Albert Kamy: Ja vlen apo jo të jetohet?

albert kamy kamyja

Albert Kamy njihet si njëri prej përfaqësuesve më tipik dhe esencial të ekzistencializmit.
Si teori tradicionale e shqyrtimit filozofik merr si pikënisje përvojën e njeriut si subjekt, por jo thjesht subjektin mendimtar, por veprimin, ndjenjën, individualitetin e gjallë të njeriut.

Kësaj radhe nuk do të zgjerohemi në trajtim të mëtejshëm, por do të ndalemi te filozofa e absurdit  që Albert Kamy trajton tek eseu i tij ‘Miti i Sizifit’ dhe novela ‘I Huaji’.

ObserverKult ju sjell një fragment nga Miti i Sizifit të Kamysë, ku nis e flet për ate që ai konsideron si probleme tejet serioz filozofik: marrëdhënien midis absurdit dhe vetëvrasjes. A është vetëvrasja zgjidhje për absurdin? Dhe ku është Shpresa në këtë raport?

Albert Kamy: Ja vlen apo jo të jetohet?

Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet, çdo të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë. Të tjerat, nëse bota ka tri përmasa, nëse shpirti ka nëntë apo dymbëdhjetë kategori, vijnë më pas.
Këto janë lojëra; në fillim duhet t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Dhe, po qe e vërtetë ajo që thoshte Niçja se një filozof, për të qenë i respektuar, duhet të predikojë nëpërmjet shembullit të vet, kuptohet rëndësia e kësaj përgjigjeje, meqë ajo do t’i paraprijë veprimit përfundimtar.
Këto të vërteta janë të kuptueshme për zemrën, po duhet t’i thellosh për t’i bërë të qarta për arsyen. Nëse do të kërkoj të dalloj një problem të ngutshëm nga një tjetër, duhet të marr parasysh veprimet që jam i detyruar të kryej.
Asnjëherë nuk kam parë njeri të vdesë për hir të argumenteve ontologjike. Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Në njëfarë kuptimi, ai bëri mirë. Nuk ia vlente të humbje jetën në turrën e druve për këtë të vërtetë. Toka apo dielli rrotullohet rreth njëri-tjetrit, kjo gjë është pa interes. Me një fjalë, është një problem i kotë.

Nga ana tjetër, kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, sepse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Kam parë të tjerë, që paradoksalisht vriten për idetë ose iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur). Pra jam i mendimit se kuptimi i jetës është problemi më i ngutshëm. S’i t’i përgjigjemi?

Për të gjitha problemet thelbësore, këtu unë përfshij të gjitha ato që të bëjnë të vdesësh ose ato që shumëfishojnë dashurinë për jetën, ka me siguri dy metoda të menduari, ajo e La Palisës dhe ajo e Don Kishotit. Vetëm ekuilibri midis të vërtetave dhe lirizmit mund të na lejojë të përftojmë njëkohësisht emocion dhe qartësi.

Pra, para një çështjeje të tillë, sa të thjeshtë aq dhe të ngarkuar me patetizëm, dialektika akademike dhe klasike duhet t’ia lëshojë vendin, merret me mend, një mënyre të menduarit më modest që mbështetet sa në bon sens-in aq dhe në qëndrimin dashamirës.
Vëtëvrasja gjithmonë është trajtuar si një dukuri shoqërore.

Këtu, përkundrazi, është fjala, sa për fillim, për marrëdhënien midis mendimit vetiak dhe vetëvrasjes. Një veprim i tillë përgatitet në heshtjen e shpirtit , ashtu si dhe veprat e mëdha. Vetë njeriu nuk e di këtë. Një mbrëmje, ai tërheq këmbëzën ose hidhet në ujë. Një ditë, kur po më tregonin për një administrator banesash që kishte vrarë veten, më thonë se kishte ndryshuar shumë që nga vdekja e vajzës së tij para pesë vjetësh dhe se kjo ngjarje e kishte “gërryer nga brenda”. Nuk mund të gjesh fjalë me të përpiktë.

Të fillosh të mendosh do të thotë të fillosh të gërryhesh, shoqëria nuk luan ndonjë farë roli në fillim. Krimbi gjendet në shpirtin e njeriut. Aty duhet ta kërkosh. Këtë lojë të kobshme që të çon nga qartësia përballë ekzistencës tek arratisja jashtë dritës, duhet ta gjurmosh dhe ta kuptosh.
Gjenden shumë shkaqe për një vetëvrasje dhe, në përgjithësi, ato më të dukshmet nuk kanë qenë më të efektshmet.

Njeriu rrallë e vret veten (ndonëse kjo hipotezë nuk përjashtohet) duke arsyetuar.
Kriza fillon me diçka që është pothuajse gjithmonë e pakontrollueshme. Gazetat shpesh flasin për “brenga intime”, ose për “sëmundje të pashërueshme”. Këto shpjegime janë të vlefshme.
Po mund të ndodhë që atë ditë një mik i njeriut, të dëshpëruar i ka folur ftohtë. Ky është fajtori, sepse vetëm kaq mund të mjaftojë për t’u dhënë rrukullimën gjithë pakënaqësive dhe gjithë mërzitjeve që qëndronin pezull.

Por, nëse është e vështirë të gjendet çasti i saktë, përçapja e stërholluar ku arsyeja ka zgjedhur vdekjen, është më e lehtë të nxjerrësh nga ky gjest rrjedhojat e tij. Të vrasësh veten, në një kuptim, si në melodrama, do të thotë të rrëfehesh. Të tregosh se ke mbetur prapa nga jeta ose që nuk e kupton. Megjithatë, të mos vazhdojmë me këto analogji t’u kthehemi fjalëve të zakonshme.

Kjo do të thotë se pranon që jeta nuk ia vlen të jetohet. Të jetosh, natyrisht, nuk është kurrë e lehtë. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë veprime që ua imponon ekzistenca për shumë arsye, nga të cilat e para është zakoni. Të vdesësh me dashje parakupton që e ke zbuluar qoftë edhe instinktivisht, karakterin qesharak të këtij zakoni, mungesën e çdo arsyeje të thellë për të jetuar, karakterin absurd të veprimtarisë së përditshme dhe kotësinë e vuajtjes.


Cila është, pra, kjo ndjenjë e pallogaritshme, që i largon shpirtit gjumin, aq të nevojshëm për jetën? Një botë që mund ta shpjegosh qoftë edhe me arsye të gabuara është bota e afërt. Po, në të kundërtën, në një gjithësi pa iluzione dhe pa të vërteta, njeriu ndihet i huaj. Ky mërgim është i pa fund, meqë ka humbur kujtimet e atdheut të pagjendshëm ose shpresën e tokës së premtuar. Kjo ndarje e njeriut nga jeta e tij, e aktorit nga dekori i tij përbën ndjenjën e absurditetit. Meqë të gjithë njerëzit e shenjtë kanë menduar për vetëvrasjen e tyre, pa e zgjatur, kuptohet që ka një lidhje të drejtëpërdrejtë midis kësaj ndjenje dhe tundimit drejt hiçit.


Tema e kësaj eseje është pikërisht marrëdhënia midis absurdit dhe vetëvrasjes, përcaktimi i saktë i masës që vetëvrasja shërben si zgjidhje për absurdin. Në parim, mund të thuhet se për një njeri të ndershëm, ato që i beson si të të vërteta duhet të përligjin veprimet e tij. Pra, besimi në absurditetin e ekzistencës duhet t’i prijë sjelljes së tij.

Do të ishte një kureshtje e përligjur të dijë qartë dhe pa lot të rremë, nëse një përfundim i tillë kërkon që të braktiset sa më shpejt një gjendje e pakuptueshme. Vetëkuptohet, këtu unë kam parasysh njerëz, që janë të prirur të pajtohen me vetveten.
I shtruar qartë, ky problem mund të duket njëherësh i thjeshtë dhe i pazgjidhshëm. Por gabimisht supozohet që pyetjet e thjeshta kërkojnë përgjigje të ngjajshme dhe se fshati që duket nuk ka nevojë për kallauz.

Apriori, dhe duke përmbysur të dhënat e problemit, si në rastin kur vret veten, ashtu edhe kur nuk e vret, duket se ekzistojnë vetëm dy lidhje filozofike, ajo që po thotë po dhe ajo që thotë jo. Do të ishte gjë shumë e bukur. Por duhet të mos harrojmë ata, të cilët, pa arritur në përfundime, pyesin gjithmonë.

Tani po bëj fare pak ironi: ata janë shumica. Vërej, gjithashtu, se ata që përgjigjen “jo”, veprojnë sikur mendojnë të kundërtën. Në fakt , po të pranoja kriterin niçean, ata mendojnë “po” , në një mënyrë ose tjetër. Përkundrazi, ata që vrasin veten, ndodh shpesh që të kenë rrokur kuptimin e jetës.

