthehen në njësi që do i bashkohen Akademisë së Shkencave, e cila, ishte institucioni që e porositi VKM-në e mësipërme, si edhe ndryshimet ligjore që i zgjasin mandatin kryetarit të saj.

E ndërsa ASA e ka çuar çështjen e mbylljes së saj me VKM në gjykatë, duke pretenduar për shkelje ligjore, paqartësitë me të cilat përballet ASA, institutet dhe punonjësit janë disa, sepse VKM-ja e majit është e shkurtër, ndërsa Ligji i Akademisë së Shkencave dhe ai i Arsimit të lartë lënë hapësira boshe sa i takon procesit të shkrirjes/ mbylljes/ shuarjes së instituteve dhe çatisë që kanë tani mbi kokë, ASA-s si edhe vijimësisë.

Hapësirave boshe ligjore duhet kësisoj t’u japë përgjigje Ministria e Arsimit, si dikasteri i linjës që ka ndjekur procesin fillimisht duke premtuar mbështetje për ASA-n e më pas, duke kontribuar në mbylljen e saj.

Në një letër të fundit të korrikut dërguar Ministrisë së Arsimit, ASA i kërkon kësaj të fundit sqarime duke nisur që nga termat: çfarë është njësia që do jetë termi që nënkupton institute?

A janë këto njësi afatshkurtra (2-vjeçare) a afatgjata? A janë këto njësi të përhershme apo të përkohshme? Çfarë nënkupton VKM-ja me riorganizim?

Po aq, ASA kërkon të dijë nga Ministria statusin ligjor të kërkuesve shkencorë si edhe numrin anëtarëve që do kenë departamentet e instituteve e punonjësve që do kenë njësitë.

Mes paqartësive të ASA-s është edhe fati i administratës se saj për të cilën nuk ka asnjë shpjegim, as zyrtar as jo zyrtar as nga vetë deklaratat e Akademisë së Shkencave që ka marrë përsipër pararojën në shkencën shqiptare.

Të paqartë mbeten edhe titujt shkencorë, pagesat për ta, fati i këshillave shkencorë e mënyrat e punësimit gjithaq.

Sado që shpjegime mund të ketë disa, ligjërisht të gjitha këto çështje duhet të marrin përgjigje e zgjidhje ligjore që përcaktojnë e parashikojnë qartë proceset, pagesat, titujt, zgjidhjen e kontratave, fatin e punonjësve, numrin e tyre për çdo njësi përfshirë sqarim mbi çfarë është njësia- në mënyrë që interpretimet vetiake të mos prevalojnë mbi shtetin./balkanweb.com

ObserverKult


Lexo edhe:

AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE E PËRMBUSH NJË MISION, VJEN “HISTORIA E SHQIPTARËVE” NË 5 VËLLIME

Akademia e Studimeve Albanologjike ka përmbushur një mision të saj duke sjellë 5 vëllime të një periudhe të gjatë historike të Shqipërisë. Projekti i rëndësishëm tashmë i realizuar nga ASA me përkushktimin e Hasan Bellos e një trup redaktorësh përkon në vitet 1991-1999.

 “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX (1945–1999)”, i publikuar sot, plotëson kolanën me pesë vëllime.

Në projektin më të rëndësishëm studimor të Institutit të Historisë në ASA. Ky vëllim trajton një periudhë të gjatë historike: periudhën kohore të sistemit komunist (1945-1990). Po ashtu edhe dekadën e parë të tranzicionit në Shqipëri (1991-1999).

Një pjesë e madhe e tematikave, tezave dhe ngjarjeve trajtohen për herë të parë. Kjo duke sjellë risi në studimet historike. Po ashtu duke hedhur baza të qëndrueshme referimi për të ardhmen.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult