Koha fluturon më shpejt se dëshirat tona
Më shpejt se ëndrrat që i humbëm rrugës
Vjeshta me gjethet bashkë na rrëmben edhe vitet
E ndihemi gjithmonë e më të trishtuar
Gjithmonë e më të humbur…
Koha fluturon më shpejt se dëshirat tona
Mbrrijmë në moshën e prindërve tanë
Të thinjur si ata qeshim me ëndrrat e dikurshme.
Dashuria na flet me gjuhën e kujtimeve
Të shkuarën e masim me ndërrime stinësh
E ardhmja rëndon sa pesha e guximit.
Ne jemi lodra në duart e fatit
Na u desh kohë ta kuptojmë këtë
Por në fund e kuptuam
Avujt e dëshirave u ngjitën qiellit
Gjithmonë e më tepër ndihemi vetëm
Gjithmonë e më tepër të vetmuar
Përrallat që mësuam në fëmijëri
Na përqeshin me sytë e fëmijës që qan
brenda nesh
spektatorë të heshtur i kalojmë jetës përbri
shohim stinët si ndërrohen e ikin pa kthim
hije të vetvetes së dikurshme pakuptuar
bëhemi gati me thënë lamtumirë….