Albin Kurti i pikëlluar për Xhevat Qorrajn: Emër që e kanë shenjuar historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pikëlluar për ikjen nga kjo botë të artistit të madh të skenës teatrore e kinematografike të Kosovës, Xhevat Qorraj.

Ai i ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve e dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë, për humbjen e artistit Qorraj.

Më tej, Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale ka rikujtuar në detaje, filmat që ka luajtur artisti i madh Qorraj, si në rolin e Prokës, film ky të cilin e ka parë kur ka qenë 10-vjeç e që e ka rishkuar pastaj disa herë, sikurse edhe në filmat e tjerë si “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” e të tjerë filma që janë të shumtë.

Xhevat Qorraj, tha Kurti do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.

Statusi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:

Me pikëllim e lexova lajmin për vdekjen e Xhevat Qorrajt, artistit të madh të skenës teatrore dhe kinematografike të Kosovës.

Kam qenë 10 vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi “Proka” i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën “Proka” të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film. 

Të tjera role filmike në filmat “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” dhe deri te filmi “Eternally Child”, e kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit te ne.

Aktor i gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë në Kosovë, me karrierën e tij artistike mbi pesë dekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.

Mes kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, dua t’u shprehë ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit Xhevat Qorraj si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA AKTORI I NJOHUR, XHEVAT QORRAJ

U nda nga jeta aktori i njohur, Xhevat Qorraj. Lajmin e kanë konfirmuar familjarët e tij.

Xhevat Qorraj kishte lindur në vitin 1947 në fshatin Carrabreg të Deçanit.

Ai ishte aktor i njohur për filmat “3 dritare dhe një varje”, “Eternally Child”, “Memory”.

Xhevat Qorraj, pas studimeve për teatër, kinematografi dhe televizion në Beograd, nga viti 1972 është punësuar si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa ka të realizuara 60 role në kinematografi dhe teatër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult