Poezi nga Alban Bala
Të rënda mbrëmjet pa ty në Tiranë
Orët e vakura që fiken nën blirë
Guri i nxehtë i hënës, rrugicat si blana
Plagësh të vjetra shenjuar me dritë
Janë të rënda mbrëmjet pa ty në Tiranë
Harresat që fsheha nëpër rrugët që s’njihen
Qyteti i shkruar imët me zëra vajzash
Sheshet e mbetur pa frymë si dhimbje
Farmacitë më kujtojnë prindërit: dyert e tyre të mbyllura.
Zërat e tyre të plakur kërcejnë ende nga kryqet
E gjelbër të reklamave, si barna
Që nuk e shërojne më vetminë time.
Janë të rënda mbrëmjet pa ty në Tiranë…
ObserverKult
———————————
Lexo edhe:
ALBAN BALA: MUND TË KISHTE QENË ÇASTI YNË I FUNDIT…
Mund të kishte qenë çasti ynë i fundit,
Hera e fundit, dita e fundit, fryma
E fundit që i dhuronim ëmbël njëri- tjetrit.
Fjala jote e mbramë ishte ende mes nesh
Si një flutur në ajrin e trembur.
Nuk t’i shihja sytë. As duart. Të mendoja
Ndërsa bota dridhej gati per t’u shembur:
A mjafton dashuria për të mbetur gjallë?
A mjafton malli për ty për të mos vdekur?
Pastaj bota u ndal, drita mori ngjyrë dhe heshtja,
Më tregoi se jeta ndrin dhe mbi rrënoja,
Që nuk erdhën sot sepse unë të dua,
Ashtu si fatin e shkruan mirënjohja.
Mund të kishte qenë çasti ynë i fundit,
Dhe çasti ynë i parë i një bote…