të kam kënduar pafund këngë,
mbrëmje të zhytura në koncerte shirash
muzikë kujtimesh, muzikë e dhomës
tënde
në ngjyrë dëshirash
të kam kënduar ninulla
edhe në mëngjes; më shpesh mesnatës
të kam thirrur me tinguj
pëllumbash të mbetur jashtë
folesë tënde ngjyrë mjalti
kam thurur vargje me shtizat
e vajzërisë sate
kam nxjerrë fjalë nga zjarri
si gështenjat e pjekura në mes të dhjetorit
kam matur
heshtjet e tua me nota të gjata flauti
dhe pastaj jam rikthyer me pentagramin e gishtave
për të ulur notën e plotë të buzëve të tua
dhe për ta luajtur me një puthje
që nuk mbaron kurrë
krejt mallin tim për sytë e tu…
ObserverKult
____________
Lexo edhe:
VIDEO-POEZI: “TË KAM DASHUR DHE URRYER TËRË JETËN”, LEXON AUTORI RIZA BRAHOLLI
Tërë jetën të kam dashur, adhuruar pëllumbeshë.
Me krahë e pupla, sy të perëndishëm e çapa të lazdruar,
Ti ishe liria, ëndrra fluturake, burgu m’i dashur për mua,
Ishe dashuria e lirë e botës: e së sotmes, filluar kahershëm,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
Jam drithëruar, dëshiruar, ndaj, të paktën, veç njëherë
T’i ktheje sytë e shkruar e të bëheshe qiell për mua
Edhe pse nuk prita kurrë, kurrë të më jepje ç’desha, ç’dua,
Ti ishe ëndrra, ylli që më bëri të vrapoj pas tij i shkretë,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
Poezinë e plotë e gjeni KETU