Albana Beqiri: Mos u merr me Zotin zemër, ai e di pse më zgjodhi mua!

albana beqiri

Nga Albana Beqiri

Bënte ftohtë, një i ftohtë hileqar si rëndom ishte i ftohti i Tiranës, i tillë që të futej në lëkurë duke tu ngjitur si një rrodhe e bezdisshme, rehatohej aty në hapësirën mes mishit e lëkurës, i paturpshëm dhe kryeneç, i gatshëm si gjithmonë për me t’i blue pak nga pak eshtrat. Jashtë kishte filluar të binte shi, një shi i shtruar, asi lloj shiu që edhe po të ishe mirë të zgjonte ndjenja nostalgjie e depresioni. Edhe pa atë shi, Diana ndihej si mos më keq, e lënduar dhe e shkatërruar, ngjasonte me një pragstuhie që mezi ku e priste shpërthimin.

Ishte ulur në një cep, aty brenda depos së vogël të shtëpisë, e cila qëkur ajo e mbante mend veten ishte e mbushur me ushqime, enë kuzhine, apo gjësende të tjera shtëpiake që gjyshja dhe e ëma i hiqnin nga sytë e pjesëtarëve të tjerë të familjes për t’i “syrgjynosur” në atë hapësirë që ishte destinuar enkas për to.

Aty, mes atyre gjësendeve, ku Diana gjithmonë gjente diç për të gërcmuar, ndonjë arrë, karamele apo ndonjë pemë të stinës, ishte dhe një stol i vogël që gjyshja e kishte vendosur për ta përdorur si shkallë kur donte të mbërrinte ndonjë enë apo ushqim të vendosur në raftet e sipërme, ky stol ishte për Dianën orendia më e dashur e asaj hapësire, ajo ulej aty gjithmonë sa herë kyçej brenda depos për t’i ikur syve kureshtarë të pjesës tjetër të familjes.

Prej se kishte qenë fëmijë e derisa për të krijuar familjen e saj e la shtëpinë atërore, kjo hapësirë e vogël depojeje kishte qenë vendi i saj sekret, ku Diana fshihej sa herë ishte e mërzitur, e trishtuar, e thyer, e zhgënjyer, e vrarë apo çkamos, aty qante, shfrynte dhe i ikte botës për të qenë vetëm me vetveten. Dhe ja përsëri, pas kaq shumë vitesh, kur vetë ishte grua e rritur dhe nënë, dhe moti e kishte lënë strehën atërore, u gjend në atë vendin e saj që atëherë e kishte menduar sekret (vonë, shumë vonë e mori vesh se vendi i saj sekret nuk kishte qenë kurrë i tillë, të gjithë të shtëpisë e dinin se ajo fshihej aty në të gjitha herët që ndihej keq), stoli ishte ende aty mes gjësendeve që e mbushnin depon, i njëjti stol i vendosur prej gjyshes, sikur të kishte rigjetur strehën e saj më të sigurtë në botë, ajo u plas në të si një thes mielli dhe ja plasi të qarit, me ngashërima e gulçe që sa vinin e shtoheshin dhe tregonin për gjithë atë dhembje që ajo mbante brenda vetes.

-Pse? Pse? Pse?, pyeti veten, pse gjithë kjo gjëmë, gjithë ky mallkim?

-Sepse, sepse, sepse…, nuk e kishte dëgjuar derën e depos të hapej e as hapat e Borës të afroheshin, njohu vetëm zërin e saj që vinte s’di se nga ku, nuk pati fuqi as të ngrinte kokën, ishte e bindur se Bora nuk ishte aty, edhe ato pyetje ajo i kishte bërë pa zë, kështuqë Bora, e vogla e motrës edhe po të kishte qenë aty nuk kishte nga t’i dëgjonte, koka i ishte rënduar si para gjumit dhe mendimet po i ngatërroheshin në kokën e mbushur plot pikëpyetje e mllef, donte vetëm të zhdukej në hiç, gjumë apo kudo qoftë tjetër, që kur të kthehej apo të zgjohej sërish, të kuptonte se asgjë nga këto gjëra që po ndodhnin me shpejtësi marramendlse nuk ishin të vërteta, se gjithçka kishte qenë një ëndërr e keqe a një makth i tmerrshëm që nuk do të përsëritej më. Kur të zgjohej apo të kthehej, Bora do të ishte po aq e shëndetshme sa më parë, po aq e hareshme sa kishte qenë derisa dikush, një mjek idiot i kishte thënë se në atë trup të shëndetshëm e rinor, qelizat kanceroze kishin zënë vend si në shtëpinë e tyre e po përhapeshin me shpejtësi duke dashur të fitonin sa më shumë terren. I flihej, por dhembja që po i përhapej rrufeshëm në trajtën e vajit dhe gulçimës nuk e linte t’i jepej humnerës thithëse të gjumit, aty ku mendonte se mbase do të gjente shpëtim nga e gjithë kjo dhembje që e kishte kapur për fyti dhe nuk po e lëshonte.

Ndjeu mbi supe dy duar që e përkëdhelnin butë, në të vërtetë duhej të ishin dy duar imagjinare që i kishte shpikur dëshira e saj për pak ngushëllim në këtë katrahurë të tmerrshme, sepse ishte e bindur se aty në atë hapësirë aq të ngushtë, ngushtuar edhe më shumë nga rraqet shtëpiake, madje bënte be se nuk kishte ndier kurrfarë kërcime të derës, asgjë të këtillë prandaj asnjë shans nuk kishte që aty në atë hapësirë që dikur e quante dhoma e saj sekrete, të kishte edhe ndonjë frymor tjetër, ndonjë shpirt mbase, por njeri të gjallë jo.

Kishte diçka që e ndalonte të ngrinte kokën e vendosur mes këmbëve në atë pozicionin mbrojtës të fituar nga fëmijëria, diçka që ishte përtej saj dhe ajo Diana, shtylla e familjes që kur babai kishte ndërruar jetë, ajo Diana e fortë nuk mundej as ta komandonte e lëre më që ta kuptonte, ishte diçka e ngjashme po aq e pakontrollueshme dhe e pakuptueshme me gjithçka që po ndodhte me shpejtësi marramendëse.

Bëje Zot, ëndër, i tha vetes, pothuaj e bindur se Zoti kudo që të ishte, këtë herë do ta dëgjonte lutjen e saj. Nëse nuk ia kishte dëgjuar lutjen kur ishte sëmurur i ati, këtë herë duhej t’ia dëgjonte me patjetër, duhej, sepse kur u sëmur babai ajo ishte tepër e re e ndoshta nuk kishte ditur të lutej mirë, ashtu si duhej, por këtë herë, këtë herë, ishte pothuaj në moshën e së ëmës kur kishte humbur të shoqin, prandaj lutja e saj ishte e shqiptuar ashtu si duhej, ishte një lutje e shkëputur prej shpirtit të lënduar, ngjasonte me një copëz të tij, Zoti duhej ta dëgjonte e ta kuptonte, nuk mund t’ia merrte të motrën, jo tani, jo kaq shpejt, jo kaq të re, jo nga kjo sëmundje.

-Unë nuk e kam vënë kurrë në dyshim egzistencën dhe drejtësinë tënde, iu drejtua në heshtje Zotit, as atëherë kur më more tim at, por tani, tani, oh pikërisht tani kam nevojë që ti të më tregosh se besimi im nuk ka qenë i kotë, se…
-Mos u merr me Zotin zemër, ai e di pse më zgjodhi mua, pse na zgjodhi ne me këtë përballje, ai bën punën e tij, ne tonën, ai para e ne pas tij,… këtë herë nuk mund të bënte sikur ky zë që e ndërpreu nuk ishte real, e as përkëdheljet e përqafimi që pasoi nuk ishin realë, Zot, Bora ishte aty pranë saj dhe sikur t’i kishte lexuar mendimet po mundohej t’i jepte forcë, ndërkohë që duhej të ishte e kundërta, forcë e gajret duhej t’i jepte Diana asaj, jo vetëm se ishte motra e madhe, por sepse ashtu duhej. Nuk donte ta ngrinte kokën, sepse nuk donte që Bora t’ia shihte lotët, që të qante në qetësi dhe larg të gjithëve e sidomos larg Borës dhe mamasë ishte fshehur në këtë cep të qetë, por kishte harruar se Bora si gjithë pjesëtarët e familjes ia dinin zakonin që të arratisej në vendin e saj sekret sa herë nuk ishte mirë.

Nuk e ngriti ende kokën, derisa ndjeu mbi vete përqafimin e së motrës, ajo kishte shtrirë krahët mbi bustin e saj të kruspullosur dhe po e shtrëngonte fort. Nuk mundi më t’i mbante lotët, shpërtheu edhe një herë në një vaj të thekshëm e plot gulçe, nuk e dinte as vetë sa zgjati kjo gjendje, sado që të kishte zgjatur nuk është se e çliroi ndopak, ideja e sëmundjes të së motrës ishte aty, po aq acaruese, e tmerrshme dhe frikësuese sa edhe ideja e vdekjes së saj të mundshme.

Për herë të parë që kur ndjeu vragullt praninë e Borës në atë të ashtuquajturin vendin e saj sekret, ngriti kokën, ndeshi vështrimin e saj me atë të Borës, çuditërisht sytë e kësaj të fundit nuk ishin të lotuar, ajo e shihte guximshëm sikur asgjë të mos kishte ndodhur dhe Dianës sërish iu qa, iu qa sepse e kuptoi përpjekjen titanike të së motrës për t’i dhënë gajret, kur në të vërtetë duhej të ishte e kundërta, gajret duhej t’i jepte Diana asaj.

-Pse kjo botë është kaq e padrejtë?, e pyeti të motrën mes lotësh e gulçesh që nuk po i ndalte dot, nuk kishte si t’i ndalte, ata ishin pasqyra e dhembjes dhe ajo kishte përshtypjen se tashmë veç ishte shndërruar në një dhembje gjigande dhe o Zot ishte kaq e pafuqishme para saj.
-Sepse gjithmonë ka qenë kështu, nuk u bë tani, thjesht për një çast shigjetat e saj i drejtoi nga ne, dëgjoi zërin e së motrës që tingëlloi aq i mprehtë dhe pa ndonjë vibrim prej ndonjë ngashërime apo gulçi të vetkuptueshëm për raste si ky.
-Por është kaq e padrejtë, kaq e padrejtë…, Diana nuk i ndalte dot gulçet.
-Padrejtësitë ndodhin zemër, kudo, kurdo, gjithë kohën, e jona është të qëndrojmë, tu rezistojmë atyre, zëri i Borës vinte në veshët e saj si prej një bote tjetër dhe ajo shpërtheu sërish në gulçe.

Ndjeu duart e Borës që iu drejtuan për kah koka, të cilën ia tërhoqi butësisht në gjoksin e vet sikur donte t’i thoshte: qaj, qaj në këtë gjoks, i cili shumë shpejt mund të mos jetë më…, por e motra me fjalë i tha të kundërtën: mos qaj më zemër, boll për sot, do kesh kohën e gjithë botës të qash më vonë…
Nuk mund t’i ndalte gulçet që i dilnin valë valë prej gjoksit që i dhembte prej kësaj situate të përmbysur të jetëve të tyre, prej frikës që e shponte tejepërtej si tyrjelë, prej fjalëve të Borës, prej gjithçkaje…

Vijoi të qante sikur kjo të ishte gjëja e vetme që duhej të bënte në ato momente, as vetë se mbante mend sa zgjati kjo, ndoshta gjatë, ndoshta nuk do të ishte ndalur kurrë nëse nuk do ta kishte dëgjuar njëfarë britme urdhëruese të Borës: boll më, boll…
Lotët iu ndalën si me magji, ishte hera e parë që Bora shpërthente, që kur ishte diagnostifikuar me kancer asnjëherë, askush nuk e kishte parë të qante apo të jepte veten, Diana e kuptoi se me gjasë e kishte tepruar, me lotët dhe gulçet e saj e kishte rënduar edhe më shumë të motrën, zgjati dorën t’ia kapte kryet e t’ja afronte nga vetja dhe kur u bë gati t’i kërkonte falje e motra ia priti e para: këtë herë të ngushëllova unë zemër, radhës tjetër kur të fshihemi sërish këtu e ke ti radhën të më ngushëllosh mua.
Një lot, i pari lot që Diana i pa në sy, i rrëshqiti ngadalë, me hapin gjarpërues të një hileqari të padëmshëm dhe Bora nuk e fshiu, e la t’i rridhte fytyrës qetë qetë derisa ai lot ndolli tjetrin e kështu me radhë lotët piknin butë pa ndonjë nguti as të bëheshin gulçe e as të ndaleshin.

-Motra ime e vogël është sëmurë nga kanceri, unë e shoh si tretet dhe nuk kam çfarë të bëj, nuk di si të sillem, nuk di, nuk di… Diana shihte lotët e prajshëm të Borës dhe çuditërisht nuk qau më.
-As unë nuk di çka të bëj, besomë nuk di… është sikur një morsë gjigande po më gëlltit rropullitë dhe unë nuk di si t’i iki, si të shpëtoj prej kësaj gjendjeje, por a e di çka zemër?, kam pranuar gjithçka dhe kam kuptuar se padija nganjëherë është shumë e mirë, mbase shpëtim..
-A ke frikë?
Pasoi një heshtje që pastaj u mbush prej një ngashërime, ishte ngashërima e Dianës jo e Borës, e cila vazhdonte të qante, por gjithmonë prajshëm e pa ngashërima apo gulçe si motra e saj e madhe.
-Jo, kjo përgjigje e prerë, por e thënë butë sikur e theri në vesh, nuk arrinte ta besonte se Bora nuk kishte frikë, po vdiste frike vetë Diana e kështuqë nuk e diskutonte fare frikën e Borës, ishte frika më e përligjur në botë.
-Të paktën jo më. Jam mësuar tani me idenë e vdekjes e pak nga pak ajo po kthehet në një gjë të zakonshme. A e ke dëgjuar atë shprehjen: vdekjen e kemi më afër se këmishën e trupit? Unë jam mësuar ta kem më afër edhe se lëkurën e kam mbërritur deri në atë pikë sa ta kem komoditetin që të fle me të çdo natë në të njëjtin jastëk, pa u shqetësuar se po më cik…

Diana nuk fliste, e kuptoi se nevojën më të madhe për të folur e kishte e motra që deri më tani nuk kishte thënë asnjë fjalë për sëmundjen, për dhembjen e saj apo frikërat që e mundonin.

-E di ç’bëra ditën e parë që e mora vesh se jam e sëmurë?, zëri i Borës dukej se vinte nga një planet tjetër e Diana nuk pati fare nevojë ta pyeste qoftë edhe me sy: çfarë?, sepse Bora që dukej se nuk e kishte mendjen fare te ajo që po thoshte vijoi e patrazuar, e humbur plotësisht në mendimet a kujtimet e veta.
-Nuk po flas për momentin kur ma tha mjeku, ti ishe aty me mua dhe e mban mend më mirë edhe se unë. Po flas për ditën e parë, pasi u gdhiva jo më si një njeri i shëndetshëm si tregonte pamja ime, por si një e diagnostifikuar me kancer si tregonin letrat e doktorëve. Është e tepërt të të tregoj se atë natë nuk vura gjumë në sy, gjithfarë mendimesh shumica e të cilave ishin për vdekjen e afërt që më priste, ma trazonin mendjen që edhe ashtu kishte filluar të çmeritej nga tmerri i atij lajmi. Sapo zbardhi, dola gati me vrap rrugëve dhe shikoja njerëzit e pakët që nxitonin për në punët e tyre, shikoja pemët, rrugët, ndërtesat e objektet, gjithçka, ishin të njëjtat para të cilave kisha kaluar me vite, i kisha parë shkarazi, i kisha marrë të mirëqena pa e kuptuar sesa e lumtur kisha pasë qenë me praninë e tyre të pazëshme.

I vështroja sikur të vështroja një mrekulli, e pra ato aty kishin qenë gjithmonë: edhe rrugët, edhe pemët, edhe ndërtesat, vetëm se, vetëm se, ah sa keq, ato do të vazhdonin të qëndronin aty edhe kur unë të mos isha më. O Zot, unë isha e sëmurë dhe do vdisja!… Më erdhi keq për veten që një nga ditët e ardhshme, mbase pas një jave, pas një muaji, pas tre, pesë a nëntë muajsh apo nëse do të kisha pak fat pas një viti, do të mbyllja sytë, përgjithmonë dhe nuk do të mund të shijoja lumturinë e të pasurit të këtyre gjërave kaq të thjeshta, të cilat i kisha marrë të mirëqena njësoj si shëndetin, njësoj si rininë, njësoj si çdo gjë tjetër.

Mendjelehtë, i thashë vetes në ato çaste, ti as me nënën tënde nuk ke ndejtur aq sa duhet, sepse gjithmonë ke menduar se ke kohë. Por koha nuk është gjithmonë në dispozicionin tënd, nuk është një sustë apo buton që mjafton ta prekësh dhe bam, menjëherë bëhet e jotja. E sheh pra?, as kohë nuk ke më, gjithçka e jotja është e limituar, gjithçka, e ndërsa isha zhytur në këtë monolog pa të ardhme, kur po kaloja para një dyqani hodha vështrimin në xhamat e tij që ngjasonin me pasqyra, ajo që pashë ishte e çuditshme: një femër e re, ende shumë e re, së cilës fytyra po i pëllciste nga shëndeti, e ku ishin ato dreq qeliza vrasëse, gati bërtita me inat, ku dreqin ishin fshehur?

Pasqyrë gënjeshtare bërtita, pa e kontrolluar dot veten, unë as të pyeta kush është më e bukura, thjesht desha të shoh shenjat e sëmundjes, por ti hiç, mi fshive si me gomë, po më gënjeeeen…shyqyr që ishte një mëngjes i hershëm e nuk kishte njerëz rrotull të më merrnin për të marrë, për një çast pata ngasjen t’i thyeja ata xhama gënjeshtarë, madje u ula dhe mora një gur nga rruga, por për fat e ndala veten në momentin e fundit, unë mund të isha vërtet e sëmurë, por ende jo e çmendur, ende sëmundja nuk ma kishte mpirë mendjen. Atëherë mora rrugën drejt parkut të madh, gjatë gjithë udhës nuk ngopesha me aromën e mëngjesit, asnjëherë më parë nuk isha zgjuar kaq herët, asnjëherë më parë nuk kisha parë sesi zgjohet një qytet, nuk i kisha parë e dëgjuar zhurmat e para të zgjimit, tingëllimat e para të dyerve kur hapeshin nga njerëz ende të përgjumur për të shkuar në punët e tyre, as zhurmat e kamionëve që furnizonin dyqanet dhe lokalet e shumtë, as lehjet e largëta të qenëve që në mungesë të gjelave, lajmëronin ardhjen e një dite të re, e kisha humbur këtë ndjenjë lumturie duke fjetur gjumë në këto mëngjese të bukura dhe mu qa, jo aq për faktin se i kisha humbur, por për atë se shpejt do të vinte një ditë që do të humbja përgjithmonë privilegjin e të qënit gjallë, të jetës.

Kur mbërrita te parku vrapova me një frymë deri në pikën më të lartë të një rrëpire dhe atëherë fillova të ulëras me të madhe. U shtriva në tokë, i rashë tokës me grushta sikur të ma kishte ajo fajin dhe ulërita sa kisha fuqi, ulërita fort e thekshëm derisa nuk kisha më zë, i shterra të gjitha lotët e keqardhjes për veten dhe aty vendosa të mos dorëzohesha, të luftoja deri në fund. Prej asaj dite, lotët e parë janë këta që derdha sot me ty zemër. E meqë ti je më e frikësuar se unë, do doja të bënim një pakt: për shkak se koha ime është e limituar, hajde ta jetojmë sa më bukur që dimë, ta shtjerrim kohën, ta jetojmë jetën. Dhuratë është, dhurata më e çmuar, secila ditë e saj është dhuratë, secili sekondë i ditës është dhuratë… ta jetojmë pa të qara, pa keqardhje. Të thashë, padija nganjëherë është lumturi, është shpëtim, sa mirë mos me ditë kur e kemi vdekjen, ç’padije e bukur!

Tani hajde të shkojmë, të tjerët janë mbledhur e po na presin, Bora i hodhi edhe një herë dorën mbi sup Dianës dhe e tërhoqi nga vetja, e përqafoi fort dhe pastaj ja fshiu lotët.
-edhe dy gjëra po kërkoj prej teje zemër, e para, këtë dhomëzën tënde “sekrete” të ma huazosh për ca kohë mua dhe e dyta, kur të vijë çasti i fundit, edhe nëse jam e shtrirë mes tubash të më çosh në këmbë, i kam premtuar vetes se do të vdes në këmbë dhe duke kënduar e në mos paça as zë e as fuqi për të kënduar, do këndosh ti për mua, por para …
-Është tepër shpejt të flasim për vdekjen, asnjëherë nuk është koha të flasim për të, nuk ja vlen. Ti do jetosh gjatë zemra ime, sepse shpirti yt është luftarak, në pleqërinë e thellë mund të flasim se cila cilën do ta çojë nga shtrati i vdekjes për të vdekur në këmbë, e ndërpreu Diana, e cila i zgjati gishtat te buzët sikur donte t’i thoshte pusho, boll më.
Të kapura për qafe dolën nga depoja e vogël, pa lotë në sy dhe pothuaj të qeshura, gjithë ata familjarë që i prisnin në sallonin e shtëpisë atërore nuk duhej t’i shihnin të përlotura, të rrëzuara, të lënduara.

Ecën me hap të sigurtë, të palëkundur nga dhembja dhe frikërat. Përpara kishin një betejë që duhej ta fitonin, për veten, për të gjithë ata njerëz që e kishin humbur betejën me kancerin, për nënën e tyre që në heshtje i lutej Zotit që t’ja merrte shpirtin asaj e jo së bijës, për babain e tyre që vite më parë nuk ja kishte dalë dot, për jetën, e, edhe sikur kjo të ndodhte, Bora e dinte se asgjë nuk do të ishte më si më parë, asgjë!
As ajo vetë!

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: UNË GJITHMONË KTHEHEM TEK TI