Bija ime (preferoj të mendoj se po të kishe lindur, Ti do ishe patjetër vajzë…)
E di se ndoshta nuk kam asnjë të drejtë të shkruaj Ty dhe për Ty. Të gjithë mendojnë që isha tepër egoiste që vendosa njëanshëm (në të vërtetë s’di kujt tjetër mund t’i takonte ky vendim) që mos të sillja në jetë fëmijë e meqë këtë letër po ta shkruaj Ty, mos të të sillja në jetë Ty! Për shumë vite edhe vetë kam menduar se ata kishin të drejtë. Me raste e kam akuzuar veten se nuk kisha ndjenja mëmësie, derisa pothuaj një dekadë më parë, Zoti më përballi me përvojën më të hidhur të jetës sime. Atë moment që mjeku më kumtoi sëmundjen e rëndë, besomë që nuk mendova për vete. Mendimi i parë që erdhi njëherazi nga vetëdija dhe nënvetëdija ime, nuk ishte as frika e as keqardhja për veten. Jo! E para gjë që i thashë vetes në ato çaste ishte: shyqyr që nuk kam fëmijë! Kush do ma rrisë kur të vdes?!…
Ishte momenti kur e kuptova se Ty të doja më shumë se gjithçka, më shumë edhe se veten. Frika se çka do të ndodhte me Ty pas vdekjes sime, më kishte kapluar në mënyrën më të ankthshme, aq sa ma zinte frymën. Kur u kujtova se Ti nuk ishe dhe asnjë e keqe nuk të kanosej nga mungesa ime e mundshme, mora frymë e lehtësuar a thua kisha hequr nga supet një barrë të rëndë. Iu riktheva vetes dhe lajmit të kobshëm. Prej atij momenti nuk e akuzova më veten për mungesën e ndjenjës së mëmësisë. Kuptova se e kisha atë ndjenjë më shumë se plot nëna që i braktisin apo keqtrajtojnë fëmijët e tyre. Por, të mos flasim më për sëmundjen dhe luftën time me të. E rëndësishme është se pas 10 vjetësh unë jam këtu dhe po të të shkruaj këtë letër.
Tash jam e qetë dhe pa brenga. Doja vetëm të të thoja se nuk kam qenë egoiste. Nuk kam pasur frikë se Ti do ma komplikoje jetën apo se egzistenca jote do të ishte një barrë e rëndë për mua. Përkundrazi! E kam ditur atëherë, e di edhe tani: të kam dashur aq shumë, sa nga dashuria e madhe të kam mbrojtur që pa u ngjizur… Të kam mbrojtur nga bota dhe ligësia e saj. Kam pasur aq shumë frikë të të përballja me botën… kam patur aq frikë se nuk do mundesha të bëja më të mirën për Ty, se nuk do të të siguroja një jetë më të mirë se timen. Fatkeqësisht po del se kam pasur të drejtë… Kur shoh se si e kemi katandisur këtë vend, sesi e kemi katranosur ëndrrën për një jetë dinjitoze, sesi e kemi përkequr veten dhe sesi e kemi çuar për dreq të ardhmen jo vetëm të vetes, por edhe atyre pas nesh, me dhembje pranoj se me pafuqinë time për të ndryshuar diçka në këtë realitet përçudn nuk do të mund të të siguroja një jetë më të mirë. Do të haja veten në heshtje duke bërë atë që po bëjnë të gjithë njerëzit e mirë e të ndershëm të këtij vendi: fajtore që me apo pa dashjen time isha pjesë e kësaj maskarade do lutesha të ikje larg, sa më larg këtij vendi të mallkuar. Për shkollim do ishte ideale, por edhe të punoje ndershmërisht do ishte e mirëseardhur! E meqë e vetmja gjë për të ndihmuar do ishte pagesa e një kursi të gjermanishtes nuk do hezitoja ta bëja një gjë të tillë me atë shpresën e vakët se mes ëndrrës amerikane dhe asaj gjermane (në të vërtetë nuk di të ketë një të tillë) do zgjidhje Gjermaninë… Së paku është më afër dhe jo përtej oqeanit…
Por Ti nuk je, ose më mirë të themi unë me vetëdije të plotë vendosa shumë vite më parë që Ti të mos jesh, prandaj nuk po justifikohem më pse e mora këtë vendim. Besoj se kam thënë mjaftueshëm.
