Akademia e Shkencave, tri vepra madhore albanologjike

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vijon punën për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Historia e shqiptarëve”.

Në kuadër të projektit madhor të hartimit të këtyre tri veprave, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021, e në vazhdim. U organizua edhe një takim me kreun e ASH-së, Skënder Gjinushi për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore.

Të pranishëm ishin anëtarët e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE prof. Irakli Koçollari.

Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un. Si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse. Me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre.

Për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera. Nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës.

Hartimi i “Historisë së shqiptarëve” u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar. Duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që e bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj.

Puna me “Fjalorin e madh të shqipes” do të nisë së shpejti. Në këtë vepër do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike).

Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij. Fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike. Po ashtu të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike etj.

LEXO EDHE: AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË NDEROI NË 85-VJETORIN E LINDJES ISMAIL KADARENË

Në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe. Si edhe i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë.

“Enciklopedia shqiptare” që përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.

Bashkëpunimi me ASHA-n në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë

Në takim, për të tria veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me ASHA-n në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë. Dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e ambienteve të reja të punës për Qendrën e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike.

Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e rolit organizator e financues në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare: “Enciklopedisë shqiptare”, “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” e të Kuvendit të Albanologjisë në nëntor të këtij viti realizon një prej objektivave kryesorë të reformës së këtij institucioni, atë kryerjes prej ASH-së të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike./ATSH