Në kujtim të Ali Podrimjes
(28.8.1942 – 21.7.2012)
GJAKU QË NUK FALET
Nga Fatmir Sulejmani
Gjatë jetës kam njohur shumë krijues, por të rrallë janë ata që i kam dashur e çmuar si poetin e gjakut që nuk falet, më të veçantin e më shumë brezave krijues. I natyrshëm, i afërt dhe i këndshëm, si poezia që shkruante, të gjitha temat e bisedës Ai i orientonte aty ku ishte sovran – te mbretëresha e artit letrar. Për këtë vijë identitare të Ali Podrimjes, Fatos Arapi, një bard tjetër i poezisë shqipe, do të thotë: Kudo që ndodhet, në tryezë të punës, në udhëtim e sipër, në gjumë, truri i tij i përndezur punon…
Ali Podrimja e donte shumë Tetovën e miqve të jetës dhe krijimtarisë. E donte shkaku i filantropit Lazim Destani, i cili u është gjendur krijuesve të Kosovës në kohën kur u pamundësua tërësisht aktiviteti i tyre artistik e atdhetar; shkaku i filozofit, publicistit e politikanit Arbër Xhaferi, me të cilin e lidhte dhe miqësia familjare; shkaku i poetit e studiuesit Salajdin Saliu; shkaku i poeteshës së vargjeve rubai Linditë Ahmeti; shkaku i respektit të sinqertë për aktorin e madh Refet Abazin dhe piktorin eruptiv Nehat Beqirin, me të cilët i pëlqente të takohet e të bisedojë lirshëm për obsesionin, privilegjin dhe mallkimin e jetës së tij – poezinë, pas së cilës rendte pa kursyer as shëndetin, si një dashnor i marrë pas së dashurës së tij hyjnore…
Unë kam qenë gjithashtu ndër miqtë e tij të privilegjuar dhe kjo më bën të ndjehem mirë, veçmas tani kur Aliu i madh nuk është më fizikisht në mesin tonë.
Nuk ndodhte të vijë në Tetovë e të mos takoheshim. Dy-tre vitet e fundit të jetës vinte gati gjithmonë i shoqëruar me mikun e tij të çmuar Nusret Pllanën, njërin ndër gazetarët e parë të Radio Kosovës së lirë, të lindur në flakët e luftës së fundit çlirimtare dhe autorin e veprave të rëndësishme mbi gjenocidin serb të ushtruar në Kosovë.
Dinte të vijë në Tetovë vetëm për t’më sjellur ndonjë libër të posabotuar dhe për të pirë një kafe bashkë, ashtu siç shkoja dhe unë nganjëherë në Prishtinë: vetëm për ta takuar Ali Podrimjen. Më thirrte kudo që isha dhe i thartohej zëri pa të keq kur rastiste t’i thoja të presë pak shkaku i angazhimeve të punës, por pastaj, kur e takoja, i harronte të gjitha dhe më fliste me ndjenja vëllazërore për krijimtarinë e Tij dhe për atë të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët donte t’i shohë denga-deng me krijuesit e tjerë të Shqiptarisë.
Gjatë muajve të fundit të prezencës së tij fizike mes nesh ngutej shumë për të mbyllur projektin e antologjisë me poezi të zgjedhura nga krijues të të gjitha trevave shqiptare, që ëndërronte ta botojë në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ngutje nganjëherë dinte të bëhet dhe i padurueshëm, sepse nuk mund ta kapte moskuptimin e të tjerëve për vlerën dhe fuqinë e vargut poetik.
Përmes Antologjisë së tij, origjinalin e së cilës e ruaj si relike të rrallë, Aliu synonte përgjigjen më domethënëse që shqiptarët mund t’ua jepnin fqinjëve të pangopur me gjakun dhe mishin tonë. Nga mënyra se si fliste për të ia kuptoja mirëfilli shpirtin që i ngutej për diku, si shpirti i gjithë krijuesve rebelë me jetë të kondenzuar. Një Zot e di sa shekujt i jetoi me 70 vitet që pati në disponim për t’na nderuar me prezencën e Tij mes nesh.
Për studiuesit me nam ndërkombëtar të poezisë, Aliu qe: bard dhe zë i dhembjes kosovare; krijues vargjesh elitare; tregues i ekzistencës dhe qëndresës së popullit; zë i fuqishëm dhe origjinal i poezisë evropiane; poet i rangut evropian; poet i shkëlqyer; shembëlltyrë poetike e etnisë – i denjë për dafinën e poetit kombëtar; poet që dëshmon fillimin e një epoke të re në zhvillimin e formës dhe gjuhës poetike, jo vetëm në historinë e letërsisë shqipe; poet homerik me vargje të ngjashme me orteqet e Gjergj Fishtës – Homerit të fundit në Ballkan;
krijues i poezisë së angazhuar, të gjithanshme dhe aktuale; poet vargjesh elegante; zë lirie nën qiell robërie – zë i ankthit dramatik të njeriut modern…, krijues i popullit që është me fat që lind poet si Ali Podrimja; autor i veprës më të plotë poetike dhe më avangarde, qoftë për strukturën e poetikës, qoftë për guximin e fjalës që është thënë deri më sot për këtë truall; njëri prej zërave më tipikë të poezisë ballkanase…
Aliu do të mbetet kolos i pavdekshëm i poezisë shqipe, veçmas asaj që u krijua jashtë Shqipërisë londineze. Ai është albatrosi më atipik bodlerian pa një të dytë si vetvetja. Për nga fati jetësor është i ngjashëm me de Radën e madh dhe Çajupin rebel, të cilët humbën nga një LUM, por mbijetuan çarjet e tmerrshme të gjoksit në sajë të lumenjve të tjerë të pashtershëm shpirtëror.
Aliu e deshi pa fund Atdheun, të konceptuar si një të vetëm dhe të tërë. Shqipëria e tij nuk ndahej në vilajete, sepse mbetej xhuxhe… Si, shkruajti më 1981 kritiku Ibrahim Rugova: nuk donte torzo, po qenie komplete!
ObserverKult
Lexo edhe:
SHTATË IMAZHET NË PËRMBLEDHJEN POETIKE TË LUFTËS “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” TË DONIKA DABISHEVCIT