Albina Gjergji: Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme…

Nga Albina Gjergji

Para shumë vjetësh, por jo fort-fort moti në kohë, bash atëherë kur kamba më shpohej ma thellë se shpirti sot, kam pasë njohtë nji nanë, që sa herë i qante zemra, merrte rrugën për në kishë. Avitte derën e kullës së vjetër, mshefte flokët poshtë shamisë së zezë e, mbasi u kish thanë «si keni njehë?» komshijve, ngulte e shkulte shkopin e pleqnisë në tokë. Kur mbas gardhit – sebep shekullor sherrnajash – ia ndieja trokun, e dija se ishte ajo, e me vrapin e fëmijës turresha me gjetë birë për me ia pa sytë, ata sy që më dukeshin tipari ma i vështirë me u ba për vete. E shihja me rruzare në dorë e, sapo më pikaste, më qeshte pa ndërpre pesë «T’falem o Mari» e po aq «Shejtja Mari».
Kishën unë e kam pasë afër shpisë, por gjithmonë mbërrija e fundit në meshë. Mbasi zija vend tek bankat e korit e, mbasi me shikim pickues më kritikonte prifti, ktheja kryet kah nana me shami të zezë. Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme. Ndryshe prej tjerave, që si «majmunat» imitues përsërisnin veprimet e priftit – i cili nji Zot e din prej ç’kontinenti kishte mbërritë në tokën time me na shpëtue – ajo nuk bante kështu, por ulej poshtë gjujve të Krishtit e i fliste drejtpërdrejt Atij me sytë kah qielli. Çonte duert nalt e sa ma fort binte kumbona, aq ma maraz e dhimbje i lexoje ndër rrudha.
Në dongun e parë të kumbonës i shihje përshpirtje në portret, me të thanë mendja se ishte takue me Atë të cilit nji ditë të gjithë do t’i japim llogari. Në atë përballje dukej se mbaronte idhnimi e fillonte pranimi.
Në dongun e dytë ishte ma e vendosun në lutje. Me shumë gjasë, kërkesa e dërgueme për nalt ishte e qartë: «Më merr»! Kryqet në shpinë dhimbnin njisoj. Si Nanës së Tenzot, njashtu edhe kësaj Nane me lot.
Në dongun e tretë, me gjuj të skuqun e kurriztkurrun, nana me shami të zezë «zdrypte» në tokë e me kuletën prej pece që i varej në brez zadrimoresh merrte rrugën për në lagjen e heshtun. Aty ku e priste nji shpi përplot fotografi… me fëmijë. Fotografi me fëmijë!
N’emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit t’Shejtë! Para shumë vjetësh, por jo fort-fort moti në kohë, bash atëherë kur kamba më shpohej ma thellë se shpirti sot, kam pasë njohtë nji nanë që, sa herë i qante zemra, merrte rrugën për në kishë. Në atë kishë dikur shkonte bashkë me fëmijët, të cilët ma s’i ka.
Nanë, a vazhdon me besue halá?

*Tregimi Nana me rruzare”, është shkëputur nga vëllimi “FRYMA” – tregime bashkëkohore në gegnisht, Botimet Princ, Tiranë 2019

ObserverKult

Lexo edhe:

GAZMEND BËRLAJOLLI: MËSUESJA