Këto kontradikta janë të përhershme.
Madje mund të thuhet se asnjëherë nuk kanë qenë më të mprehta se në ato raste ku logjika, përkundrazi, duket qesharake. Është gjë e njohur krahasimi i teorive filozofike dhe i sjelljeve të atyre që i predikojnë. Por duhet të pranojmë se midis mendimtarëve që nuk kanë pranuar se jeta ka kuptim, askush, përveç Kirilovit që i përket letërsisë, Peregrinosit që lindi nga legjenda dhe Zhyl Lekjes, partizan i hipotezës, nuk shkoi deri atje sa të mohonte kuptimin e jetës.

Përmendet shpesh, për shaka, Shopenhaueri, i cili fliste për vetëvrasjen para një tavoline të mbushur plot. Këtu nuk ka aspak vend për t’u tallur. Kjo mënyrë për të mos e marrë seriozisht tragjiken nuk është aq e rëndë, por ajo, më së fundi, bën portretin e njeriut që e ka përqafuar.

Para këtyre kontradiktave dhe paqartësive, a duhet të besojmë se nuk ka asnjë lidhje midis mendimit që dikush ka për jetën dhe veprimit të tij për ta braktisur? Të mos e teprojmë në këtë drejtim. Në lidhjen e njeriut me jetën gjendet diçka shumë më e fortë se të gjitha pakënaqësitë e botës. Gjykimi i trupit është i barazvlershëm me atë të shpirtit dhe trupi sprapset para asgjësimit.

Ne e fitojmë zakonin e të jetuarit para atij të të menduarit. Në këtë garë, që na afron përditë nga pak drejt vdekjes, trupi ruan një distancë të përhershme. Së fundi, thelbi i kësaj kontradikte qëndron në atë çfarë do ta quaja shmangie, sepse është njëherësh edhe më pak edhe më shumë se harrimi i njeriut pas punëve të përditshme në kuptimin paskalian të fjalës. Shmangia vdekje prurëse që përbën temën e tretë të kësaj eseje, është shpresa.

Shpresa për një jetë tjetër që duhet “merituar” ose mashtrimi i atyre që e jetojnë jo për vete jetën, po për ndonjë ide të madhe që është më e rëndësishme se jeta, që e fisnikëron , i jep një kuptim dhe i tradhton.
Gjithçka ndihmon në shtimin e ngatërresave. Jo më kot deri tani është luajtur me fjalët dhe është bërë sikur besohet se mospranimi i idesë që jeta ka një kuptim të çon detyrimisht të pohosh se ajo nuk ia vlen të jetohet. Në të vërtetë, nuk gjendet asnjë masë e detyrueshme midis këtyre dy gjykimeve. Duhet vetëm të mos lejosh të mashtrohesh nga paqartësitë, papajtueshmëritë dhe inkonsekuencat e përmendura deri tani. Duhet të lemë gjithçka mënjanë dhe të merremi drejtëpërdrejtë me problemin e vërtetë.



Dikush vret veten sepse jeta nuk ia vlen të jetohet, – kjo pa dyshim është një e vërtetë shterpë, sepse është gjë mjaft e njohur. Por ky poshtërim i ekzistencës, ky përgënjeshtrim ku e ngujojmë, mos vallë vjen ngaqë ajo nuk ka asnjë kuptim? Apo mos absurditeti kërkon që t’i shpëtojmë nëpërmjet shpresës ose vetëvrasjes, ja se çfarë, duhet të tregojmë, të studiojmë dhe të ilustrojmë duke shmangur gjithçka tjetër.

A sjell absurdi me vete vdekjen, këtij problemi duhet t’i jepet përparësi ndaj të tjerave, jashtë të gjitha metodave të të menduarit dhe të lojërave të fjalëve të kota. Nuancat, kundërtitë, psikologjia që një mendje “objektive” di të fusë në të gjitha problemet, nuk kanë vend në këtë analizë dhe në këtë pasion.

Duhet vetëm një mendim i padrejtë, domethënë logjik. Nuk është gjë e lehtë. Gjithmonë është e pëlqyeshme të jesh logjik. Është pothuajse e pamundur të jesh logjik deri në fund.

Njerëzit që vetëvriten ndjekin deri në fund rrjedhën e ndjenjave të tyre. Atëherë përsiatja për vetëvrasjen më jep rastin të shtroj të vetmin problem që më intereson: a ka ndonjë logjikë deri në vdekje?

Këtë mund ta mësoj vetëm duke ndjekur pa pasione të sëmura, vetëm në dritën e fakteve, arsyetimin, origjinën e të cilit po e tregoj këtu. Këtë unë e quaj një arsyetim absurd. Shumë i kanë hyrë kësaj rruge. Nuk e di nëse ia kanë dalë mbanë.



Kur Karl Jaspersi zbuloi pamundësinë e unitetit të botës, tha: “Ky kufizim më kthen te vetvetja, atje ku nuk fshihem më prapa një pikëpamjeje objektive, të cilën vetëm e përfytyroj, atje ku as unë vetë, as ekzistenca e të tjerëve nuk mund të shndërrohet në objekt për mua”, ai përmend, pas shumë të tjerëve, këto vende të shkreta dhe pa ujë, ku mendimi arrin në kufijtë e tij të skajshëm.



Pas shumë të tjerëve, për këtë nuk ka dyshim, por sa shpejt që u larguan! Në këtë zhvillim të fundit ku arsyeja lëkundet, kanë arritur shumë njerëz të thjeshtë. Ata heqin dorë nga gjëja më e shtrenjtë, nga jeta e tyre. Edhe të tjerë, me tituj të lartë fisnikërie në lëmin e arsyes, kanë hequr dorë, por ata kanë realizuar vetëvrasjen e mendimit të tyre, në një revoltë të pastër.

Përkundrazi përpjekja e vërtetë është të ngulmosh, për aq sa është e mundur, dhe të vëzhgosh nga afër lulëzmin barok të këtyre zonave të largëta.
Qëndrueshmëria dhe qartësia janë spektatore të priveligjuara të kësaj loje çnjerëzore ku absurdi , shpresa dhe vdekja shkëmbejnë replika. Kjo vallë është njëherësh e thjeshtë dhe e ndërlikuar, për rrjedhojë, arsyeja mund të analizojë figurat e saj para se t’i ilustrojë dhe t’i përjetojë vetë.

*Shkëputur nga libri i Alber Kamy: “Miti i sizifit”

Përktheu nga frëngjistja: Petrit Sinani

kamy

Alber Kamy (Mondovi, 7 nëntor 1913 – Villeblevin, 4 janar 1960), shkrimtar dhe filozof francez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut.

Kamy diplomoi për filozofi. Në vitet tridhjetë ai kaloi sprova të shumëta në jetë, përvoja gjithfarëshe.U shtrua në spital për tuberkuloz, i shpëtoi vdekjes por jo kurimeve te vazhdueshme.

Shkruajti romanin “Vdekja e lumtur”, të cilën nuk pranoi ta botojë për së gjalli. Viti 1937 shënon çast vendimtar ne jetën intelektuale të Kamysë, atëherë kur botoi librin me ese “E mbrapshta dhe e mbara”. Në vitin 1939 boton një tjetër libër me ese “Dasma”.

Më pas punoi në gazeta dhe shkrimet e tij i boton në një përmbledhje “Aktualet”.

Bëhet i njohur me 1942 me botimin e eseut filozofik “Miti i Sizifit”, sfidë krenare e njeriut ndaj universit të dhunës që Kamyja e emërton me emrin “absurd”. Po atë vit boton romanin “I Huaji”, pasqyrë e brishtësise së njeriut dhe e vuajtjes absurde. Krijimtaria e Kamysë pasurohet dhe me dy drama.
“Kaligula”, me 1944, përshkrim poetik i çmendurisë njerëzore te mishëruar ne figurën e perandorit romak Kaligula. Drama tjetër është “Të drejtët”, himn i sakrificës për liri. Vepër tjetër është eseja “Mendime për gijotinën” ku dënon heqjen e dënimit me vdekje. Botime tjetër është romani “Murtaja” që mbahet si një nga romanet më të mira të shek XX, ku i bëhet një sinteze qëndresës njerëzore ndaj të gjitha formave te tiranisë.

Botimi i esesë “Njeriu i revoltuar” me 1951, kundër mendimit diktatorial e veçanërisht kundër terrorit stalinist, i shkakton Kamysë sulmin e ashpër të intelektualeve të majtë francezë, me në krye Sartrin dhe një lloj izolimi, të cilin ai e vuajti thellë.
Në këto vite dëshpërimi e vetmie ai shkroi veprën e tij më pesimiste e të zymtë “Rënia”, aktualizim i parabolës biblike mbi gjendjen e njeriut si mëkatar dhe i pandreqshëm.

Më 1957 suksesi letrar i Kamysë vlerësohet me çmimin Nobel.

Kamy e gjen vdekjen nga një aksident automobilistik me 4 janar 1960.

Dorëshkrimi i papërfunduar i Kamyse është romani “Njeriu i parë” që e botuan më pas nën kujdesin e së bijës më 1994.

Përgatiti: U.V/ ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

ALBERT KAMY: E ZBULOVA SE BRENDA MEJE ISHTE NJË DASHURI E PAMPOSHTUR…