Fantazma e trëndafilit ende digjet në kopsht
Netëve pa hënë, nën erë.
Njerëzit ecin më shpejt e më heshtur.
Ullinjtë, me duart në xhepa, presin
Kamionin e dimrit cep xhadesë.
Në telajon e qiellit penelat e plepave
Trazojnë ngjyra të trishta vjeshte.
Fytyrat e njohura janë bërë lumenj
Por kanë humbur deltat. Tash njerëzit
Mbjellin në det e korrin në qiell…
Qentë u zbutën e zogjtë janë të egër.
Këtu gjithҫka ka ndryshuar veҫ meje.
Të gjithë lumturohen kur ikin, jo kur kthehen.
Fëmijët po lindin më rrallë e më herët.
Vajzat lyejnë sytë; burrat luajnë derën
Dhe bota është mplakur prej heshtjes.
Një hënë e kuqe dhe një stuhi e zezë
është krejt sa mbahet mend. Kanë vdekur
Ata që këndonin në dasma. Kanë mbetur
Ata që s’duan të martohen më.
Këtu gjithcka ka ndryshuar me rrënjë…