Alban Bala: Kanë ndryshuar kohët, zemra ime!

alban bala

Kanë ndryshuar kohët, zemra ime, poezi nga Alban Bala

Tani flas me thinja e mendoj me ëndrra
Heshtjet krejt më janë plakur dhe sytë
Shohin më larg.
Njëlloj më ngroh mëngjesi dhe mbrëmja.
Mushkëritë ma ndjejnë lagështirën e mallit
Para se të shfaqet në ajër.
Kanë ndryshuar shumë kohët, zemra ime!

Nuk janë më të arta as qeshjet, as gëzimet.
Guximin e derdhën në bronx dhe e ngrinë.
Të dashurit e mi i përflak mungesa e tyre
Dhe vetmia ime. Akullnajat po shkrijnë;
Ndoshta dhe zemrat do ndjekin shembullin e tyre.
Njeriu po zbulon historinë e tij,
Kohën kur jetonte me dragonjtë në qiell

Flakën e fikur të epokave që fëmijët
E mësojnë në shkollë, rregullisht.
Kemi shpikur simbole për të folur dhe heshtje
Për t’u marrë vesh. Koha ikën dy herë më shpejt
Dhe shumë më shtrembër. Stinët janë bërë lëmsh.
Frutat janë sy për të parë urinë
Dhe toka metri per t’a matur. Tani
Kemi zili bimët dhe vrasim kafshët.

Sa shumë kanë ndryshuar kohët, zemra ime!
Gati na ngjajnë…

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBAN BALA: TË KAM DASHUR GJITHMONË…

Të kam dashur gjithmonë, prej çastit të parë
kur fshive cepin e syrit me një gisht drite,
kur pashë, fytyrën time që rridhte në një lot ngjyrë shiu
drejt gjirit tënd të bardhë
përmbi lulen e buzëve të hapura…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult