Aktori dhe monodrama apo kush është absoluti i monodramës nëse jo aktori i strukur në strehën e vetmisë

Agron Gërguri

Përkitazi me festivalin e monodramës “MonoAkt” edicioni i 16-të

Shkruan: Agron Gërguri

Monodrama si strehë e vetmisë e që shpesh është edhe paralagje e vetmimit e përshfaq më së miri karakterin, mentalitetin metafizikën dhe fizikën e aktorit dhe na bind për pamundësinë e të bërit teatër pa të. Sepse në monodramë është ngushtësisht i tëri. Aty është vetëm me personazhin dhe me veten në përpjekje për të dëshmuar apo prodhuar një ngjarje e cila si e tillë prekë nukleusin e të vërtetës e cila mundohet të ngre kokë herë përmes aktorit e herë personazhit në një “betejë” permanente me kohën  se kur duhet thënë e bërë apo mos bërë diçka.

Askund si në vetmi nuk trajtohet e shqyrtohet natyra njerëzore. Andaj monodrama si zhanër i vështirë për t’u shkruar e për t’u bërë ngjarje teatrore e ka gjetë sheshin e matjes me vehten dhe të tjetërt  në festivalin MonoAkt të cilin tash e 16 vjet e organizon aktori Mentor Zymberaj i cili kryesisht përmes lojës në monodramë dhe pjesëmarrjes në festivale botërore  përfaqësoj me sukses qenien e artistit kosovar duke e zhvilluar monodramën.

Sivjet jo për herë të parë në MonoAkt merr pjesë aktori- artist Ismet Azemi në monodramën “Artisti në tavan”. Ky pikëtakim i dy aktorëve kulminant por dhe i pjesëmarrësëve tjerë nga e gjithë bota do të vërtetoj edhe njëherë se çfarë paraqet aktori dhe cila është qenia e tij artistike.

Kush është aktori?

I  shartuar në shumë njerëz, e karaktere të cilat i zhvillon dhe përjeton si ngjarje përmes lëkurës së tij, zërit, gëzimit e hidhërimit, emocionit e ndjenjave deri në pikën e pëlcitjes katarzike. Ai dashuron dhe lufton me shpirtin dhe trupin e tij, në ide, thënie e thurje të tjetërkujt. Herë hero, e herë vrasës, a koprac, apo e marrin për të tillë, sepse interpreton ata sikurse mbretërit dhe të varfërit. 

Gjithëhere e ndien kënaqësinë e drithërimës shqetësuese sa herë që nis rolin e ri, sa herë që rishtas e bënë me mish, trup e frymë dikë që të tjerët kanë dëshirë ta shohin. Çudi, të vërteten e thotë me “genjeshtër” dhe ne i besojnë sepse ai e ka gjetur shtegun e udhëtimit të vërtetës nëpër labirinthet e jetës së tij dhe të personazhit. Kështu aktori bëhet fanar i lodhur duke u munduar të mbajë në jetë vdekjen e të tjerëve, të personazheve që vdesin si bletët në përpjekje për ta mjaltuar jetën e të tjerëve. Po kush do ta bëjë paqen pas luftës  së fituar kur vdes heroi, këlthet aktori personazhi i të cilit ka vdekur përmes tij.

„E kuptoj se asgjë nuk ka kuptim. E kuptoj se e vërteta nuk është ajo që ne e mendojmë, por ajo që e themi përmes gënjeshtres, imitimit, çoroditjes” sikur bërtet në heshtje aktori. “Po, kështu e fitova besimin, më aplauduan e më hidhëruan me gëzimet e tyre të papërmbajtshme për suksesin tim, emrin tim”.

Derisa ai thellë në vete e ndjen të  vërtetën se shpirti e bënë jeten  e vetë tek aroma e lules që e kemi ujitur, tek kënga e vajit ngazëllyes e plot dhembje e zogut kukuvajkë, tek fara e mollës mëkatënuese e cila prodhon dashuri, tek fletët e bukura të lisit që zhdirgjen poshë trungut, duke imituar ngjyren e  diellit kur perëndon kuqrremët, verdh dhe flakrueshëm si jeta që po ikën, si personazhi që vdes brenda aktorit derisa ai e transmetin jehonën e tij tek spektatorët të buzëqeshur me lot në sy.

Tani mund ta shtroj pyetjen.

A e ka gjetur aktori veten në jetë, apo  jeta e ka gjetur atë. Si imitues i paepur  ai vazhdon të festoj dasmën e vdekjes së gjallërimit të tij  duke e mbjell tek të tjerët kuptimin e shikimit, intonacionin e  fjalës, domethënien e  gjestit, ecjen e shtrembër në vertikale drejtë një të vërtete e cila  shpesh pranohet si e  tillë vetëm kur nuk e obligon aske. Në kërkim të vetvetes aktori e gjeti vendlindjn e tij në Teatër në këtë rast në “MonoAkt” prej aty zëri i tij bëhet më thënës bëhet  zë i një të vërtete që përcjell  mesazhet e dybotësisë së artit dhe dhe prek pikën e dëshmit si Artist që shpërfaq të vërteten e shpirtit duke përkëdhelur me dashuri e shqetësim secilin spektator.

Mbarësi “MonoAktit”,  mbarësi Mentorit, Ismetit dhe aktorëve tjerë që kanë zgjedhur të shprehen përmes monodramës si strehë e vetmisë njerëzore dhe alarmues të rrezikut që  vetmia të kaloj në vetmim.

ObserverKult

Mentor Zymberaj
Ismet Azemi


Lexo edhe:

AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!