Aktori Koço Qendro: Si më zunë me ‘dashnoren’ brenda në teatër

Rrëfimi ndryshe i aktorit Koço Qendro:

“Ashtu ndodhi vërtetë”, nis të tregojë aktori Koço Qendro. “Më zunë në flagrancë me dashnoren time. Ndoshta që nga ajo ditë nisa të bëhesha më i njohur. Pas provave unë hyja gjithnjë në studion time. Të njëjtën gjë bëra edhe atë ditë që lindi kjo histori. Dikush prej aktorëve që kishte kaluar aty afër derës së studos sime kishte dëgjuar zhurma të çuditshme. Ishte afruar të dera dhe kishte vënë veshin. I ishte dukur se po dëgjonte edhe rënikme… Kaq duhej”.

Personi që kishte zbuluar të fshehtën kishte nxituar t’ua jepte lajmin edhe gjithë të tjerëve. Nuk e mbante dot përbrenda: “Koço Qendro është në studio me një femër!” Një çast të gjithë kishin mbetur të habitur. “Si ka mundësi, Koçoja është i martuar!” “Nuk e kemi njohur për të tillë!”, kishte thënë një tjetër. “ Po me cilën do të jetë vallë?”, ishte pyetja që i mundonte të gjithë.

Donin të hapnin derën e studios, por në të njëjtën kohë kërkonin të gjendin edhe ndonjë justifikim, që trokitja në derë të dukej si rastësi. Kapja në flagrancë duhej të ndodhte atë çast, sepse unë mund të dilja nga studioja dhe gjithçka do të dështonte. Dikush prej aktorëve e mori guximin të vinte dhe të hynte në studio.

Provoi ta hapte derën, por unë e kisha mbyllur me çelës nga brenda. Duke dashur të mos më linin shumë kohë, aktori nisi të thërriste: “Koço hape derën… Koço hape derën… Koço…!”. Të them të drejtën, u tmerrova. Atë çast mendova se mund të kishte rënë zjarr në teatër dhe nëse unë nuk dilja që aty, atëherë do të digjesha i gjallë në studion time. Një çast mbeta i hutuar. Nisa të kërkoj çelësin e derës, po ku dreqin e kisha lënë…. Përsëri u dëgjua një zë që tha: “Lëreni të qetë Koçon, po merret me provat gjenerale!….”.

Po, kjo gjë ndodhi atë mbrëmje që do të jepnim provën gjenerale. Përgatiteshim për festivalin e estradave, vijon të tregojë aktori Koço Qëndro.

Konkurimi do të bëhej në Durrës. Të gjithë ishim në ethet e përgatitjes. Sigurisht, dëshironim të ishim më të mirët.

Në të njëjtën situatë gjendej edhe regjisori ynë, Mihallaq Luarasi. Edhe atë nuk e mbante vendi. Nga pas derës dëgjova që dikush, tha jo pa ironi: “Neve po na zien koka, ky paska gjetur kohën të mbyllet në studio, por duke e shmangur fjalën “femër”…

Në të vërtetë qëndrimi im në teatër edhe pas provave ishte i pajustifikuar, pasi unë nuk kisha asnjë rol; kisha vetëm dy role tepër të vogla që nuk kishin asnjë rëndësi, madje as që mund të quheshin role. Por ama ekzistonte edhe një e vërtetë tjetër: deri para disa ditëve kisha patur 5 role, madje mund të them se kisha rolet më të mira.

Gjithë ditën jetoja vetëm me personazhet e mia. Mund të them se më shfaqeshin edhe në gjumë. Bisedoja me ta. Ditët kalonin dhe ne pothuajse kishim mbërritur në fund të përgatitjeve. Pas pak ditësh do të gjendeshim në Durrës. Pikërisht në këtë çast ndodhi diçka e çuditshme.

Drejtori i teatrit “Andon Zako Çajupi” nxori një urdhër: “Trupa e Estradës të përforcohet edhe me aktorët e trupës së teatrit”. Fill pas kësaj në trupën tonë erdhën Pandi Raidhi dhe Dhimitër Orgocka. Ata do të shihnin të gjitha materialet dhe do të kishin të drejtën të merrnin çdo rol që do t’u pëlqente.

Çuditërisht u pëlqyen rolet e mia. Ata të dy m’i morën të gjitha dhe unë mbeta pa asgjë. Nuk them se ishte faji i tyre, ashtu kishte qenë urdhri, por vetëm unë e di si u ndjeva atë çast kur e pashë veten të zhveshur nga gjithçka, lakuriq. Atë çast nuk kam për ta harruar kurrë, t’i marrësh rolin aktorit, është njësoj si t’i marrësh të dashurën.

Dëgjova përsëri zërin nga jashtë studios: “Hape derën”!. Gjithçka po më ecte ters e më ters. Që nga dita që m’i hoqën rolet kisha qenë i dëshpëruar. Hidhërimi më lexohej qartazi në fytyrë, në sy, në gjithçka. Ndihesha i fyer dhe i prekur, por nuk kisha çfarë të bëja.

T’i marrësh rolet një aktori nuk ka gjë më të papranueshme. Ndoshta do të kisha mbetur pa asnjë rol dhe jashtë konkurrimit po të mos kishte ardhur në Korçë Mehmet Shehu. Ai kishte parë pambukun të lënë jashtë, në mes të shiut, përpara sheshit të trikotazhit dhe po atë çast kishte dhënë urdhër që të shkruhej një skeç.

U ul dikush dhe shkroi diçka, sepse nuk mund të bëhej ndryshe. U quajt skeç, por në të vërtetë ai material vetëm skeç nuk ishte.

Përmbajtja e tij ishte ujë dhe asgjë tjetër. Atë rol ma dhanë ta luaja unë. “ Po kjo pikë e zezë, thashë me vetë, po më japin këtë rol që të turpërohem”. Të thosha jo, nuk e luaj, nuk isha dhe aq trim, e pranova në heshtje. Trishtimi nuk më hiqej nga fytyra. Vrisja mendjen se si mund të dilja nga kjo situatë, por nuk po gjeja dot rrugëzgjidhje. Ndoshta ishte paramenduar që unë të turpërohesha….”. Nisa të ndjeja nevojën të bisedoja me dikë që të largoja dëshpërimin tim. Madje që nga ajo ditë kisha nisur të hyja i vetëm në studion time. Do t’ua tregoj më poshtë se si u ngatërruan gjërat.

“Fatmirësisht u vendos të shkruhej edhe një material të tjetër ku do të ironizoheshin njerëzit e fesë. Skeçi u shkruajt, por mua më dhanë rolin e kardinalit i cili nuk kishte asnjë fjalë. Çfarë të bëja me të?! Mbeta me dy role të vogla dhe të dobëta. Megjithatë, filluam provat.Në çdo moment isha i ftohtë. Tashmë isha unë ai që po luaja rolin e ironisë me drejtuesit e teatrit. Sa herë që vinin dhe më shikonin, shprehnin mendimin se roli i kardinalit duhej hequr, pasi Koço Qëndro nuk po sillte asgjë të re me atë rol. Në të vërtetë unë kisha filluar t’i bëja provat fshehurazi.

Kur të gjithë largoheshin nga teatri, unë nisja nga provat e mia. Megjithatë, fillimisht shkova te aktori Dhimitër Trajçe, sepse ai kishte një album të madh dhe i kërkova të më gjente figurën e ndonjë kardinali. Kur ai ma gjeti një të tillë u hodha përpjetë nga gëzimi. Shkova te piktori Kostaq Tushi dhe i kërkova të ma pikturonte. Sakaq ai mori penelin dhe e hodhi në letër.

Pas kësaj ia nisa seriozisht: zgjodha veshjen, makiazhin dhe nisa të bëja prova vetë. Mbyllesha në dhomën time që kisha në teatër dhe qëndroja atje për herë orë të tëra me radhë. Pas shumë përpjekjesh u binda se ia kisha dalë mbanë. “Hape derën!“ u dëgjua sërish zëri nga jashtë. Unë deri në atë çast e kisha gjetur çelësin. E hapa derën. Të gjithë po më vështronin të habitur.

Të gjithë dukej sikur pyesnin veten: Si është e mundur! “Vetëm qenke Koço?“- me pyeten. “Vetëm jam“, u përgjigja. “Po çfarë po bën këtu“, më pyetën, por edhe duke vështruar tinëz nga dera e garderobës së rrobave. Deshironin te shkonin prane garderobes, por nuk paten guxim ta hapnin. Nuk dinin si të bënin. U vunë të gjithë në mëdyshje. Si ndenjën edhe pak të menduar, dolën nga studioja njëri pas tjetrit…Pas pak do te fillonin provat gjenerale.

“Kur ishin larguar te gjithe, mbylla deren e studios me celes dhe zbrita te skena per te luajtur proven gjenerale. Deri para kesaj mbremjeje, drejtuesit e teatrit më kishin parë tepër të ftohtë, aq sa po më konsideronin si aktor të dështuar. Megjithatë gjithcka do te vendosej te kjo prove e fundit; nese do t’i mbaja rolet apo do te m’i hiqnin. Por atë mbremje gjithkush mbeti i befasuar.

Që në çastin e parë të pranishmit filluan të duartrokisnin dhe të qeshnin me të madhe. Isha tjetërsuar krejtësisht. Roli im nuk kishte asnjë fjalë, por mjaftonte një e përkulura ime që salla të ngrihej peshë.

Rreth meje ishin njerëzit e qeverisë.Ata bisedonin se çfarë duhej të bënin, por nëse unë mblidhja buzët, ata që ata çast e dridhnin bisedën se kuptonin që Papa ishte i pakënaqur. Ndryshimet e papritura e të herepashershme te deputetëve (personazheve) sillnin të qeshura shpërthyese.

Nëse unë tundja kokën në shenjë miratimi, atëherë të mëdhenjtë e vendit, i jepnin ton bisedës dhe ideve të tyre, por deri në një çast ama, se unë përsëri shprehja mes pamjes time një pakënaqësi të dukshme dhe që atë çast gjithë ata që ishin rreth meje, tradhtonin idetë e tyre duke u përpjekur t’i ndryshonin ato në përputhje me atë se çfarë mund të mendoja unë.

Kalimi nga një çast te një tjetër, përmes një temporitimi të llogaritur mirë, ai skeç që nuk kishte në përmbajtje veçse ujë, u kthye një nga rolet më të mira të atij festivali. Kur shkuam në Durrës, atje me rolin e kardinalit mora vlerësimin “Aktori më i mirë”.Mbaj mend që atë çast u ndjeva i qetë, i lumturuar, sepse i kisha shpëtuar turpit… Të njëjtin sukses do të kisha me pas edhe me rolin e vogël të një kinezi…” . Kjo ishte femra ime me të cilën më kapën në flagrancë, me të mbeta i dashuruar gjithë jetën time edhe sot e kësaj dite./korcajone/

ObserverKult


Lexo edhe:

FILMI KOSOVAR PO SHPËRTHEN NË BOTË. JA KUSH NA PREZENTOI DENJËSISHT!