Alban Bala: Pa frymë do jetoja, por pa ty është vështirë…

Poezi nga Alban Bala

Jam veshur me aromën tënde si muzgu me dritë,
Pa frymë do jetoja, por pa ty është vështirë.
Eci në gjurmë ëndrrash që u shkruan para se të vije
Dhe jam gjithnjë vetë i dytë…

Jam ti – si shkëlqim – mbi një qeshje fëmijë,
Jam këndi i dritës mbi gjithçka që di.
Brenda syve të tu dhe buzëve që s’binden
Flen përjetësia dhe koha ime e rimtë.

Asgjë nuk më përfshin si ti; nganjëherë vetmia
Flet me zërin tim. Por dhe ai s’është i imi.
Jehonash vibrojnë largësite si yje
Dhe qielli bën strehë për dy stinë. Po vjen dimri.

Në sqetull pranverash shirat blegërojnë
Harrimin e staneve ndër pyje.
Kam nisur të të kërkoj dhe kur je pranë meje
Si njeriu që nuk ngopet pasqyrash.

Pa frymë do jetoja, por pa ty është vështirë
Vetja ime…

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBAN BALA: TI JE PËRHERË ATY KU TË PRES