Po sillem sikur Ti je dhe po të tregoj se si do të sillesha me Ty. Natyrisht si një nënë, por atipike.
Pikë së pari do ja bëja të qartë vetes e pastaj Ty, se vërtet je Bija ime, por jo prona ime. Një mësim nga ku do fillonte gjithçka në raportin tonë. Do shikoja përtej gabimeve të tua të moshës me tendencën të mos të të gjykoja, por të mundohesha të bëhesha pjesë e tyre. Nuk e di a është pretendim i madh ky, por gjithsesi do të tentoja. Pastaj, do mundohesha të mos përsërisja gabimin që urrej më shumë te prindërit e tjerë: për asgjë në botë nuk do të projektoja te Ty realizimin e gjithë dështimeve të mia! Përkundrazi! Në një moment pak më të relaksuar të raporteve tona (kam parasysh adoleshencën tënde që do doja të ishte sa më rebele) do merrja guximin që si para pasqyrës të të tregoja pa drojë dhe pa turp gjithë gabimet dhe dështimet e mia! Dhe ato janë aq shumë. Do të të thoja që e vetmja pasuri që do të lija ishin gabimet e mia. Mëso prej tyre ose bëj gabimet e tua dhe mëso prej gabimeve të tua. Unë për vete kam mësuar prej gabimeve të mia. Nëna ime ka qenë aq e pa të metë në sytë e mi, sa edhe sot kur vetë jam në mesomoshë vazhdoj të besoj se ajo nuk ka gabuar kurrë. Unë kam pasur një nënë të tillë: ideale dhe pa gabime, e cila më ka mësuar se e mira dhe e keqja janë kategori njerëzore dhe se unë pa asnjë mëdyshje duhej të zgjidhja të mirën, çdo herë të mirën! Rrugë të mesme nuk kishte! Dhe kështu, duke kërkuar të jem vetëm në anën e së mirës humba shumë kohë për të kuptuar se te njeriu egziston edhe engjëlli, edhe djalli, varet se kujt ia tregoje fytyrën e njërit e kujt të tjetrit… Këtë mësim e mora duke gabuar. Por meqë unë kam zgjedhur të jem nënë atipike, Ty do të t’i tregoja gabimet dhe dështimet e mia, me shpresën të mos humbje aq shumë kohë për të marrë mësimet e jetës. Do bëja çmos të të tregoja se nëna jote është mëkatare (për aq sa të bëjnë të tillë gabimet) dhe të shpresoja që të mos i bëje model të jetës këto gabime! Përkundrazi, të mësoje prej tyre!
Do ulesha pranë Teje, ndërsa Ti mësoje lëndët e shkollës së mesme, dhe këshilla kryesore do ishte ajo e çdo nēne: “mëso sa më shumë bija ime”, ndërsa nuk do mungonte këshilla e radhës, ajo se, nota nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, pasi duhet të provosh shijen e çdo note…
Që e vogël do të të mësoja shprehinë e të lexuarit dhe do të të mëkoja me dashurinë për librin me shpresën se nuk do mbeteshe e zhgënjyer nga pjesa tjetër e pasurisë që do të të linim trashëgim: biblioteka e madhe dhe e pluhrosur, vërtet aq e dalë mode tash në kohën e teknologjisë, por e vetmja pasuri që mundëm të ndërtonim yt at dhe unë!
Pastaj, kur Ti të ishe e kapluar në qerthullin e adoleshencës, do mundohesha që në heshtje të përballja çdo shpërthim tëndin. Edhe në mos nuk do kishte të tilla do të të mësoja të ishe adoleshente, sepse mësimi që vetë kisha marrë vite më parë ishte ai se, secila fazë e jetës është e pashmangshme dhe më e mira është të përjetohet në kohën e vet.
Do të të mësoja të ishe gjithmonë vetvetja dhe ta doje veten ashtu siç ishe, pa u turpëruar nga gabimet apo dështimet. Sepse edhe gabimet janë të bukura, ndërsa dështimet të bëjnë më të fortë. Jo të gjitha luftrat fitohen, prandaj duhet të mësoje ta përballje me dinjitet humbjen. E meqë fjala ra te dinjiteti, do të të mësoja se ai është thelbësor në jetën e njeriut dhe si të gjitha gjërat e tjera është një zgjedhje. Do lutesha që Ti ta zgjidhje atë. Është rrugë e vështirë ajo kah të çon dinjiteti, ti do mësoje të ecje nëpër të me kokën lart.
Do të mësoja të respektoje veten dhe tjetrin, pikë së pari veten, si më të çmueshmen pasuri. Por, dashuria për veten nuk mund të përligjë mungesën e respektit për tjetrin. Është momenti kur dashuria kthehet në ligësi. Të jesh e ligë nuk është zgjedhje, prandaj do të mësoja të mos bëje një zgjedhje të tillë. Asgjë nuk është e komplikuar në këtë botë: jemi ne vetë që ia komplikojmë gjërat vetes. Të bësh zgjedhjen e duhur në raport me tjetrin është shumë e thjeshtë: mjafton ta kthesh thikën kah vetja. Mendo si do e kishe përballur ti vetë atë që do t’i bësh apo thuash tjetrit. Kaq mjafton për të vepruar me urti. Por meqë do të të mësoja që në çfarëdo situate të silleshe me urti, kjo nuk do të thotë që do të të mësoja të heshtje. Gjatë jetës sime shpesh e kam dëgjuar fjalën “shuj”, qoftë si këshillë, qoftë si kërcënim, por unë nuk mësova kurrë të shuj, prandaj natyrshëm edhe ty do të mësoja mos me “shujtë”. Përkundrazi! Nuk ka asnjë arsye të qenësishme që të bëjë të heshtësh, kur duhet të flasësh! Kompromisi jo se jo! Prandaj e vetmja gjë që do të të mësoja për këtë pikë është fakti se jo gjithmonë heshtja është flori!
Inati dhe xhelozia janë mësuesit më të këqinj, prandaj gjithçka që do të të thosha është që të mos udhëhiqeshe prej tyre! E urrejtja vret! Njëjtë si dëshira për hakmarrje! Prandaj nuk është mirë t’i bësh shoqe! Nëse jeton me urrejtje dhe për hakmarrje së pari helmon veten! Shndërrohesh në njeri toksik që nuk e do askush! Dhe jeta pa dashuri është bosh! Njeriu lind të dashurojë dhe të dashurohet. E meqë mbërritëm te mësimi për dashurinë, do të të mësoja të mos i frigoheshe dashurisë. Por, në emër të dashurisë nuk duhet të shkelësh veten! Askush në këtë botë nuk ja vlen aq sa të të shndërrojë në diçka që nuk je e që çka është më e rëndësishmja nuk do që të jesh! Nëse dikush tenton ta bëje një gjë të tillë, nuk është fundi botës t’i japësh fund lidhjes me të. Nuk të ka dashur mjaftueshëm, përderisa nuk të ka pranuar ashtu si je. E rëndësishme është që Ti ta duash dhe pranosh veten ashtu si je! Të kesh guxim dhe të mos mposhtesh nga frika! Nuk duhet të frikësohesh në jetë, sepse ajo jo gjithmonë është si prehëri i ngrohtë i nënës. Ajo të përball me gjithçka, të ofron sfida, dhembje e shpesh pasiguri. Duhet të mos kesh frikë prej tyre, të mos thyhesh, sepse Ti je e fortë, Ti je yll që ndrin në universin tënd dhe atyre që të duan. Prandaj ji gjithmonë vetvetja! Edhe atëherë kur kjo duket e pamundur. Sepse Ti mund t’ja dalësh. Mos dysho kurrë në këtë. Ti je Ti, nuk je Bija e dikujt, as Gruaja e dikujt tjetër. Do të të mësoja të ishe vetëm Ti. Ti pa asnjë ndajshtim!
E di se do t’i merrja të gjitha këto mësime dhe do më bëje krenare. Pafundësisht krenare!
Ndoshta më sheh nga hiçi prej të cilit s’të nxora kurrë e nëse po, do doja ta dije se të kam dashur gjithmonë. Sipas mënyrës sime natyrisht!
Të dua ende! Ashtu si duan nënat!