Qosja: Vendin ku kalon fëmijërinë e mban me vete deri në vdekje

rexhep qosja kosova atdhe estetika e snobi shkrim nga rexhep qosja

Zogjtë nuk po vijnë më aq shumë sa dikur, mirë se vini ju! Kjo ishte fjala e pritjes!

Akademiku dukej se ishte menduar gjatë për këto fjalë të para, si të kishte rikthyer në shtëpinë e fëmijërisë kujtime që rrugëtonin nga një stinë e ngrohtë. Nga stina e vegjëlisë në këtë kopsht.

Hija e pemëve vijonte thuajse të kishte të njëjtën lëvizje, e fortë, njëlloj si era e malit. Shtëpia vijonte të qëndronte hijerëndë për të sepse njeriu Rexhep Qosja nuk e kishte braktisur asnjëherë.

Rikthehej në stinën e nxehtë të qyteteve tona, aty në vendlindjen e tij, në Vuthaj. Çdo verë, me shtatin ndryshe, vërente se si zogjtë ishin pakësuar. Por miqtë me të cilët ka shpenzuar fëmijërinë dhe bisedat me ata që ftonte në shtëpinë e tij, thuajse ia zbehnin mendimin se dallëndyshet apo zogjtë nuk i kishin më çerdhet aty.

E rëndësishme ishte që shtëpia e tij e priste gjithnjë stoike dhe dhoma e tij e shkrimit falte aq shumë qetësi. Na priti në ambientet e shtëpisë, ku vetë akademiku Rexhep Qosja, dikur fëmijë, këndonte vargjet e “Lahutës së Malësisë”.

“Vuthaj është vendlindja ime dhe kam kaluar rreth 14 vjet. Thuhet se vendin ku e kalon fëmijërinë, e mban me vete deri në vdekje, nuk harrohet kurrë. Studiuesit e artit, të shkencave thonë se shumë ide, mendime, përshtypje, në masë të madhe frymëzohen prej atyre të fëmijërisë”, tregon Qosja.

“Kam pasur një fëmijëri që ka filluar para Luftës II Botërore, e kam përjetuar luftën. Vitet e pasluftës kanë qenë vite me shumë probleme. Ka mbretëruar një varfëri e madhe. E mandej kanë ardhur vite më të mira, sidomos në vitin 1966. Kur është dënuar sjellja e Sigurimit të Brendshëm të Serbisë, ose Jugosllav, UDB. Atëherë filloi një punësim më i madh i burrave, por edhe grave”.

Akademiku na tregon se kalon një ose dy muaj të verës në vendlindjen e tij, Vuthaj, të cilën nuk do ta harrojë kurrë.

“Megjithëse jam rritur dhe çdo gjë që kam arritur e kam arritur në Prishtinë, që është vendlindja ime e dytë”.

Vuthaj ka ndryshuar shumë që nga koha kur Qosja jetonte aty. Vala e emigracionit ka bërë që aty të mbesin më shumë të moshuar, edhe pse, na tregon akademiku, shumë emigrantë të suksesshëm, janë rikthyer aty dhe kanë ndërtuar shtëpi moderne.

LEXO EDHE: Nga Akademik Rexhep Qosja: Eh, arkivat!