Alban Bala: Nëse ti nuk do të jesh e imja!

Poezi nga Alban Bala

Nëse ti do të zgjedhësh të mos jesh e imja
Siç i përket mëngjesit vija e horizontit

Nëse ndalesh në pragun tënd prej vese dhe më thua
Se zogjtë nuk i bashkon asgjë me fluturimin dhe me erën

Nëse zgjedh të jesh veç gropa ku unë bie
Një herë në njëmijë vjet
Siç bien nga qielli- në çdo fillim bote – detet

Nëse ti ul kokën e shqipton lehtë “nuk mundem”
Nëse ti nga dhimbja përgjunjesh a thyhesh si një pemë.
Ka edhe pemë që vdesin në pranverë, e di?…

Nëse sheh nga ajri bosh e vjeshtën derdh mbi sytë
si gjethe pa u zverdhur, nëse zgjedh
Të ikësh në mosqenie për t’u fshehur
Pas një loti që s’më le ta pi kur kisha etje.

Nëse thua se bota s’na përket, se është shumë vonë
Me gishta të trëndafiltë e largon horizontin.

Nëse zgjat’ të thuash “unë” kur mendon “ne”
Ke frikë ta jetosh dritën si bekim
e frikshëm zgjedh të strukesh, të lotosh, të vuash vetëm
a të shkrepëtish mbi botë e verbër si një re,
që rri në qiell e vetmuar, plot lumenj
dhe gjarpërinj të nxehtë vet’timash që nuk djegin.

Nëse ti do të zgjedhësh të mos jesh e imja,
nëse zgjohesh atë ditë, të lutem mos më zgjo.
Atë ditë do të vdes…

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBAN BALA: TË KAM KËNDUAR PAFUND

të kam kënduar pafund këngë,
mbrëmje të zhytura në koncerte shirash
muzikë kujtimesh, muzikë e dhomës
tënde
në ngjyrë dëshirash

të kam kënduar ninulla
edhe në mëngjes; më shpesh mesnatës
të kam thirrur me tinguj
pëllumbash të mbetur jashtë
folesë tënde ngjyrë mjalti…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU