Lermontov: Nuk të përulem. Ka mbaruar!

Mikhail Lermontov: Për
Interpreton: Hajat Toçilla

Nuk të përulem. Ka mbaruar.
Asnjë premtim i yt s’hyn dot
Në shpirtin tim për ta sunduar.
Jemi të huaj, sot e mot.

Ti ke harruar që lirinë
S’ia fal mashtrimit kurrsesi,
Por dhe kështu, vite që s’vijnë
Për syt’ e tu i bëra fli.
Edhe kështu tek ti pandehja
Të gjeja shpirt e shok e short
Dhe tërë botën e urreja
Që të të deshja ty më fort.
Gjithato çaste të qëndrimit
Te këmbët e tua – e beson?
Ia kam rrëmbyer frymëzimit!
Me se po m’i zëvendëson?
Nga ndonjë çast mendimbegatë
Dhe forcë e shpirtit- s’ish çudi-
T’i jepja botës një dhuratë
Dhe të më jepte pavdekësi.
Pse doje, pra, të ma ndërroje
Atë kurorë lavdiplot?
Pse s’qe ateherë kur premtoje
E tillë siç je bërë sot?
Krenar jam! – falmë – ësht’ e kotë.
Kërko një tjetër dashuri.
Për asnjë gjë në këtë botë
Nuk mund të rri në skllavëri.
Nën qiell të jugut, në vend tjetër,
Do të largohem, ndoshta, shpejt.
Por jemi njohur pak si tepër
Për t’u harruar ashtu krejt.
Që sot do zë të argëtohem
Dhe të betohem, paskëtaj,
Vetëm do qesh e do gëzohem
Dhe për asgjë nuk do qaj.
Do rrej si djalli sa të dua,
Siç desha më s’do dashuroj;
A mund të dua më një grua
Kur sot një engjëll më tradhtoi?
Të vdisja desha dhe të vuaj,
Me botën desha të luftoj
Që fort të voglën dorën tuaj
I çmendur – të mundja ta shtrëngoj,
Pa ta kuptuar dot mashtrimin
Ta fala shpirtin mbushur plot.
Ia njohe këtij shpirti çmimin?
Ia njohe?
Unë kurrë ty s’të njoha dot.
Shqipëroi: Petraq Kolevica