Cikël poetik nga Ali Podrimja: Nëse vdes i dashuruar…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur nga Ali Podrimja.

EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur.
Me shekuj kam hëngër veten
e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!

UNË, BIRI YT, KOSOVË

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.

AI QË NUK TË PA ÇAMËRI

Desha të takoj Marko Boçarin  
                   Bajronin tek luante me rrufe 
Nuk kisha as Shpatë as Kalë 
         E i lartë Suli

Me arrabaxhinë isha vetëm 
‘i buzëqeshje të Bjeshkëve të Namuna kisha
        dhe Flakën në sy

por i madh terr kishte rënë

Para se të mbyllej në qiell
              Desha të takoj Marko Boçarin
Në rigë shiu pikëlonte Bajroni
              Mjeri û për Janinën

Seç e kishte shituar arrabxhinë
         namë e perëndive

        ishin dridhur tokëqielledet
        rrënjëve të dheut
ishte kurthuar koha ime

Oh Çamëri

ai që nuk të pa
vdiq dhe në ëndërr.

ANKTHI

Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…

Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n’ajër?

Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…

HISTORIA E NJË NËNE

Ajo mban mend të gjitha datat stinët kohët
Përshëndetjet e Lumit nga dritarja
Është nënë
Lëreni ju lutem ta përfundojë udhëtimin
rreth atij dielli që fiket
derisa i ka të gjalla kujtimet
Kohë i duhet të harrojë
E vëreni si shtang
para çdo thyerje
në horizont?
Pika e lotit një det
Nënë është.

KOHA ËSHTË TË DUHEMI…

Koha është të duhemi,
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime,
ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi.

FJALË PËR DASHURINË

krejt ç’është e bukur
për dashurinë
ende s’është thënë
(prore mbet diçka të thuhet
n’emër të një kohe
në jetë,
herët ose vonë)

ajo gjithmonë vjen
sapo harrojmë të dashurojmë
dhe kurrë s’është vetëm e sotme

krejt ç’është e bukur
mbetet përherë e pathënë,
e kërkuar në jetë

UNË DO TË DUA

Po të rrëzohet
edhe i mbrami i Kullës gur-
unë do të dua.

Po të shuhet
edhe i mbrami i Vatrës zjarr-
unë do të dua.

Në fushë të mejdanit
po të mbesë
edhe i fundit i Trollit burrë-

unë do të dua…

NËSE VDES I DASHURUAR…

Nëse vdes i dashuruar
varrosmëni n’zemër t’ulkojës,
biri i saj thonë jam.

Nëse vdes urrejtur
varrosmëni n’shkëmbin e nemur
vdekje të reja kurrë mos t’lindë
gjaku im e i fisit.

NËSE NUK TË SHKRUAJ, MIKU IM

Nëse nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
E ma kërko varrin
Diku në botë
Se vajta pas Lumit…

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

DHJETË VJET PA POETIN E NJOHUR, ALI PODRIMJA/ BIOGRAFIA