Albana Beqiri: Tani jam e gjitha pritje


Tani jam e gjitha pritje
Stacion dashurie që pret e përcjell
vetëm trenat që mbartin zemra të gëzuara
Dhe qeshje njerëzish të mirë…

Aty në një cep ëndrre të bekuar fytyra jote shfaqet
Si më e bukura dëshirë që syrin ma qesh
Është sikur sheh kohën pas shiut tek hapet
me ato copëra gëzimi që me vete sjell…

Tani bota nuk ka më kuptim pa ty
je dielli që del pas një pritjeje të gjatë
unë jam stacion me bojëra dashurie ngjyrosur
që peshën e ëndrrave të bukura mbi vete mbart…