Alban Bala: Ti nuk ma ke treguar gjithë të vërtetën mua

Ti nuk ma ke treguar gjithë të vërtetën mua
Nuk ma ke thënë sa më do, sa të mungoj netëve
Sa shumë të peshon errësira mbi supe,
Sa druan
Vesën që luan mjegullash mbi gjethe.

Nuk më ke thënë cila aromë më rikthen
Tek buzët e tua ku heshtja fryn si dritar’e hapur
Nuk më ke treguar çfarë ta prish më shumë gjumin
Mungesa ime apo ëndrrat e tua që s’flasin

Nuk më ke kënduar tash sa kohë asnjë këngë
Nuk më ke parë si zambakun deri thellë tek pistili
Që dridhet përmallshëm brenda kupës së argjendë
Nuk m’i ke vizatuar me frymën tënde sytë

Tash balli im është si një shkëmb që bie
Dhe duart janë pemë që përqafojnë veçmas erën
Dhe fjalët janë jehona e këmbët janë hije
Të trupit që dikur më sillte pranë teje.

Ti nuk ma ke treguar gjithë të vërtetën mua
Sa shumë të merr malli, sa shumë të udhëtohet
Drejt visesh ku unë jam më shumë se veç një lutje
Drejt qiejsh ku pranvera kur vjen edhe jetohet

Ti nuk ma ke treguar gjithë të vërtetën mua…

ObserverKult


lamtumirë jane austen teodor fontan

Lexo edhe:

ALBAN BALA: TË RËNDA MBRËMJET PA TY NË TIRANË…

Poezi nga Alban Bala

Të rënda mbrëmjet pa ty në Tiranë
Orët e vakura që fiken nën blirë
Guri i nxehtë i hënës, rrugicat si blana
Plagësh të vjetra shenjuar me dritë

Janë të rënda mbrëmjet pa ty në Tiranë
Harresat që fsheha nëpër rrugët që s’njihen
Qyteti i shkruar imët me zëra vajzash
Sheshet e mbetur pa frymë si dhimbje

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult