
Të mbledhura në një vëllim, të parin nga Vepra e plotë katër vëllimshme e Basri Çapriqit, poezitë e tij vijnë si një klithmë që, ndonëse e shkruar me finesë, nuk kursen asgjë, as të shkuarën e sidomos të tashmen- modernen. Kjo poezi është e pasur me simbole, intertekstualitet dhe ndjenja të thella ekzistenciale. Përmes një gjuhe të kondensuar dhe imazhesh të fuqishme, poeti eksploron marrëdhënien e njeriut me kohën, natyrën, historinë dhe modernizimin. Nga mitet homerike e deri te realiteti bashkëkohor i migrimit dhe globalizimit, Çapriqi krijon një univers të vetin poetik ku e kaluara dhe e tashmja ndërlidhen përmes një filli të pandërprerë. Ai flet poetikisht me një gjuhë që e kapërcen hijshëm dimensionin e përshkrimit, duke u ngjitur në hapësira të thella metafizike, ku shpirti i njeriut përballet me frikën, shpërfytyrimin, vdekjen dhe me absurditetin.

Nga Albana Beqiri
Mjafton që thjesht t’u hedhësh një sy titujve të poezive të kësaj përmbledhjeje me poezi e të vëresh se sall ato, krijojnë një hartë të larmishme poetike ku mitologjia, historia, natyra, qytetërimi dhe ekzistenca njerëzore ndërthuren në një diskurs poetik të ngjeshur dhe polisemantik. Janë si një paradhomë e cila të drejton pastaj në të gjitha katet e të gjitha shtresimet e ngrehinës poetike të Çapriqit. E kur fillon leximin e poezive harta bëhet më e komplikuar -jo për ta kuptuar, -por në leximin estetik të krejt opusit poetik të Capriqit, në të cilin e kaluara dhe e tashmja dialogojnë përmes simboleve të fuqishme, duke e shndërruar secilën poezi në një reflektim të thellë mbi fatin, kohën dhe qenien.
Një pjesë e mirë e poezive të Çapriqit janë ushqyer prej dhe mbartin një frymë të spikatur mitike e epike, duke e ndjekur poetin (individin në fakt) përgjatë udhëtimit të tij të përhershëm e ku pashmangshëm ndeshen historia dhe moderniteti. Poeti shpesh e përdor mitin si pikënisje për të eksploruar tema universale. Kjo është veçanërisht e dukshme te poezia “E lashë Homerin te Porti” (fq 15), ku udhëtimi i Odiseut bëhet një me përvojën personale të udhëtarit bashkëkohor -poetit. Homeri, si figura epike që ka kodifikuar një nga rrëfimet më të mëdha të njerëzimit, mbetet i ankoruar në port, ndërsa poeti vetë e vazhdon udhëtimin duke mos u kthyer më. Sirenat dhe ishulli i Lopëve të Diellit bëhen simbole të tundimit dhe humbjes dhe reflektojnë dilemat ekzistenciale të njeriut modern. Vargu “Kalimera m’u ngatërrua në vela”, vetëm sa e spikat më shumë atë ndeshjen poetike mes udhëtimit mitik dhe realitetit bashkëkohor, duke krijuar kështu ndërlidhjen e pritshme mes lashtësisë dhe së sotmes. Ndërkaq rruga e kthimit që “zgjatej e zgjatej” sugjeron një përjetësi ciklike, një udhëtim që nuk ka fund, por vetëm kalime nga një formë ekzistence në një tjetër.
Ajo që vërehet te poezitë me këtë tematikë, është fakti se mitet nuk janë thjesht referenca historike, por shndërrohen në simbole të udhëtimit të njeriut modern, i cili, ashtu si Odiseu është i dënuar të endet pa një kthim të sigurt. Poezia “Udhëtim me Liburne” (fq. 27) hapet me një udhëtim mitik: “Nisemi me Liburnë nga Porti Ulcinium”. Që në vargun e parë, poeti na fton në një lundrim metaforik dhe historik. Figura e Liburnës (anije ilire) ka finesat e një simbolike të fortë detare, ku rrugëtimi nuk është më një aventurë heroike, por një proces i pafund i kërkimit të identitetit.
Një nga poezitë më të bukura të librit është “Dritaren lëre hapur” (fq.180). Kjo poezi luan funksionin e një portali të përhershëm mes jetës dhe vdekjes, trupit dhe metafizikës. Përsëritja rituale e vargut “dritaren lëre hapur” merr funksionin e një lutjeje, një formule apotropaike, ndërsa vizioni poetik bart një dramatikë apokaliptike ku fëmijët ikin nga zëri i poetëve, bishat zbresin nga malet dhe trupat ndoten nga brendësia. Vargu lirik “Dritaren lëre hapur” përsëritet obsesivisht dhe kjo formulë rituale, që hap çdo strofë, nuk është vetëm një kërkesë pragmatike, por një akt simbolik, një thirrje për hapje ontologjike. Dritarja është një simbol qendror në poezinë moderne, që nga Apollinaire e gjer te Elioti, dhe te Çapriqi ajo shndërrohet në një portë ndërmjet trupit dhe shpirtit, ndërmjet jetës dhe vdekjes.
Në hapjen, e cila kërkohet me ngulm nga poeti, qartësohet nevoja për të përballuar të vërtetën, për të dalë nga errësira e brendshme e pse jo edhe për të larë fajet: “çlirohu nga epshet nga faji/ përfalu me të vdekurit tuaj sidomos”. Shpirti nuk gjen prehje e as rehati te mbyllja dhe kështu poezia shndërrohet në akt purifikimi, ku hapja nuk është vetëm fizike, por para së gjithash ekzistenciale. Figura të tilla si bishat që zbresin nga malet, zërat e mprehur apo ushtima epike e poetëve krijojnë një ambient apokaliptik, por edhe profetik. Stilistikisht, poezia përdor një anaforë të përsëritur që i jep frymë rituale e liturgjike tekstit.
Poezitë si “Liria” (fq. 187) apo “Peshku i bukur” (fq. 268), shfaqen si një zë i pamëshirshëm, blasfemik në dukje, por që përçon thellësi ekzistenciale, e cila na sugjeron se, liria është veçse një barrë, një farsë e shtrydhur nga mitet moderne dhe retorika e zbrazët. Poeti këtu nuk kursen asgjë, as veten, as lexuesin, as idealet që duken të ndotura nga përdorimi politik e komercial. Liria, në një nga poezitë më të guximshme të Çapriqit shndërrohet në “një mut i madh”. Ky varg nuk është fyerje, por është akt i shenjtëruar rebelimi. Ai përmbys diskursin zyrtar për lirinë, e cila, në përvojën shqiptare dhe ballkanike, shpesh ka qenë retorikë që fsheh skllavërinë e re. Vargjet “ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë/ ma marrin frymën” evokojnë një dhunë të butë, të heshtur, por shkatërruese, një formë postmoderne kjo e dhunës.
Një poezi që tingëllon si epitaf poetik është ajo e titulluar “Të kanë parë tek u lexon vargje atyre në Had” (fq. 265-266), me anë të së cilës përmes një dialogu metafizik poeti nderon Ali Podrimjen. Vdekja këtu nuk është ndarje, por një marshim tjetër ku poeti bëhet përcjellës i zërit. Vargjet marrin funksionin e lëvizjes së shpirtrave, poeti zgjat urën përmes lumit Styks me të njëjtin zë që përplasej në brigjet e Drinit. As vdekja e as përkushtimi për poetët e tjerë (ai madje u kushton një poezi edhe dashnoreve të poetëve te Prishtinës, fq. 135) nuk mbesin objekt i vetëm kësaj poezie. Janë motive që poeti i rimerr dhe i shndërron në subjekte të plot poezive të tjera (“Si mund të vdes”, fq.204; “Varrezat”, fq.235; “Vdekje Sokrati”, fq.76; “Vrrosje e nënave” fq.86; “Vdekja e kohës, fq.188, “Vdekja e poetit” fq.208; “Lindja e poetit”, fq.210; “Lasgush Pordeci, fq.203 etj). Për më tepër, përveç temës së vdekjes ai nuk i shmang tema të tilla të rënda si, shkatërrimin, absurditetin e ekzistencës, hipokrizinë e shoqërisë.
“Revolucioni i bardhë” është një metaforë ironike e dekadencës moderne. Shkuma e bardhë e qumështit zëvendëson gjakun e revolucionit dhe e shndërron qytetarin në konsumator, në dëshmitar të spektaklit të zbrazët. Në këtë poezi, Çapriqi ndërton një groteskë moderne, një panoramë që përngjan me filmat e Fellinit apo me romanet e Hrabalit. Në poezitë “Prekjet e zjarrta me tokën” (fq. 269), “Terri”(fq.270), “Zërat e ujit”(fq.272), shfaqet një tension i qëndrueshëm ndërmjet trupit njerëzor dhe natyrës. Trupi djeg, përthith, kërkon, ndot dhe ndjehet si një enë që e mbart zjarrin e krijimit por dhe mallkimin e mëkatit. Përmes metaforave të fuqishme dhe të errëta, poeti e bën natyrën bashkëvuajtëse dhe bashkëfajtore.
Motivet natyrore janë thelbësore në poezinë e Capriqit, por ato nuk shfaqen si peizazhe neutrale, përkundrazi, natyra merr trajtat e një fuqie që ndikon dhe formëson fatin njerëzor. Simbolet kryesore janë deti, gjarpri, udhëtimi, kthimi, drita, etja dhe uji. Gjarpri del në disa poezi dhe merr funksione të ndryshme: nga shenjë e mitit, në alegori të jetës e vdekjes e deri në enigmën e identitetit (poezia “Lëkurë e gjarprit” [fq.33] është një kulm grotesk i kësaj metafore). Deti, po ashtu, është entitet i gjallë që “i jep lotit trishtim” (fq. 18) “sëmuret” (fq.19), që “hahet me tokën” (po aty), një paralelizëm ky me njerëzimin që humb ekuilibrin me natyrën. Uji dhe thatësira, mbartin një ngarkesë të fuqishme simbolike: uji si trashëgimi, si shenjtëri, si kujtesë dhe si shpresë. (“Ubla e Krajës” fq.45). Te kjo poezi ubla vjen si metaforë e qëndrueshmërisë, kujtesës dhe shpirtit të një vendi. Mënyra si ndërtohet rrethi i numrit “1001” sjell një përsëritje që e bën tekstin të marrë një karakter të ritualizuar, pothuajse si lutje.
Në të vërtetë krejt poezia e Basri Çapriqit është një udhëtim ekzistencial dhe historik, që përshkon figurën e poetit si një Odise i ri, por edhe si dëshmitar i kohës, i mërgimit, i modernitetit të sëmurë (“Vdekje moderne” fq.32), i ndryshimeve antropologjike (“Lëkurë e gjarprit” fq,33) dhe i një identiteti që endet mes vendlindjes dhe metropoleve të huaja. Çapriqi duket se e përball përjetësinë me përditshmërinë, mitin me banalitetin dhe këtë e bën pa patetikë, por me një thjeshtësi që i jep thellësi tekstit poetik.
Në poezinë e Çapriqit, gjejmë një përzierje të kujdesshme të gjuhës së përditshme me simbole të thella kulturore, fetare dhe mitike. Vargjet shpesh janë të shkurtra, të thyera, që mbartin një frymëmarrje të ngarkuar dhe ndonjëherë edhe rrëfimtarë të shkujdesur, gati sarkastikë. Gjuha rrjedh si një miksim midis thjeshtësisë narrative dhe poetikës simbolike. Shpesh përdor elipsën, parabolën dhe një ritëm të lirë, pa e humbur asnjëherë gravitetin emocional. Poezitë janë të mbushura me imazhe të fuqishme: “e velat/ nga një unazë ia varim ullirit në degë”(fq.27), ose “djali pa lëkurë vdes” (fq.33), ose “kur rrjedhin lumenjtë/ deti ka dhembje në bark” (fq.26), ose “Toka po hapej/ plasaritjet futeshin thellë nëpër lugina lumenjsh” (fq. 278) që lënë mbresa të thella te lexuesi. Shihet një lojë e vazhdueshme me kohët dhe vendet, ku kufiri midis realitetit, mitit dhe ëndrrës është i paqartë dhe fluid.
Ajo që e bën Çapriqin një zë të veçantë është aftësia për të shkruar poezi me intensitet brutal, por me një ndërtim estetik të përkryer. Përdorimi i anaforave, metaforave të zymta, enjambementeve dhe ritmit të fragmentuar e vendosin poezinë e tij në linjën e poetëve modernistë, si Paul Celani apo T. S. Elioti. Ai ndërton vizione ku bota nuk është më një vend i sigurtë, por një teatër i zbrazët ku fryma kërkon rrugëdalje.
Stilistikisht, ai arrin të ngrejë një kontrast të fortë midis gjuhës së rrugës dhe gjuhës metafizike, duke përdorur fjalë brutale në vargje që ndërtojnë imazhe qiellore. Kjo kontradiktë shpreh tensionin e thellë midis trupit dhe shpirtit, midis reales dhe sakrales, që është thelbi i poetikës së tij. Duke përdorur një strukturë poetike të ngjeshur, një lirikë të fragmentuar dhe një imagjinatë të pasur simbolike, Çapriqi krijon një poezi që nuk është vetëm një rrëfim i përvojave individuale, por një reflektim mbi fatin kolektiv të njeriut në një botë që është njëkohësisht tragjike dhe e pashmangshme.
Për fund mund të themi se Basri Çapriqi është poet i revoltës dhe i lutjes, i të shenjtës dhe i të përbuzurës.
Në poezinë e tij, asgjë nuk është vetëm ajo që duket. Çdo varg është një ftesë për të parë më thellë, për të kapërcyer gjuhën dhe për të zbuluar të pathënën që fshihet pas gërmave. Në kohërat kur poezia shpesh zbukurohet për të fshehur zbrazëtinë, Çapriqi e zhvesh zbrazëtinë deri në palcë, për ta bërë atë të flasë.
Në fund të leximit, mbetet një pyetje e hapur: a është i mundur kthimi në fillet e identitetit, apo jemi të dënuar të udhëtojmë përgjithmonë në një botë që ndryshon vazhdimisht, pa një pikë ankorimi? Kjo është dilema që Basri Çapriqi na lë si testament poetik.
Vepra e plotë e Basri Çapriqit është botim i Pen Qendrës së Kosovës.
ObserverKult
Lexo edhe:
ALBANA BEQIRI: RRËFIMI ARTISTIK I NJË SHOQËRIE NË SHPËRBËRJE