Aleksandër Çipa: Ballkanasit

aleksandër çipa

Gjithë jeta e tyre një betejë për flamuj,
Në një vëllezëri, vështirë një himni t’i përkasin.
Përherë krahinat i duan më shumë se kombet,
Dhe gjakun veç me këngë baladash e elegjish dinë ta masin.

Në kokë të çdo banori është kështjella imagjinare,
Po gjuhë të vetme nuk ka kurrë, në kala.
Ndër kohë të shkuara si dhe në ato të ardhme,
Beteja për epose të paqena, ende ka.

Martohen shpesh për shkak zënkash dhe zilish,
Si mund të ketë më tepër gjethe lisi në një arë(!)
Në fillime pranverash, kur bota zbukurohet,
Ata për arsye folklorike janë vrarë.

Kanë ikur kontinentesh, azilantë me ndodhi,
Barutin e zënkave, si një hejbe të palënë,
Kur ndodh që kthehen në të vonshmen pleqëri,
Luftën për kala e rinisin, aty ku e kanë lënë.

Tiranë më 12.04.2020

ObserverKult

Lexo edhe:

Donika Dabishevci: Puthja

Ana Ahmatova: Kënga e takimit të fundit