Alban Bala: Ti e ke ditur që të kam dashur gjithmonë!

alban bala

Poezi nga Alban Bala

Ti e ke ditur që të kam dashur gjithmonë.
Isha përherë aty ku ti sa kishe ikur
Ose aty ku do arrijë, në pragun e syve të mi të mbyllur.
Edhe pa të parë, arrija të të shihja.

Ti gjithmonë e ke ditur që të kam dashur, të kam pritur
Edhe kur s’e dija se ishe, kur s’kisha lindur.
Në gjakun e nënës sime ti ishe virtyti
Ishe ngjyra e kuqe e udhëtimeve, ikjeve
Malli i trishtë, e bardha e gëzimit, kthimi.

Në ëndrrat prej fëmije të kam shquar si hije
Që më fliste për dashurinë, më rriste.
Më vonë jemi parë në të njëjtën pasqyrë
Në orë të ndryshme të qiellit…

Detet i ndan një cipë hyjnore dhe i bashkon kripa.
Ne na ndajnë dhe na bashkojnë ditët.
Jemi një dashuri që ka dy trupa dhe një shpirt
Dy zemra që përkulen hijshëm

Me të njëjtin ritëm; jemi dy orë të ndryshme
Tregojmë kohën e ikur, fëmijën
Qenien e lindur nën shenjën e dashurisë
Në të kuqen e ndarë pergjysëm të virtytit…

ObserverKult

——————————————————–

Lexo edhe:

ALBAN BALA: MUND TË KISHTE QENË ÇASTI YNË I FUNDIT…

Mund të kishte qenë çasti ynë i fundit,
Hera e fundit, dita e fundit, fryma
E fundit që i dhuronim ëmbël njëri- tjetrit.
Fjala jote e mbramë ishte ende mes nesh
Si një flutur në ajrin e trembur.

Nuk t’i shihja sytë. As duart. Të mendoja
Ndërsa bota dridhej gati per t’u shembur:
A mjafton dashuria për të mbetur gjallë?
A mjafton malli për ty për të mos vdekur?

Pastaj bota u ndal, drita mori ngjyrë dhe heshtja,
Më tregoi se jeta ndrin dhe mbi rrënoja,
Që nuk erdhën sot sepse unë të dua,
Ashtu si fatin e shkruan mirënjohja.

Mund të kishte qenë çasti ynë i fundit,
Dhe çasti ynë i parë i një bote…